Mjeku personal i Ever Hoxhës, Isuf Kalo, në librin e tij “Blloku” i botuar nga UETPress, ka rrëfyer mitet dhe përgojimet në kohën e diktaturës. Në një pjesë të rrëfimit të tij, Kalo ndalet dhe te martesa e mbesës së tij me djalin e diktatorit Hoxha, duke treguar se si ka ndikuar në karrierën e Ramiz Alisë. Isuf Kalo përshkruan profilin e njeriut që trashëgoi pushtetin e Hoxhës, pas një karriere të gjatë në kupolën e Partisë dhe një mbijetese misterioze nga përplaset e forta e vdekjeprurëse në korpusin e lidershipit komunist për gati pesë dekada me radhë.
ARTI I TË DREDHURIT
Nuk ka asgjë për t’u çuditur kur them se doza modernizmi patën nisur të depërtonin edhe te vetë Ramizi. Atij i pëlqenin këngët dhe muzika e vendeve perëndimore. Edhe pse nuk guxoi të hidhte vetë i pari hapa promovuese të artit e muzikës moderne, ai tentoi një herë të vetme në jetë t’u linte atyre derën hapur. Kjo ndodhi në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar në vitin 1972, në të cilin u ndie flladi i liberalizimit në artin tonë muzikor. Për fat të keq, ai festival u bë gracka ku vet Ramizi për pak desh mbeti, siç thotë Shekspiri, “i kapur si laraska”.
Këngët e natës finale të atij festivali, Enveri dhe Hysni Kapo i ndoqën nga Vlora, secili në vilën e tij në zonën e Ujit të Ftohtë. Ata u ndodhën aty për disa ditë pushime pas festimeve që u bënë me rastin e 60-vjetorit të Pavarësisë. Unë, asokohe, isha mjek i Hysniut dhe e shoqëroja atje. Atëherë, aparatet e televizorëve ishin të paktë dhe ne shoqëruesit nuk kishim një të tillë në ambientet ku ishim vendosur.
Fatmirësisht, vetë Hysniu na ftoi fisnikërisht së bashku me truprojën, Nexhipin, shoferin Abedinin dhe Vangjelinë, infermieren, që e shoqëronin gjithashtu, që t’i shihnim e t’i dëgjonim këngët e natës finale me të dhe familjen e tij. Të gjithë ne, përfshi edhe Hysniun, i pëlqyem së tepërmi këngët, interpretimet, prezantimin dhe frymën e re që ndihej se po sillte ai festival me mënyrën novatore të konceptimit, interpretimit dhe të përcjelljes te publiku. Nuk më kujtohet që Hysniu të bënte në fund të tij ndonjë vërejtje apo të shprehte ndonjë kritikë apo shqetësim për të.
Mirëpo, të nesërmen, në vilën e Hysniut erdhi për vizitë Enver Hoxha. Ai zbriti nga makina me fytyrë të ngrysur, sepse siç mësuam më vonë e pati vlerësuar atë festival, ideologjikisht të gabuar, si shfaqje e liberalizmit në artin dhe në kulturën tonë. Përgjegjësia për “liberalizimin” nga ana partiake dhe ideologjike binte direkt mbi Ramizin. Drejtori i TV ku ai festival u zhvillua, ishte Todi Lubonja, miku i ngushtë i tij. Vetëm një mrekulli hyjnore, për të cilën do të flasim më vonë, e shpëtoi Ramizin nga ndëshkimi si devijator.
Tmerri që kaloi pas këtij festivali, ku rrezikoi t’i ikte koka, e mbylli atë akoma më hermetikisht brenda guaskës vetëmbrojtëse. Enigma është nëse “devijimi ideologjik”, i atij festivali, kishte qenë rastësor, një shpërthim spontan i shpirtit artistik liberal të autorëve të këngëve, apo ishte shprehje e shijeve më të avancuara moderniste të drejtuesve të kulturës tonë me në krye Ramizin? Ky, ndonëse i kishte nën pushtetin e tij artin dhe kulturën, ndonëse i udhëhoqi, i kontrolloi dhe i indoktrinoi ato, asnjëherë nuk u mor vesh se cili ishte idoli i vërtetë artistik shpirtëror apo ideor i tij! Cili ishte modeli estetik i së bukurës, i virtytit dhe i së mirës për Ramizin?
Ato vlera që ai idealizonte te “njeriu i ri”? Cili qe shkrimtari, poeti, kompozitori apo piktori shqiptar më i pëlqyer i tij? Edhe kur është pyetur në privatësi për këtë, ai e pati rrumbullakosur përgjigjen pa dashur të dallojë asnjë. Përgjigje tipike e njeriut që me vetëdije qëndron në mes. Për të, vlerësimi kritik i autorëve ishte çështje pune, detyrë zyrtare. Ramizi nuk shfaqi publikisht ndjenja për askënd nga ata.
Ai vlerësonte lart artin dhe veprat e Kadaresë, por në asnjë rrethanë nuk u vuri gjoksin keqinterpretimeve dhe sulmeve ideologjike që u bënë ndaj tij. Dhe as ia shpërfilli vërejtjet dhe sugjerimet, që, ai me shqetësim intelektual, ia shprehu për të mirën e vendit. Me fjalë dhe propagandë, ai, përkundrazi, e mburri, e promovoi dhe e mbështeti artin e ashtuquajtur “socialist” dhe “proletar”.
Po në brendësi e në fshehtësi, vallë atë pëlqente vërtet?! Ai nuk foli asnjëherë hapur, as shkroi ndonjëherë për to. Ramizi nuk u rrëfye me sinqeritet as kur ishte çliruar nga kurora dhe karrigia e pushtetit. Gjithçka e mbajti brenda vetes nën guaskën e një frazeologjie, me fjalë të sheqerosura dhe me shkeljen e syrit, që linin të dyshohej se as ai vetë nuk i besonte. Ata që ia patën njohur gjatë jetës shkallën e vetëmbrojtjes dhe mangësitë e trimërisë, mund të dëshmojnë se Ramizi mësoi më mirë se kushdo, jo vetëm të heshtë, por edhe si të mohojë. I tillë është episodi me dramën “Hijet e murrme” të Minush Jeros. Ramizi fillimisht e pëlqeu kur ajo u shfaq në Tiranë në një konkurs. Dhe e duartrokiti atë gjatë, si shumë të suksesshme.
Madje, asaj iu dha edhe çmim i parë. E pëlqeu shumë dhe Mehmeti. Por, më pas, kur e pa Enveri, ai e dënoi atë si armiqësore. Atëherë, Ramizi e ndryshoi menjëherë pllakën. Për të distancuar veten, ai iu drejtua në telefon me ton qortues Ibrahim Uruçit që pati kryesuar jurinë e konkursit: “Pale. Ju vajtët dhe i dhatë asaj edhe çmim të parë!!”, i tha atij me ironi. “Ia dhamë, sepse pamë që ju e duartrokitët ngrohtësisht”, u shfajësua i habitur ai. “Unë duartrokita lojën e aktorëve, jo dramën”, mohoi prerazi Alia.
Fill më pas, Uruçi u internua. Bashkëpunëtorët dhe vartësit mësuan kështu si duhej të komunikonin me të. Episodi tjetër i treguar po prej Vahid Lames, lidhej me një material të “Ditarit” të Enver Hoxhës, i cili duhej redaktuar përpara se t’i dërgohej Nexhmijes dhe Enverit për miratim para botimit.
Redaktimin e bëri një nga bashkëpunëtorët në Komitetin Qendror dhe, para se t’i dërgohej Nexhmijes dhe Enverit, iu dha nga ana e Lames edhe Ramizit për ta parë paraprakisht. “Alia e pa dhe me fare pak vërejtje ishte dakord”, pohon Lamja. Pas kësaj materiali iu dërgua Nexhmijes dhe Enverit, të cilët ishin në atë kohë në Pogradec. Këta fillimisht e pëlqyen dhe e lavdëruan materialin, por pak ditë më pas befas ndërruan tërësisht mendim.
Enveri e kishte gjetur krejt të gabuar e nga zemërimi e kish grisur. Lamja qe kritikuar keq prej tyre “për këto gjëra të pakontrolluara”, ndonëse ai nuk ishte marrë vetë fare me atë material. “U nisa për nga zyra e Ramizit,-shkruan ai,-për t’u shpjeguar e shfajësuar dhe me shpresë që të më ndihmonte. Por isha gabuar”. “Atë material,-i tha Ramizi,-unë e kam lexuar shpejt e shpejt sa për t’u njohur me ato që thoshte shoku Enver, e jo për të mbikëqyrur redaktimin…”.
“Ramizi i dredhonte përgjegjësisë”, konkludon i zhgënjyer ish-sekretari i Enverit, i cili më pas u pushua nga puna, u arrestua e në fund u burgos. Kështu e pat pësuar prej tij edhe një poet tjetër i ri, Faslli Haliti. Ai botoi poemën me titull “Dielli dhe rrëketë”, e cila përmbante disa mesazhe që nuk u mirëpritën nga redaktorët dhe kritika. Duke u ndier i keqkuptuar dhe i keqtrajtuar për ato që kishte shprehur, ai iu drejtua për ndihmë Ramiz Alisë. Ky e dëgjoi, e përgëzoi, madje e inkurajoi në mënyrë alegorike duke i thënë: “Vazhdo. Po mos i shto ujë verës”. Nënteksti ishte “mos e zbukuro, mos e zbut kritikën”.
Mirëpo Faslli Haliti prej “verës pa ujë” përfundoi plot dhjetë vjet punëtor në një fermë të Myzeqesë. Ramiz Alia, ndërkaq, ndoshta ia kishte harruar edhe emrin. I ngjashëm me këtë rast ishte edhe rasti tjetër tragjik i poetit Viktor Qurku, i cili për shkak të një poeme të gabuar, i dha fund jetës duke u hedhur nga maja e një shkëmbi poshtë në humnerë. Për mbijetesën e vet, Ramizin e ndihmoi fakti se nuk ishte pasionant. Ai ishte “inteligjent”, por emocionalisht refraktar. Ishte “gjakftohtë”. Nuk ishte “pa dhëmbë e pa thonj”, por i mbante të fshehura me kujdes ata, jo për të sulmuar, por kryesisht për vetëmbrojtje.
Më shpesh, ato i kish përdorur ndaj Mehmetit. Sidomos kur Mehmeti i kishte ndërhyrë në domenin e tij, kulturë, letërsi dhe art, për çka ai i qe ankuar edhe Enverit. “Me Mehmet Shehun nuk kam shkuar mirë. Ishim dy tipa e natyra të ndryshme”, ka pohuar vetë ai në një intervistë.
Ai ruante për Mehmetin mëri për kritikën dhe përgjegjësinë që ky i pat ngarkuar në Plenumin IV të vitit 1973, lidhur me devijimet ideologjike që u shfaqën në Festivalin e 11 të Këngës në Radio Televizion. “Mehmeti, do të tregonte vetë Ramizi më vonë, u përpoq të më implikonte edhe mua, madje duke e paraqitur çështjen sikur frymëzuesi i kësaj fryme isha unë”. Në fakt, kritika e Mehmetit nuk ishte pa sens, sepse Ramizi ishte udhëheqësi numër 1 në fushën e ideologjisë, artit dhe të kulturës. Por Ramizi e kaloi me pehlivanllëk këtë rrezik….
Përse ky qëndrim i Enverit ndaj tij, ndryshe nga ai që kishte ndjekur e zbatuar me rreptësi e madje me ekses kundër “devijatorëve” të tjerë? A luajti rol edhe këtu krushqia e tyre? Teuta, mbesa e Ramizit, pra, vajza e vëllait të tij Reshat Alia, tashmë kishte një vit nuse në shtëpinë e Enverit. Dhe kish lindur në muajin prill 1975 një djalë, Ermalin, nipin e parë të Enverit, disi edhe të Ramizit, si xhaxhai i nuses. Të ishte kjo arsyeja?
Enveri siç dihet kishte dënuar me vdekje në gjyqet e hershme në kohën pas ardhjes së tij në pushtet Bahri Omarin, kunatin e vet, dhe kjo nuk e kish penguar të mos i flakte, të mos i prekte, por përkundrazi t’i mbante afër, e të vazhdonte t’i donte djemtë e tij, Luanin dhe Fatosin. Apo e kishte burgosur pa mëdyshje Musine Kokalarin, që e kishte kushërirë të largët. Dënimi i Ramizit nuk do e pengonte Enverin të donte dhe të përkëdhelte si vjehërr nusen e djalit dhe si gjysh nipin e lindur prej saj.
Arsyet do të kenë qenë të tjera. Ose Enveri ishte kënaqur që Ramizi kishte anuar në vlerësimin e poemës “Pashallarët e Kuq” “anët pozitive” të saj, në kuptimin e lëvdatave që kishte në vargjet për të, çka mund ta ketë mirëpritur si shenjë e mesazh i besnikërisë së tij, ose sakrifikimi i Ramizit do t’i prishte shumë punë, do ta dëmtonte Nexhmijen në punën e saj, sepse ajo e kishte të rëndësishëm bashkëpunimin me të në përpunimin e materialeve ideologjike, me të cilat ajo merrej drejtpërdrejt në krye të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Apo thjesht, sepse Enveri ishte gjithmonë i bindur se Ramizi, edhe nëse gabonte e bënte pa qëllim të keq, por jo si tradhti.
Kjo, sepse në një farë mënyre ai e kishte rritur atë si vëllain e vogël, duke e mbajtur “nën sqetullën” e ngrohtë të tij brenda Komitetit Qendror, por edhe sepse qoftë fizikisht, qoftë në sjellje, në temperament e karakter Ramizi ishte delikat. Ai nuk kishte brumë tradhtari dhe konspiratori. I mungonin cilësitë thelbësore të domosdoshme për tradhtinë: trimëria, energjia dhe vendosmëria. Asnjë tradhtar nuk i arrin dot qëllimet pa to.
Nuk di me siguri se cila qe arsyeja kryesore shpëtimtare. Ndoshta pak nga secila. Më tepër besoj se ka qenë kjo e fundit. Bindja që Enveri kishte krijuar për besnikërinë e palëkundshme të tij. Mirëpo ja që edhe të “pagabueshmit” gabojnë. Jeta tregoi se dredhia mund të bëhet kapsulë e fortë dhe e padepërtueshme për të fshehur brenda saj ndjenja dhe veti të panjohura. Ramiz Alia dëshmoi se besnikëria e sinqertë dhe “besnikëria e detyruar” nuk ishin e njëjta gjë. Nga ana tjetër, a është e drejtë të quhet mosbesnikëri qëndrimi kritik ndaj një regjimi që po fundosej pandalshëm në katastrofë, kur nuk ke fuqi reale as për ta ndalur e as për ta ndryshuar atë?
PA ZAMKË
Ramizi nuk ishte shok e mik i ngushtë as me byroistët. Kishte vetëm një epror, Enverin. Ndaj tij qe i devotshëm dhe në mënyrën sesi ai e interpretonte besnikërinë mund të thuhet se mbeti i tillë deri në fund.
Ndaj të tjerëve ishte në dukje “miqësor, i paqortueshëm”, akullsish korrekt dhe i rezervuar. Dozat e emocioneve të dhembshurisë, të miqësisë me ta qenë racionale, si me pikatore. Mendoj se atij i mungonte ose nuk e kishte të mjaftë “zamkën”, me të cilën mpiksen e ngjiten miqësitë e sinqerta të ngushta e të përjetshme. Mund të thuhet se ai ishte i varfër në atë që Bill Klinton e quante “valutë shpirtërore” (Spiritual Currency).
Por mosteprimet në “përzemërsi” ishin avantazh për mbijetesën politike të tij. Ishte një ndër faktorët shpëtimtarë që ndikoi në jetëgjatësinë e pazakontë të tij në elitën më të lartë udhëheqëse, e cila në Shqipërinë e asaj kohe ishte fushë e minuar me mosbesim. Ramizi më lehtë dhe më me sukses përdori gjuhën e Ezopit sesa gjuhën e Partisë. Tejet i kujdesshëm në fraza, i pashkoqitur në kuptime dhe po aq hezitues në veprime.
Veprimi më i preferuar i tij ishte vetëpërmbajtja, “mosveprimi”, pritja, lënia e iniciativës dhe e përgjegjësisë te të tjerët. “Njeriu është ajo çka ai bën”. Ramizi ishte “çka ai thoshte” ose “çka linte të nënkuptohej”, duke ngritur supet në mënyrë hezituese ose shfajësuese.
Ai as në aparencë nuk shqetësohej e nuk tregonte dhembje apo angazhim direkt për hallet, qoftë dhe të njerëzve me të cilët punonte. As ndaj atyre që i shërbenin direkt atij si person dhe familjes së tij. Më mbresëlënëse ishte se ai, pa qenë kapadai e mendjemadh, as nuk shtirej dhe as e maskonte atë shpërfillje. Ishte në paqe me hipokrizinë e vet.
… [Trackback]
[…] Information to that Topic: startnews.news/2019/07/28/rrezikoi-ti-ikte-koka-isuf-kalo-rrefen-te-fshehtat-e-ramiz-alise/ […]
… [Trackback]
[…] There you will find 95529 more Information to that Topic: startnews.news/2019/07/28/rrezikoi-ti-ikte-koka-isuf-kalo-rrefen-te-fshehtat-e-ramiz-alise/ […]
Comments are closed.