BallinaTe tjeraDokumenti sekret/Çfarë tha Enver Hoxha në mbledhjen ku u prish miqësia me...

Dokumenti sekret/Çfarë tha Enver Hoxha në mbledhjen ku u prish miqësia me Kinën

spot_img
spot_img

Publikohet dokumenti sekret arkivor me proces-verbalin e mbledhjes së 11 korrikut të vitit 1978, ku Byroja Politike e PPSH-së, miratoi letrën që do i dërgohej Republikës Popullore të Kinës, e cila, pak ditë më vonë, më 28 korrikun e atij viti, tërhoqi të gjithë specialistët e saj nga Shqipëria, duke i dhënë fund miqësisë së ngushtë që i kishte karakterizuar dy vëndet komuniste që prej një çerek shekulli.

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Ajo notë proteste, që Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Kinës dorëzoi në ambasadën shqiptare të Pekinit në 7 korrikun e vitit 1978, shënoi edhe fundin e “muajve të mjaltit” dhe miqësisë së gjatë prej afro dy dekadash që kishte ekzistuar ndërmjet dy vendeve komuniste. Me anë të asaj note prej tetë pikash që kreu i diplomacisë kineze i dorëzoi ambasadorit shqiptar në Pekin (Behar Shtylla), atë ditë të nxehtë korriku, bëhej e ditur se shteti i madh komunist aziatik, i udhëhequr prej Mao Ce Dunit, i ndërpriste të gjitha ndihmat që kishte akorduar për Shqipërinë, si në fushën ekonomike dhe atë ushtarake dhe tërhiqte, gjithashtu, të gjithë specialistët e tij nga vendi i vogël komunist i Ballkanit, të cilin për vite me radhë e kishte konsideruar si mikun më të madh.

Po si u prit në Tiranën zyrtare ajo notë e qeverisë kineze dhe a ishte në dijeni qeveria shqiptare për atë që po përgatitej në Pekin? Për të gjitha këto e të tjera fakte të panjohura, për marrëdhëniet zyrtare në mes Tiranës dhe Pekinit, na njeh proces-verbali tepër sekret i mbledhjes së Byrosë Politike të 11 korrikut të vitit 1978, e kryesuar nga Enver Hoxha, ku vihet re se përveç Enverit, Mehmetit dhe Spiro Kolekës, nuk ka diskutuar asnjë prej anëtarëve të tjerë të asaj byroje. Po kështu, në këtë shkrim, po publikojmë edhe letrën që i dërgonte Enver Hoxhës sekretari i KQ të PPSH-së, Hysni Kapo, i cili për arsye shëndetësore nuk mori pjesë në atë mbledhje të Byrosë Politike.

MBLEDHJA E BYROSE POLITIKE

Partia e Punës e Shqipërisë

Komiteti Qendror

Sektori i Përgjithshëm Tepër sekret

Proces-verbal i mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ më 11 korrik 1978

Byroja Politike e KQ të PPSH në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme të dt. 11 korrik 1978 mori në shqyrtim notën e 7 korrikut që qeveria kineze i ka drejtuar qeverisë sonë ku njofton prerjen e të gjitha kredive dhe ndihmave ekonomike e ushtarake dhe për tërheqjen e të gjithë specialistëve. Mbledhjen e hapi sekretari i Parë i KQ të PPSh shoku Enver Hoxha. Asistonin anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, shokët: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kadri Hazbiu, Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Rita Marko, Spiro Koleka, Lenka Çuko, Llambi Gegprifti, Pilo Peristeri, Qirjako Mihali dhe Simon Stefani. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe sekretari i KQSH, shoku Prokop Murra.

Shoku Enver Hoxha: Këtë mbledhje të Byrosë Politike e bëjmë me qëllim që të shqyrtojmë notën e fundit që na ka drejtuar Qeveria Kineze, me anë të së cilës na njofton për prerjen e ndihmave ekonomike dhe ushtarake që na janë akorduar nga ana e tyre, në bazë të marrëveshjes që kemi përfunduar midis dy vendeve tona në vitin 1975, na lë në mes të gjitha veprat që nuk kanë mbaruar së ndërtuari dhe heq të gjithë specialistët. Të gjithë shokët e kemi lexuar këtë notë, prandaj jemi mbledhur të shkëmbejmë mendime për këtë dhe të përcaktojmë në vija të përgjithshme qëndrimin tonë që duhet të mbajmë, si dhe të përcaktojmë detyrat tona për të ardhmen. Mund të fillojmë me diskutimet, kush e ka fjalën.

Shoku Spiro Koleka: Kjo masë që po merr Qeveria kineze nuk është e papritur për ne. Ne këtë e prisnim se ata me qëndrimet e tyre aty do të dilnin dhe natyrisht aty dolën, që të na presin të gjitha ndihmat. Natyrisht ky qëndrim i tyre është i ngjashëm me qëndrimin që mbajtën karshi vendit tonë revizionistët sovjetikë, të cilët për të justifikuar qëndrimin e tyre, u përpoqën të gjenin lloj-lloj arsyetimesh që të na e linin ne përgjegjësinë, sikurse të gjithë revizionistët kështu kanë vepruar dhe kështu do të vepronin dhe revizionistët kinezë, bile vepruan shumë më keq, se ata kanë një fytyrë dhe një qëllim. Mendoj se ne duhet të mbajmë qëndrim të vendosur.

Ata na e dërguan notën qeveritare edhe ne do t’i japim përgjigje. Përgjigja jonë duhet të jetë dinjitoze ashtu siç ua kemi dhënë gjithmonë. Por, natyrisht marrëdhëniet shtetërore ne do t’i mbajmë. Po çfarë marrëdhëniesh shtetërore do të kemi ne paskëtaj me ta? Ata këto marrëdhënie do t’i mbajnë ashtu siç i mbajtën çekët etj. Ne nuk na intereson shumë se si do t’i mbajnë ata këto marrëdhënie, por nuk duhet të bëhemi ne shkaktarët që të presim marrëdhëniet shtet me shtet. Ky presion edhe ky shantazh që po bëjnë revizionistët kinezë karshi nesh, nuk ka vend që të qëndrojë, por ne nuk i jemi nënshtruar kurrë, kurrë nuk na kanë trembur, por u kemi qëndruar si duhet.

Ne kurrë nuk kemi bërë tregti me parimet. Prandaj përgjegjësia për të gjitha këto u takon atyre. Sigurisht, këto veprime të udhëheqësve kinezë lënë pasoja që do t’u sjellin dëme të mëdha ekonomisë sonë. Ky është tamam një sabotim i bërë me qëllim që të na gjunjëzojë, por këtë ata nuk do t’ia arrijnë kurrë, se as të tjerët nuk ia kanë arritur qëllimit.

Shoku Enver Hoxha: T’u vëmë gjithashtu në dukje që jeni ju që keni bërë përpjekje në mënyrë subversive që ne të bëjmë një aleancë ushtarake me titizmin dhe me Rumaninë, që tradhtarët e vendit tona të linin hapur portat e hyrjes në Shqipëri, flotës sovjetike, për të zaptuar vendin tone, gjë që do të rrezikonte popujt e Jugosllavisë, popullin grek etj., po ne të gjitha këto propozime tuajat i kemi shkelmuar. Të theksojmë se ne kurrë nuk mund të lejojmë që Ballkani të kthehet në një fuçi baroti etj. Ju aktualisht me politikën që po ndiqni, po përpiqeni të krijoni në Ballkan një situatë në dëm të popujve të kësaj zone, prandaj ata që bëjnë politikën tuaj do të dënohen rëndë nga këta popuj. Ne e kemi deklaruar prej kohësh se do të qëndrojmë kurdoherë në krah të popujve të Jugosllavisë e grekë për mbrojtjen e sovranitetit të tyre, nëqoftëse këta do të sulmohen nga cilado anë që të jetë.

Të vëmë në fund idenë që ne paralajmërojmë të gjithë ata që janë duke u futur në intrigat e kinezëve kundër popullit shqiptar, se Shqipëria socialiste dhe gjithë shqiptarët kudo që janë si një trup i vetëm do t’i kundërshtojnë ato dhe do të dalin fitimtarë kundër tyre, këtë ta vëmë tash në notë, apo ta vëmë kur të vejë thua Hua Kuo Feni në Jugosllavi? Sidoqoftë, të gjitha këto janë idera që ne do t’i shohim një nga një me kujdes dhe do të vendosim cilat duhet vënë tani dhe cilat duhen ruajtur për më vonë.

Shoku Mehmet Shehu: Në këtë notë të vëmë të gjitha ato çështje që ngrihen në notën kineze, sepse do të kemi raste të tjera mendoj unë, për të ruajtur të gjitha argumentet tona të padiskutueshme.

Shoku Enver Hoxha: Ashtu është, ne nuk duhet të hedhim të tëra argumentet tona menjëherë në këtë notë. Unë jam dakord me mendimin që thanë shokët se tani nuk mund të botohen as “Ditari politik mbi Kinën” as libri tjetër “Imperializmi dhe revolucioni”, megjithëse në polemikën tonë kundër kinezëve mund të përdoren disa nga materialet që trajtohen në këto dy vëllime. Po përse të mos botohen tani? Për arsye se puna e Partisë sonë ka bërë që Kina të demaskohet dhe tani ne hedhim vërtet një çap akoma më të madh të bazuar në argumente dhe fakte të padiskutueshme dhe me këtë mënyrë forcojmë pozitat ndërkombëtare dhe revolucionare të Partisë dhe Republikës sonë në botë.

Por, po të flasim përherë për të gjitha, siç e kemi thënë edhe herë tjetër, po të flasim që tani kundër Mao Ce Dunit, ka akoma shumë njerëz në botë që nuk do të na kuptojnë këtë qëndrim tonin. Prandaj në asnjë mënyrë ne nuk duhet t’i krijojmë vështirësi vetes, nuk duhet të japim shkas që në opinionin ndërkombëtar të hidhet ujë mbi Partinë dhe popullin tonë dhe njerëzit të thonë: “Po dale mor, ç’thonë këta shqiptarët se Mao Ce Duni është kështu, se gjithë bota e di se Mao Ce Duni është njeri i dëgjuar për urtësi” etj. Po kur ne t’i hedhim këto gjëra pak nga pak dhe gradualisht, do të forcohen më shumë pozitat e Partisë dhe popullit tonë në botë.

Shoku Mehmet Shehu: Po të bëhet kështu do të jetë në favor të kinezëve dhe njerëzit do të vazhdojnë ta shikojnë Mao Ce Dunin me simpati. Një trajtim i tillë i çështjes, krijon mundësinë që të flitet në favor të Maos. Do të dalin më vonë dokumente, siç është për shembull letra për kufinjtë e Bashkimit Sovjetik, që do ta dërrmojnë personin e Mao Ce Dunit.

Shoku Enver Hoxha: Letra jonë flet për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën, pse Mao Ce Duni parashikonte të rishikoheshin kufinjtë e të tërë shteteve të Europës, kurse letra që u dërguam ne kinezëve ia hedh poshtë Maos këtë pikëpamje. Prandaj të gjithë jemi dakord që t’i përgjigjemi notës kineze, e cila duhet të bëhet një çikë e aplikuar dhe serioze. Tendenca duket se deri tani kinezët akoma duan ta mbajnë të fshehtë përmbajtjen e saj.

Ramizi më bëri mua një propozim, që mund të jetë i drejtë dhe ne mund ta parashikojmë, mendoj unë, d.m.th. të bëjmë së pari një njoftim zyrtar për notën që na kanë dërguar kinezët, se do të fillojnë të flasin menjëherë të tjerët dhe do të fillojnë të spekullojnë dhe të thonë kështu e ashtu, ta përgatisin me një fjalë opinionin sipas vijës së tyre. Edhe jugosllavët s’ka dyshim që do fillojnë të flasin.

Shoku Mehmet Shehu: Ne mund të bëjmë një njoftim të shkurtër në shtyp, ku të themi që kështu e ashtu ka ndodhur.

Shoku Enver Hoxha: Edhe unë jam dakord kështu si mendon Ramizi, që t’ia bëjmë të njohur opinionit publik çështjen që kinezët na kanë dërguar një notë, në të cilën na njoftojnë në mënyrë të njëanshme se i prenë ndihmat ekonomike dhe ushtarake me vendin tonë dhe do të tërheqin specialistët e tyre nga ne. Të theksohet në këtë njoftim që për të gjitha këto ne të marrim masat përkatëse.

Shoku Mehmet Shehu: Këtë njoftim ne mund ta bëjmë nëpërmjet ATSH apo të bëjmë një njoftim nëpërmejt Qeverisë Shqiptare.

Shoku Enver Hoxha: Të bëhet nëpërmjet ATSH mendoj unë, pastaj, më vonë, mund të bëhet edhe nëpërmjet qeverisë shqiptare, kur të dorëzojmë notën nga ana e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme. Unë jam dakord edhe me propozim tjetër, që të bëjmë një letër për të informuar Partinë për këto çështje, por jo të gjatë, një letër konçize, se Partia është në dijeni të këtyre çështjeve. Tani na del problemi i detyrave që na dalin për të kthyer në këto situata të reja që po kryhen.

Ne do ta kapërcejmë këtë situatë të vështirë, shokë, ashtu siç kemi kapërcyer situata të tjera edhe më të vështria, kur akoma kemi qenë më të dobët në të gjitha drejtimet, kurse tani jemi shumë më të fortë dhe në unitet të çeliktë me popullin në të gjitha drejtimet, se ne vazhdimisht qëndrojmë vigjilentë dhe mbrojtja jonë vjen e forcohet gjithnjë e më shumë, ekonomia jonë ka ecur, po ecën dhe jemi të bindur se do ecë edhe më mirë akoma në të ardhmen. Por sigurisht të vështira janë këto situata, të cilat duhet t’i shikojmë mirë dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i kapërcejmë. Atëherë mbaruam, unë po vazhdoj pushimet, prandaj mirupafshim. Edhe ju merrni pushimet të gjithë me radhë.

Shoku Mehmet Shehu: Avash-avash do t’i rregullojmë pushimet edhe ne shoku Enver.

Shoku Enver Hoxha: Atëhere ju uroj pushime të mira të gjithëve! Të na rrojë Partia!

(Shefi i Sektorit të Përgjithshëm të KQ, Pandi Dini)

Hysni Kapo: Enver, t’ua heqim kinezëve qendrën e spiunazhit nga Tirana

I dashuri shoku Enver. Lexova sot me kujdes radiogramin që na dërgoi Behari nga Pekini, ku bëhet fjalë për notën e gjatë prej 8 faqesh që i kanë dorëzuar kinezët për Qeverinë tonë. Tradhtarët kinezë hodhën hapin që nuk ishte i papritur për ne. Ata njoftojnë se presin të gjitha ndihmat ekonomike dhe ushtarake të nënshkruara sipas marrëveshjes në mes dy vendeve, tërheqin të gjithë specialistët ekonomikë dhe ushtarakë. Me fjalë të tjera ata shkelën kështu të gjitha marrëvshjet dhe i vunë vijë çdo lloj marrëdhënieje në mes dy vendeve. Vetëm ata duan që të mbajmë në Shqipëri qendrën e spiunazhit, ambasadën e tyre, përfaqësuesit gjoja të tregtisë, të Hsinuasë, atashenë ushtarak etj. E prita me gjakftohtësi këtë akt armiqësor të kinezëve ndaj Partisë, popullit dhe vendit tonë.

Por ne duke i njohur mirë armiqtë dhe qëllimet e tyre, asgjë nuk na tund nga qëndrimi marksist-leninist që ka mbajtur dhe mban Partia jonë dhe nga lufta e madhe që ajo bëri dhe do të duhet të bëjë në shkallë ndërkombëtare për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit, për të demaskuar përpara botës tradhtarët kinezë, që nga Mao Ce Duni e deri te banda e Hua Kuo Fenit dhe Ten Hsia Pinit. Ju e gjykoni vetë kur dhe si duhet dhënë përgjigja këtij hapi armiqësor që ndërmorën kinezët me notën që dorëzuan, por unë mendoj se duhet t’ua bëjmë më keq se ia bëmë Hrushovit dhe bandës së tij, që ta marrin vesh mirë jo vetëm kinezët por gjithë bota se me Shqipërinë nuk bëhet shaka.

Edhe për qendrën e spiunazhit që kinezët kërkojnë të mbajnë në Shqipëri me ata qindra punonjës të ambasadës dhe të përfaqësisë që kanë, që nga atashetë e deri tek përfaqësuesit e HSINUA-së e punonjësit që janë në Radio, mendoj se duhet t’u japim një mësim të mirë. T’i vëmë kinezët në vendin që u takon, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me social-imperializmin sovjetik, koha se kur do e ndërmarrim këtë hap, ju e dini më mirë, kur të jetë më e dobishme për ne. Unë, i dashuri shoku Enver, duke shfaqur këto mendime, të cilat ju i gjykoni më mirë se kushdo nëse janë të drejta, i shkrova me shumë gjakftohtësi dhe nuk më kanë sjellë asnjë shqetësim, gjë që e vërteton edhe aparati i imunitorit.

Pra jam shumë i qetë dhe megjithë që nuk lejohet të lëviz, e ndiej veten shumë të fortë dhe me besim të patundur tek partia jonë e dashur e mësimet e saj, te ju personalisht dhe te mësimet tuaja që na armatosin çdo ditë e më shumë se si të punojmë dhe se si të luftojmë për popullin e atdheun tonë, për partinë e çështjen e madhe të saj, për mbrojtjen dhe triumfin e marksizëm-leninizmit, për demaskimin e shpartallimin e gjithë armiqve të çdo ngjyre të popullit dhe vendit tonë, si dhe gjithë armiqve të marksizëm-leninizmit qofshin edhe imperialistë, revizionistë, renegatë e tradhtarë, duke përfshirë edhe tradhtarët kinezë.

Me shumë respekt dhe dashuri,

Hysni Kapo

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular