Redjan Krali, përfaqësues i Rilindjes në votimet e 30 qershorit, ka arritur të futet në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, në orët e pasdites, ndërsa dyert e institucionit janë hapur forcërisht, me një skenar të ngjashëm me atë të Devollit.
I shoqëruar nga deputetë të PS-së, zyrtarë të Rilindjes, Prefektja, Krali ka marrë zyrën e kryebashkiakut, ndërkohë që në orët e paradites qindra qytetarë ishin mbledhur para Bashkisë në mbështetje të Isa Sakjes, që e konsiderojnë si kryebashkiakun legjitim të qytetit.
Nuk dihet se si do të veprohet në orët dhe ditët në vazhdim, por Krali ka hyrë në zyrë i shoqëruar nga mbështetës, anëtarë të këshillit bashkiak dhe policë, që duket se do të marrin në mbrojtje institucionin, njëlloj sikundër po ndodh në Devoll.
Tentativa e parë që kryebashkiaku i Rilindjes të futej Bashki dështoi. Në mëngjes u betua si kryebashkiak, ndërsa betimi dhe konstituimi i Këshillit Bashkiak u prit me protesta nga Partia Demokratike.
Isa Sakja, ish-kreu i Bashkisë Kavajë, ka deklaruar se një qytet nuk mund të drejtohet në kohën kur kreu i bashkisë ka marrë vetëm 5% të votave të qytetarëve.
Pas betimit, Krali nën shoqërinë edhe të ish-ministrit Ahmetaj dhe ministrit Spiropalit, vendosën të konsumojnë një kafe para se t’i drejtohen bashkisë, siç thanë ata.
Prefektja e Tiranës tentoi të hyjë në bashki, por nuk u lejua nga protestuesit, duke krijuar edhe tension.
“Ne nuk kemi ardhur të vritemi me popullin. Besoj se do ta gjejmë një zgjidhje”, tha drejtuesi i policisë.
“Ne duam të flasim me Isa Sakjan, por e kam telefonuar dhe nuk më është përgjigjur. Ne jemi në rregull me të gjithë dokumentacionin. Nëse nuk futemi sot, do ta bëjmë këtë gjë në vazhdim”, tha prefektja e Tiranës.
Pasi Sakja dhe administrata e bashkisë u larguan në përfundim të orarit zyrtar për administratën, në dyert e institucionit u shfaq Krali, mbështetës të Rilindjes, deputetë, anëtarët e rinj të Këshillit bashkiak, ministra, që morën institucionin duke hapur forcërisht dyert dhe ndryshuar bravat.