BallinaEkonomiLigji i ri/ Si ndryshojnë 120 mijë kasat fiskale, tri fazat për...

Ligji i ri/ Si ndryshojnë 120 mijë kasat fiskale, tri fazat për instalimin dhe kush do preket

spot_img
spot_img

Qeverisë i pëlqen ta quajë “fiskalizim”, por për të gjithë ata që kanë një kasë fiskale, deri më datë 1 janar do të duhet të ndryshojnë sistemin e faturimit dhe nuk janë pak, por të paktën 120 mijë biznese që shesin sot me kupon tatimor, por që nga 1 janari duhet të printojnë faturë financiare. Dje, ministrja e Financave, Denaj, dhe drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj, sqaruan para mediave çfarë parashikon “Reforma e Fiskalizimit”.

Projekti parashikon që, duke nisur që nga data 1 janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëritjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

LIGJI I RI

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer, për çdo produkt dhe në çdo faturë.

Administrata Tatimore do të ketë në dispozicion të dhëna të sakta dhe në kohë reale, të cilat do të shërbejnë për një proces sa më të mirë planifikimi, menaxhimi, vlerësimi dhe vendimmarrës”, theksoi dje ministrja Denaj. Sipas saj, sistemi do të jetë gati për testim brenda muajit gusht, ndërkohë projekti pilot me disa biznese do të nisë në muajin tetor.

“Muaji nëntor dhe dhjetor do të jenë muaj intensivë ndërgjegjësimi dhe informimi nga ana e Administratës Tatimore për të gjitha bizneset në vend për t’u përgatitur me sistemin e ri të kasave online”.

ÇFARË NDRYSHON TE KASAT

Është pikërisht sistemi i ri i kasave online, ai që do të prekë të gjithë kasat në vend. Ndryshimi i sistemit të kasave u konfirmua edhe nga drejtoresha e Tatimeve.

“Ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë që pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën” theksoi Ibrahimaj. Në vend janë rreth 120 mijë biznese që kanë kasa fiskale. Ato janë blerë me një kosto prej 350 eurosh. Kasat janë të lidhura online dhe printojnë kuponin tatimor. Sistemi i ri që parashikon qeveria, do të bëjë një ndryshim të programit të kasave, duke instaluar një program të ri.

Drejtoresha e Tatimeve theksoi dje se “software dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në çdo pajisje, si telefon, tablet, laptop, desktop, pa pasur nevojë për një pajisje hardware sekondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit. Në terma afatgjatë, kjo do të ulë ndjeshëm kostot e teknologjisë për tatimpaguesit”. Në fakt, në terma afatgjatë ndoshta sistemi do të ulë kostot. Por ndërkohë, bizneset duhet të adaptojnë kasat në mënyrë që të printojnë faturën fiskale. Shumë prej kasave, ashtu siç u pohuan zyrtarisht dje, janë me sisteme të vjetruara, nuk arrijnë dot të pranojnë programin e ri dhe kështu do dalin jashtë funksionit. Dhe më e rëndësishmja, të gjitha bizneset, 120 mijë, do të duhet të pajisen me formën elektronike, me një kosto prej 4 mijë lekësh në vit si dhe një kosto për programin prej 60- 80 euro në vit. Me pak fjalë, kush ka një biznes me kasë, deri më 1 janar të vitit që po vjen, do të duhet të bëjë shumë ndryshime me një kosto minimale prej 100 euro në vit.

ÇFARË PËRFITOHET

“Nuk do të ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara. Nuk do të ketë më taksapagues që nuk paguajnë pjesën që u takon. Biznesi i drejtë nuk do të duhet më të mbajë gjithë barrën e taksës për veten e tij teksa sheh sesi konkurrenca e pandershme përfiton avantazhet që vijnë nga tregu i zi. Monitoruesit dhe inspektorët tatimorë nuk do të duhet më të fokusohen kryesisht te bizneset e ndershme, por tek ata që përbëjnë risk për ekonominë nëpërmjet fshehjes së tatimeve”, këto ishin pikat kryesore që veçoi ministrja Denaj dje.

Ndërsa për kreun e Tatimeve, rezultatet pritet të jenë të matshme financiarisht. “Vendet që e kanë implementuar këtë sistem para nesh kanë rezultuar në një mbledhje më të mirë të taksave nga 10% deri në 15 %, referuar Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe përmirësim të mbledhjes së Tatimit për të Ardhurat Personale”, theksoi Ibrahimaj.

PSE PO NDRYSHON SISTEMI

Ky sistem i ri do të krijojë një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë. Ai mundëson për qytetarët që të mund të verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor dhe për administratën tatimore kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore.

Sistemi i ri i mundëson çdo qytetari të verifikojë menjëherë pas lëshimit të faturës, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor qendror. Ky proces realizohet duke skanuar me telefon bar kodin unik të faturës dhe dërgimin e tij të menjëhershëm në departamentin përkatës të taksave. Në çastin që departamenti i taksave merr kodin, do të përgjigjet duke konfirmuar nëse kodi përkatës ekziston në databazë bashkë me detajet e faturës përkatëse. Ky verifikim u mundëson qytetarëve të dinë nëse fatura, për të cilën kanë paguar, është raportuar në sistemin tatimor. I gjithë ky proces rrit transparencën në të bërit biznes dhe ndihmon qeverinë për të luftuar evazionin fiskal, duke qenë lehtësisht i verifikueshëm mashtrimi tatimor ose mosdeklarimi i faturave.

Për Administratën Tatimore, sistemi i ri jep mundësinë e analizës së qendërzuar dhe efektive, për të modeluar qasjen e modulit të riskut. Kjo do të thotë që sjelljet e dyshimta do të identifikohen lehtësisht dhe do të orientojnë identifikimin real të abuzuesve, duke shmangur inspektimet dhe kontrollet e gjeneralizuara, të cilat penalizojnë bizneset e rregullta.

Ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Për t’u siguruar që të shmanget varësia ndaj një modeli specifik teknologjik, sistemi i ri nuk mbështetet në një model konkret (p.sh. pajisje hardware ose software), por në standarde të hapura që ofron aksesi me internetin.

Kjo qasje teknologjike do të thotë se Fiskalizimi është i bazuar në software dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në të gjitha pajisjet ekzistuese (pa pasur nevojë për një pajisje HW sekondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit). Në terma afatgjatë, kjo ul ndjeshëm kostot e teknologjisë për taksapaguesit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular