BallinaKryesorePërgjimet e reja “bild – babale”

Përgjimet e reja “bild – babale”

spot_img
spot_img

Përgjimet e Bild habitën opinionin publik sepse veç të tjerash sepse atje dilte që kishte njerëz, nuk dihet se sa, që e jepnin votën kundrejt shumave me parà. E dënueshme me ligj për ata që e praktikojnë, e planifikojnë, por edhe për ata që marrin lekët kundrejt votës.

Takoj një numur shumë të madh njerëzish që më bëjnë të habiturin, ose edhe pesimistin : “Cfarë populli jemi! Nuk bëhet ky vend! Ata varfanjakët shiten për pesë lekë, shesin votën!”

Kjo habija më duket hipokrite, kulmi i hiprokrizisë! Nëse shitet vota në mënyrë masive atëhere ne të gjithë e dimë dhe nuk ka nevojë për gazetarinë e Bild për të na e zbuluar.

Gazetari i shkretë i Bild zbulon atë që ne e paskemi bërë, pra e paskemi ditur!!!

Këtyre njerëzve që mërziten me “varfanjakët” që shiskan votën unë u them :”Mirë bëjnë që e shesin!”. Më shohin me zhgënjim. Dhe u shpjegoj : “Shitet një send që nuk duhet, ose vlen më pak sesa leku që merr. Në transaksionet e lira tregtare dihet që fitojnë edhe shitësi edhe blerësi. Votuesi fiton ca lekë, kurse pushtetari blen reputacionin e tij, pushtetin e tij. Votuesi si duket e di se vota që hedh në kuti si duhet më hiç. Si andej si këndej t’a hedhi ai nuk ka fituar gjë, gjithmonë është i humbur.”

Prandaj, budallenj politikisht nuk janë shitësit e votës, por jemi ne që nuk i kuptojmë ata. Shitja e votës si fenomen masiv do të kishte treguar sesa i degraduar është realiteti politik i vendit, sesa larg janë partitë politike dhe alternativat politike nga interesimet e elektoratit, aq shumë sa një familje me nja pesë a gjashtë antarë me votat e shitura mund të blejë një lavatriçe ose një televizor të cilësisë së mesme!

Ne paskemi dashur përgjimet Bild për të ditur sesa e korruptuar moralisht në politikë është shoqëria jonë!

Unë nuk kam fare nevojë për përgjime me telefon ose mjete të tjera për ta vërtetuar shitjen e votës! Këtë e di i gjithë mileti, është një “secret de polichinelle”, një e fshehtë që ja bën “muuuuu!” në mes të ditës, dhe shitjen e votës nuk e bëjnë andej nga zonat periferike, nga Dibra, a Devolli, në male e kodra të thella, por në mes të Tiranës, në qendër të burokracisë shtetrore, në mes të bizneseve e shtresave të “larta”.

Pa më thoni a është e lehtë të marrësh një vend pune në administratë qendrore ose lokale nëse nuk përkrah partinë në pushtet e nuk voton për të! A nuk ka nja tridhjetë vjet që është kështu? A nuk shkëmbehet një votë ose dhjetë a njëqind vota me një vend pune!!!

Pa më thoni a merr ndokush ndonjë bursë ekselence ose e bën çunin a vajzën drejtoruc të vogël gjëkundi nëse nuk shet votën trurin, e bashkë me to edhe shpirtin!

Më thoni a nuk është pothuajse e pamundur të bëhesh diplomat, shef policie, drejtor drejtorie, shef tatimesh, edhe puntor bashkie nëse nuk je në të njejtin trend votimesh me atë që të emëron? A nuk është kjo një shitblerje vote? Një hap në karrierë a nuk kushton edhe një ose shumë vota!!!

Duhet të jenë dhjetra mijra që ndodhen në këtë hall : O votën o vendin e punës!!!

Nëse ata bëjnë diferencën në animin e balancës të opinionit politik në favor të kësaj apo asaj partie atëhere na del se pushteti në Shqipëri u përcaktoka nga shkalla e shitjes së votës, ose nga shkalla e dëshirës të atyre që kërkojnë t’u zënë vendet në administratë a të marrin ata privilegjet që i kanë zenë të tjerët.

Votimet janë manipuluar jashtë qendrës së votimit, prandaj vëzhguesit e huaj kurrë nuk kanë raportuar në dekada parregullsitë e vërteta. Ata vijnë, rrijnë, ikin, dhe nuk marrin vesh gjë prej gjëje se e gjitha ishte një lojë!

Sa vota duhen dhënë për një leje ndërtimi, për një parking, për një shesh ndërtimi, për një hapësirë plazhi marrë me qira për të vendosur çadra? A nuk është shitblerje votash kjo?

Ka nevojë të botojë përgjime Bild, New York Times, La Liberation, La Republica, a ku e di unë kush tjetër, kur këto fakte te ne janë bërë pjesë e normalitetit tonë, të përditshëm, na janë bërë si buka që hamë, kanë hyrë në zakonet dhe doket tona prej dekadash dhe vazhddojnë edhe sot?

Atëhere cfarë dreqin kemi që përgojojmë ata të shkretët që për një shportë vezë, a një frigorifer, shesin votat e fisit a të familjes?

Cfarë dreqin kemi që bëjmë të habiturin për shitjen e votës kur shitja e votës është bakshishi me të cilin blehen vende pune në administratë, leje ndërtimi, blihen karriera nga njerëz që pastaj shohin me përbuzje ata që e shesin votën për shumë më pak?

Habitemi me përgjimet e Bild sepse kemi qejfin të vemë veshin te muri i komshiut kurse atë që flakërin si zjarr ferri në mes të sheshit nuk duam ta shohim sepse na poshtëron, na nxjerr njerëz të vegjël, pa dinjitet qytetar.

Pa u luftuar shitja e votës në të gjitha “bursat” e saj, dhe jo thjesht në tregjet fshatare ku vota shitet për një ceremoni dasme a një vend mësuesi në fshat ne nuk ndërtojmë dot shtet, nuk ndërtojmë dot moral, ne do të rrëzohemi thellë e më thellë në batakun tonë moral dhe pastaj do të bëjmë të habiturin kur dikush do të na thotë: Ju shisni gjithçka!

Në politikë përsa i përket vlerës së votës dhe tregut të saj ne nuk kemi dalë ende nga universi logjiko-financiar i Sudes dhe i “kompetentit” të saj. Shumë njerëz vendosin në piramidën e të mirave dhe privilegjeve kapitalin qytetar që është vota e tyre dhe marrin prej andej interesa të jashtëzakonshme, me një çmim pra me rrënimin e të tjerëve dhe të sistemit tonë politik dhe të moralit shoqëror.

Politikisht ne jemi një shoqëri e bjerrur moralisht, në një dekadencë morale të pashoqe dhe pa u shëruar duke ndërtuar një sistem të ri vlerash nëpërmjet reformës tërësore të shtetit, administratës, kodit zgjedhor, në do të vazhdojmë me cic-mice politike duke u zhytur gjithmonë e më shumë në batakun e krizës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular