Werder Bremeni duhet të gjejë një lojtar që t’ia dorëzojë shiritin e kapitenit pas largimit të Max Kruset drejt Fenerbahçes. Ai ende nuk dihet, por ajo që dihet te klubi gjerman është lideri. E ai lider është Milto Rashica. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Florian Kohfeld.
Vetë Rashica ka thënë se është i gatshëm për këtë përgjegjësi në edicionin e ri, pasi pret të tregojë paraqitje edhe më të mira sesa sezonin e fundit kur shkëlqeu në gola e asistime, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe kur merret parasysh se deri para pak viteve luante në kampionatin e Kosovës, atëherë kjo vlerësohet ngritje e madhe për 23-vjeçarin.
Njëjtë nga futbolli i Kosovës e që po pritet të jetë lider i një skuadre të madhe ka dalë edhe Vedat Muriqi. Sulmuesi së fundi kaloi te Fenerbahçe dhe me paraqitjet e para, ai ka dëshmuar se do të jetë lojtar kyç.
Ai nisi karrierën te Liria e Prizrenit, dhe në vitin 2013 e la atë për të kaluar te Besa e Kavajës e më pas te Teuta e Durrësit. Nga aty kaloi në Turqi, fillimisht te Giresunspori, më pas te Gençlerbirligi e Rizespori dhe tash te Fenerbahçe.
Për dallim nga ai, karriera e Rashicës kishte ngritje më të shpejtë. Në verën e vitit 2015 iu bashkua Vitesses në Holandë nga skuadra e Vushtrrisë, kurse nga kjo skuadër kaloi te Werderi në janarin e vitit të shkuar…