Poeti tropojan Hamit Aliaj, i njohur ndryshe si poeti i Bjeshkëve të Nemuna, feston sot 65-vjetorin e lindjes. Në këtë ditë të shënuar për letrarin nuk mund të mungonte as urimi i presidentit të Republikës Ilir Meta.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit ndër të tjera shkruan se “Ndaj gjej rastin në 65-vjetorin e lindjes, t’i uroj jetë të gjatë sa këngët e shpirtit të tij, dedikuar me aq pasion popullit, atdheut e kombit”.
Urimi i Metës shoqërohet me një prej poezive të Aliajt.
Postimi i plotë i presidentit:
Këtu nga Bjeshkët e Sharrit, sapo mësova se poeti i Bjeshkëve të Nemuna, Hamit Aliaj, përfaqësuesi dinjitoz i shkollës poetike të Tropojës, por që me krijimtarinë e vet cilësore është bërë edhe zë i rendit të parë të poezisë shqipe, ka ditëlindjen.
Ndaj gjej rastin në 65-vjetorin e lindjes, t’i uroj jetë të gjatë sa këngët e shpirtit të tij, dedikuar me aq pasion popullit, atdheut e kombit, e ta shoqëroj këtë urim timin me një nga poezitë e tij të bukura:
HISTORI
Luftën e fituam,
Nga fitimtarët,
Asnjë nuk u kthye i gjallë!
Hymni i ri i lirisë
Vetëm dy vargje ka:
“Do vijnë ditë të bukura,
Gjithë krimbat u bënë flutura”!
Ohohhoo, more hej!