BallinaAktualitetQë Edi Rama të mos gëzojë një pension të artë si burokratët...

Që Edi Rama të mos gëzojë një pension të artë si burokratët e Brukselit

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Më bëri përshtypje një investigim i të përditshmes italiane “Il Fatto” lidhur me pensionet që gëzojnë burokratët e Brukselit, të cilët po bëhen gati të lënë zyrat e tyre në Komisionin Evropian. Përveç Juncker-it, i cili tashmë e ka mbërritur moshën e pensionit dhe po përgatitet të nisë etapën e artë të pagesës prej 27 mijë eurosh në muaj, bëjnë përshtypje përfitimet që do të marrë 46 vjeçarja Federica Mogherini kur të mbërrijë moshën e pensionit. Për shërbimet që kreu këto 5 vjet e për të cilat turpërohen kudo, në Bruksel, në Romë e në Berlin (fjalët e mira për të janë shqiptuar veç në Moskë e në Teheran), ajo do të përfitojë një shumë prej 25 mijë eurosh në muaj. Por edhe derisa të vijë ajo kohë, Mogherini nuk do të lihet në dorë të tregut të lirë, por për 24 muaj, do të marrë një shpërblim deri në 60 % të pagës së Komisioneres për Politikë të Jashtme.
Shembujt e mëpërparshëm të Barrosos dhe të të tjerëve që sapo braktisnin Komisionin Evropian, fillonin punë nëpër kompanitë shumëkombëshe, pa u shqetësuar fare për konfliktin e interesit e për dilemat morale që sjell një punësim i tillë, flasin për të ardhmen e ndritur financiare që e pret Mogherinin, 7 zv/presidentët e tjerë të Komisionit Evropian, si dhe një aradhë tjetër burokratësh që kanë vegjetuar në Bruksel e që tani zbulojnë epokën e artë post-Bruksel.
Ajo që më shqetëson është krijimi i një psikoze të përgjithshme se, edhe në u gjettë ndonjë zgjidhje politike për krizën shqiptare, Edi Rama do t’ja hedhë, sepse është në pozitat për të negociuar një “dalje nga skena”, pa u dëmtuar dhe me mall me vete. E thonë kundërshtarë të regjur të pushtetit të tij, të cilët ndihen aq të frikësuar nga kostot e fazës finale të përballjes me regjimin, saqë janë të gatshëm t’ja japin vrik këtë fitore të vogël Edi Ramës, mjaft që të hiqet nga rruga. Bile, nëpër forume të ndryshme lexojmë edhe legjendat për pensionin e artë të Ramës, kur ai do gjerbë kafe në Paris a Londër, në ndonjë galeri artesh që vetëm formalisht s’do të jetë e tija, por që do të flasë për trimëritë e moshës së dytë dhe për pritshmëritë e jetës së tretë të tij.
Këtyre fjalëve u duhet dhënë fund menjëherë, duke e shtuar në listën e parakushteve pamundësinë e protagonistëve të krizës në vend për të negociuar daljen e tyre nga skena. Do të ishte kulmi i triumfit të klimës së pandëshkueshmërisë dhe një leksion se asnjëherë fajtorët e vërtetë nuk do të ndëshkohen për hyneret e tyre. Kjo pandëshkueshmëri mund të na ketë ardhur si hipotekë nga bizantinizmi i Perandorisë Osmane, është kalcifikuar në diktaturën komuniste, e cila s’faltë tradhtinë ndaj idealit diktatorial, por hajdutin e xhahilin e shihte si njeri të zotin, por s’duhet të lejojmë ta marrim me vete si trashëgimi në rrugën tonë drejt BE-së.
Rasti është tani. Nyja ka për t’u zgjidhur, por s’ka pse si shërblesë, shkaktari i krizës të marrë “pensionin e artë”. Në fund të fundit, Juncker e Mogherini e kanë ditur apriori se do ta gëzonin pensionin e artë, Edi Rama s’e ka pasur në kushtet kur ka nënshkruar kontratat false me shqiptarët e s’ka pse ta gëzojë si shpërblim se s’po i shkon të keqes deri në fund.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular