Aktori i njohur Bujar Asqeriu tha dje se nuk është për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, edhe pse është për një teatër të ri.
I kontaktuar në telefon”, Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, tha se Kryeministri ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.
“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, u shpreh dje Asqeriu.
Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.
“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.
Sipas tij, komuniteti i artistëve është përçarë nga politika.
“Gabimi më i madh është se artistët u bënë kashtë e koqe, i ndanë në ata që mendojnë si ne dhe në ata që mendojnë kundër nesh. Kur unë fola ashpër në fillim, ata që flasin sot u shpërndanë dhe nuk na mbështetën, nuk u prononcuan. Unë ua thashë në sy si ministres së Kulturës, ashtu dhe kryetarit të bashkisë”, u shpreh Asqeriu.
Në të shkuarën, ai ka folur për mungesë investimesh në Teatrin Kombëtar dhe domosdoshmërinë e një godine të re.
“Teatri ekzistues është i kalbur në të tëra drejtimet, sepse prej vitesh nuk është derdhur asnjë bojë, asnjë gozhdë, asnjë kompensatë, asnjë xham, asnjë gjë. Po kush është më e rrezikshmja për mua, është që në të gjithë prapavijën e skenës së Teatrit Kombëtar gëlojnë viruse shumë të rrezikshme për shëndetin e artistëve, që mund të invadojnë edhe publikun. Deri te trungjet mund të kenë marrë në thellësi mikrobe dhe viruse. Ndaj, rikonstruksioni i këtij Teatri duhet të jetë me themel. Kur erdhi drejtori i ri para 5 vjetësh, Hervini, porosia e parë që i dhashë ishte: merr institutin e Shëndetit Publik me pompa me ilaç për dezinfektimin e hapësirës skenike, sepse ka qenë një ekzemplar, që një aktoreje i ka ikur zëri kur vajti tek otojatri dyshoi për ekzistencën e viruseve në këtë ambient. Merr institutin me lloj-lloj ilaçesh se kanë vrapuar minj, bubuzhela, mace, lloj-lloj insekti. Kjo është e vërteta”, është shprehur artisti i njohur i skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.
Rama sjell qëndrimin e Asqeriut: Boll se u teprua, dua një të ri
Kryeministri Rama, në mbështetje të prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri, ka sjellë dhe qëndrimin e aktorit të njohur, Bujar Asqeriu, i cili që në fillim të këtij debati është shprehur për një teatër të ri dhe ku të dëgjohet zëri i aktorëve dhe i arkitektëve e jo i politikanëve.
“Aktori i famshëm Bujar Asqeriu i përket një brezi të ndërmjetëm, mes mjeshtrave që themeluan Teatrin Kombëtar gjatë epokës komuniste dhe të rinjve, që erdhën në skenë kur regjimit komunist i erdhi fundi. Ai krijoi një galeri të pasur rolesh, në ekran dhe në skenë, duke fituar zemrat e respektin e publikut. Në këtë çështjen, ‘prishet nuk prishet’ rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera”, shkruan Rama në llogarinë e tij në “Facebook”. Kreu i qeverisë shprehet se aktori i njohur mbështet prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar në vend të tij një teatër të ri dhe modern.
“Qyshse kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e Teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut”, shkruan Rama duke e shoqëruar me një deklaratë të Asqeriut për çështjen e Teatrit.
“Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem, sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua!”, është shprehur aktori i njohur sipas Kryeministrit Rama. PANORAMA