BallinaAktualitetARGUMENTET/Meta i kthen Kuvendit ndryshimet në Kodin Penal: Rrezik për sigurinë juridike...

ARGUMENTET/Meta i kthen Kuvendit ndryshimet në Kodin Penal: Rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve

spot_img
spot_img

Presidenti Ilir Meta ka rikthyer për shqyrtimin ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal. Sipas Kreut të Shtetit këto ndryshime krijojnë rrezik për cenim të  parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.

Në argumentet e Presidentit thuhet se ndryshimet paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre; nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

Sipas Presidentit nga shqyrtimi konstatohet se formulimet e disa dispozitave të Kodit Penal që ndryshohen nëpërmjet neneve 3, 6, 7 dhe 11, të ligjit  përmbajnë problematika që cënojnë parimin e zbatimit efektivitetit të normës, duke rrezikuar aplikimin dhe interpretimin në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin e tyre nga jurisprudenca.

Njoftimi i plotë i Presidencës

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës:

  • Me  Dekretin nr. 11248, datë 05.08.2019, ka vendosur: “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”’, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e neneve 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti
  • Arsyet kryesore të kthimit të këtij ligji paraqiten si më poshtë :

Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 44//2019, në raport me Kushtetutën, me kuadrin ligjor në fuqi, dhe në përfundim të shqyrtimit, çmon se ky ligj i paraqitur për shpallje në përgjithësi është një akt ligjor me tendencë pozitive, pasi për disa çështje, dispozitat aktuale të Kodit Penal nuk garantojnë parandalimin apo ndëshkimin e duhur të disa veprimeve apo mosveprimeve negative që janë shfaqur në shoqëri, për të cilat është e nevojshme parashikimi i tyre si vepra penale, apo për disa të tjera vlerësohet e nevojshme forcimi i ndëshkimit penal.

Nga ana tjetër, gjatë shqyrtimit u konstatua se disa dispozita të veçanta të ligjit nr. 44/2019 dhe konkretisht nenet 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal, paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre; nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

Nga shqyrtimi konstatohet se formulimet e disa dispozitave të Kodit Penal që ndryshohen nëpërmjet neneve 3, 6, 7 dhe 11, të ligjit nr. 44/2019, përmbajnë problematika që cënojnë parimin e zbatimit efektivitetit të normës, duke rrezikuar aplikimin dhe interpretimin në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin e tyre nga jurisprudenca. 

Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale.

Pra, në këto kushte ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të tregojë kujdesin maksimal gjatë hartimit dhe miratimit të dispozitave të reja në Kodin Penal, që krijojnë figura të reja të veprave penale, pasi kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të  parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.

Konkretisht, janë vërejtur problematika dhe mangësi në disa dispozita të tij,  si më poshtë:

  • Neni 3 i ligjit 44/2019, që synon ndryshimin e nenit 121 të Kodit Penal, që parashikon veprën penale të ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, krijon mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Nga shqyrtimi i praktikës shoqëruese të projektligjit, relacionit shoqërues apo raportit të komisioneve përgjegjëse, nuk përcaktohet asnjë arsye e mbështetur në të dhëna konkrete, që ka diktuar nevojën e amendimit të kësaj dispozite të Kodit.

  • Paragrafi i katërt i nenit 121 të Kodit Penal sipas ndryshimeve të miratuara me ligjin nr.44/2019, kërkon patjetër përmirësim sepse ka shumë paqartësi në lidhje me subjektin e veprës penale.
  • Gjithashtu ky paragraf duhet riformuluar dhe qartësuar, edhe nën dritën e faktit se duhet bërë një dallim edhe më i fortë me subjektin e veprës penale sipas parashikimeve të këtij neni të sapomiratuar, me atë të nenit pasardhës, (neni 122), që nënkupton një kategori tjetër funksionarësh shtetërorë apo publik, që për shkak të detyrës disponojnë këto të dhëna (Punonjësit e Shërbimeve Inteligjente, Polici, OPGJ, Prokurori, etj).
  • Gjithashtu, një tjetër arsye se përse paragrafi i katërt i shtuar ka paqartësi, është fakti se ai nuk përcakton qartë nëse ndëshkohen ose jo në këtë rast ato veprime që parashikon po e njëjta dispozitë në paragrafin e parë, ku parashikohet se: “vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi i figurave si dhe ruajtja për publikim i të dhënave”, apo vetëm “shpërndarja ofrimi për publikim apo publikimi”.
  • Nëse paragrafi i fundit i referohet kryerjes së veprës penale me mënyrat e përcaktuara në paragrafin e parë të nenit të amenduar, ateherë sipas paragrafit të katërt të po këtij neni jemi para rastit klasik, kur mund të krijohen keqkuptime për zbatimin e kësaj dispozite ndaj shtetasve që kanë për detyrë vendosjen e aparaturave dhe regjistrimin e fjalëve, fiksimin e tyre, sipas autorizimit të posaçëm të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim.
  • Në këto raste, do duhej të ishte identifikuar qartë qëllimi në kryerjen e veprës penale të sanksionar në paragrafin e fundit, çka nuk është bërë dhe lë vend për keqpërdorim të këtij parashikimi.
  • Për më tepër, parashikimet e nenit 3 të ligjit nr. 44/2019, duhet analizuar edhe në raport me nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale, sepse neni 121 të Kodit Penal, siç është aktualisht i pandryshuar, hyn në grupin e atyre  veprave penale që ndiqet nga vetë viktima akuzuese e dëmtuar nga kryerja e  veprës penale drejtpërdrejt në gjykatë.
  • Me shtimin e paragrafëve në nenin 121 të Kodit Penal parashikohet njëkohësisht rritja e  rrezikshmërisë shoqërore.
  • Në këtë mënyrë është e nevojshmë që të bëhet edhe ndryshimi i nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, për të saktësuar nëse dhe për cilin prej këtyre  paragrafëve ndjekja penale do të ushtrohet nga vetë viktima akuzuese apo nga prokurori.
  • Neni 6 i ligjit nr. 44/2019, që ndryshon nenin 201 të Kodit Penal, në paragrafët 2-5 përmban shprehje abstrakte, përdorimi i të cilave jo vetëm e bën të pamundur zbatimin këtyre paragrafëve në praktikë, por krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndjekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. 
  • Përmirësimi i nenit 201 të Kodit Penal, është tejet i mirëpritur nga të gjithë, por në këtë dispozitë të re të riformuluar në 4 paragrafët e saj (paragrafi 2-5), paraqet problematike, sa i përket mënyrës se si ajo është ndërtuar nga ana gjuhësore, ku rezulton se rrethana e cilësuar e kryerjes së veprës penale, që sjell si rezultat rritjen e masës së dënimit rezulton të jetë përcaktuar me shprehje të papërshtatshme për qëllimin për të cilin këto dispozita janë hartuar. 
  • Në të katërt paragrafët e fundit të këtij neni, përdoret togfjalëshi “ose ka mundësi të shkaktojë”.
  • Kuptimi i rrethanave të cilësuara në një figurë krimi në vetvete, është përcaktimi i veprimeve apo kushteve, vërtetimi i të cilave kërkon një masë më të rëndë ndëshkimi
  • Lënia e hapësirave abstraguese në dispozitë dhe formulimi jo i saktë sa i takon teknikës legjislative, është një mundësi e hapur për keqinterpretim dhe abuzim në praktikë. 
  • Përdorimi i togfjalëshit “ka mundësi të shkaktojë”, jo vetëm që e bën të pamundur zbatimin, por edhe rrezikon që në praktikë të sjellë një precedent të rrezikshëm në ushtrimin e ndekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë joproporcionale. Parashikime ligjore me shprehje abstraguese mbi “pasojën që mund të vinte”, në një dispozitë penale është një hapësirë shumë e madhe, për keqintepretim dhe abuzim në praktikë.
  • Neni 7 të ligjit 44/2019, i cili parashikon shtimin e një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve, është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike.
  • Përpos kësaj nga ky shqyrtim i ligjit konstatohet se në asnjë prej këtyre veprave nuk është përcaktuar si rrethanë e cilësuar kryerja e tyre në bashkëpunim apo përsëritja e saj.
  • Neni 11 të ligjit 44/2019, ku parashikohet shtimi i nenit 207/a të shtuar dhe sanksionohet si vepër penale braktisja e kafshës së shoqërimit, nuk rezulton të jetë përcaktuar subjekti i veprës penale dhe formulimi i saj paraqet paqartësi që vështirësojnë aplikimin e saj në praktikë
  •  
  • Kjo dispozitë veç të tjerash ka paqartësi dhe është formuluar jo mirë sa i takon teknikës legjislative, pasi para së gjithash nuk përcakton saktë as subjektin e veprës penale.
  • Kjo dispozitë e re penale nuk rregullon situatën ku pasoja në shëndetin e një personi, plagosja e rëndë nga kafsha mund të ndodh në banesën e pronarit të kafshës. Pra sipas dispozitës së miratuar nëse ndodh në këtë ambient, duket se nuk kemi braktisje dhe normalisht, as dhe përgjegjësi penale.
  • Presidenti i Republikës, ka vlerësuar se një pjesë e dispozitave të mësipërme nuk mund të jenë plotësisht efikase si një burim për të luftuar sjelljen e padëshirueshme shoqërore që mund të lindin sipas veprave penale të propozuara për t’u ndryshuar, sepse në mënyrën se si një pjesë e këtyre dispozitave janë miratuar është e pashmangshme që ato do të hasin pengesa në praktikë, pikërisht për shkak të paqartësisë dhe ambiguitetit (dykuptimësisë) së tyre.
  • Kështu, nëse do të kemi në praktikë dispozita të paqarta ose të paorientuara mirë rrezikohet të aplikohen në mënyrë të gabuar duke cenuar parimin e sigurisë juridike, ku në vend që të adresojmë saktë problematikën dhe aktin e dënueshëm, do të krijohet edhe më shumë paqartësi në trajtimin e fenomemeve përgjatë aplikimit në praktikë të këtyre normave penale.

Në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, Presidenti ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, me qëllimin që Kuvendi të përmirësojë nenet 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal.

Dekreti dhe arsyet e detajuara mbi këtë vendimarrje gjenden të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular