Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sulmuar ashpër kryeministrin e vendit Edi Ramën, ndërsa thotë se po shkatërron pasurinë publike duke e shitur atë tek privati me anë të skemës së PPP-ve dhe koncesioneve. Me një shënim në “Facebook” , Manjani duke analizuar veprimet e fundit të kryeministri thekson se Rama po punon sikur të ishte në ditët e fundit të qeverisë.
Ai bën një tjetër paralajmërim të fortë, ku thekson se çdo qeveri që do të vijë pas kësaj do ta ketë të vështirë, por jo të pamundur, që të punojë ndershmërisht për interesin publik.
Postimi i Manjanit:
Një gjë është e dukshme:Kryeministri po i bie si n’top t’karadakut pasurisë publike të mbetur tashmë.Po nxiton me shpejtësi marramendëse të japë çdo gjë të mundshme me konçension. Çdo gjë publike, rrugë, minierë, pyll, vend turistik, trashëgimi kulturore e historike, bregdeti e çtë ketë mbetur po kalon sa hap e mbyll sytë në duar të kompanive private me PPP ose me koncension.Ndërkohë nëpër territoret urbane kudo gjen një copë tokë, publike a private qoftë, e jep për ndërtim. Me shpejtësi marramendëse po i bën këto. Duket sikur po punon për ditën e fundit.Qëllimi është ta lërë vendin të paqeverisshëm dot nga interesi publik. Ideja e tij e sëmurë, kanceroze madje, është që vendi në 50 vitet e ardhshme të qeveriset nga privatët të cilëve ju ka dhënë praktikisht ekonominë shqiptare në dorë…A do të ndodhë kjo gjë?!Të shohim! Por qeveria e re, kushdo qoftë pas kësaj flame kriminale do ta ketë të vështirë. Natyrisht, jo të pamundur.