Shpallja “non grata” e Vangjush Dakos nga Departamenti i Shtetit la shije të hidhur majtas e aq më tepër në rrethin e ngushtë të kryeministrit, pjesë e të cilit ishte edhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit. Në vitet e lavdisë së tij, Dako e shfrytëzoi faktin që ishte në një farë mënyre një nga maxhordomët e kryeministrit, duke trashur zërin edhe në asamblenë e Partisë Socialiste.
Por vendimi i Departamentit të Shtetit përveçse një pretencë për Dakon, i cili mund të jetë nga emrat e parë që do bjerë në rrjetën e SPAK ka shtuar spekullimet brenda kupolës rozë për të tjerë emra që do futen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe sidomos të atyre që janë përfolur për korrupsion dhe lidhje me krimin.
Një nga emrat potencialë është Damian Gjiknuri, ish-ministër i Energjisë i përfolur për afera korruptive si në rastin me CEZ, por edhe me të tjera kontrata. Gjiknuri është një nga emrat e paditur nga Kontrolli i Shtetit për shkelje të mëdha në tendera dhe punë publike. Ai ka qenë po ashtu një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit sidomos pas sukseseve elektorale të PS në Dibër, ku Shukriu e kishte menderosur punën dhe kredibilitetin e partisë. Përgjimet e Bild i vunë kapakun gjithë skemës së blerjes së votave, ku Gjiknuri, del me zë dhe me figurë. Të presim kur do ta publikojnë emrin e tij autoritetet amerikane./Respublika