Nga Kastriot Dervishi
Më 8 gusht 1939 u përurua godina elegante e Teatrit. Në përurim u theksua se ishte për zotërinj. Kësisoj nuk do shërbente as për ushtarë dhe as për klasë punëtore. Kishte vetëm një të metë: u ndërtua në qendër të Tiranës, në një vend që do lakmohej 80 vjet më pas nga ndërtuesit për të ndërtuar kulla në funksion të zhdukjes së çdo gjëje historike të qendrës së kryeqytetit.
Ceremonia e përurimit të godinës së kino-teatrit “Savoja”, u pasqyrua në gazetën më të madhe të përditshme, “Fashizmi”. Në Tiranë ka pasur dy ngjarje të shënuara atë ditë: përurimin e kinema-teatrit dhe aktivitetin e paspunës në hajatin e pallatit të Federatës së Krahinës Fashiste të Tiranës. Kinema-teatri nuk ka lidhje me paspunën.
Kinematografia ishte çelur nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit, Propagandës e Turizmit, “ndenë edigjen e Partisë Fashiste Shqiptare me qëllim që t’u japi spektatorëve zbavitje në kryeqytet në një seli të denjë zotnijsh dhe elegante”. Gazeta thoshte se kinemaja e re kishte një madhësi prej 1000 vendesh në ndara në dy rende.
Shkruante se kinoteatri u ndërtua “me një shpejtësi që meriton të vihet në dukje dhe me bashkëpunimin plot entuziazëm të disa italianëve të cilët kanë dhënë mundin e tyre të apasionuar”. Kurrkund nuk gjenden fjalë që godina të jetë përdorur për stallë kuajsh apo gjëra të këtij lloji. Aq më tepër në qendrën më të rëndësishme administrative të Shqipërisë, nuk mund të kishte stalla kuajsh në mes të kryeqytetit.