Këtë muaj mbushen 400 vjet që kur skllevërit e parë afrikanë mbërritën në koloninë britanike që ishte gjeneza e Shteteve të Bashkuara. Tregtia transoqeanike e skllevërve kryesisht realizohej nga evropianët, të cilët merrnin afrikanë të skllavëruar dhe i shisnin në kontinentin amerikan. Ata që mbërrinin gjallë pas lundrimit dërrmues i priste një jetë robërie në duart e skllavopronarëve të bardhë. Ky krim kundër njerëzimit zgjati mbi 200 vjet në Amerikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins njofton mbi ndikimin që kishte tregtia e skllevërve në ndërtimin e Amerikës:
Në Bristol të shtetit Roud Ajlend ndodhen varrezat e familjes DeWolf.
“Këtu është varrosur James De Wolf. E vështirë të konceptosh ndonjë masë dinjiteti për dikë që ka kryer tregti skllevërish në ato përmasa,” thotë historian James De Wolf Perry.
Historiani James DeWolf Perry po flet për një prej stërgjyshërit e tij, i varrosur në Bristol të shtetit Roud Ajlend. Katrina Browne, kushërira e tij, është një nga trashëgimtarët e tjerë:
“James DeWolf së bashku me kushërinjtë e tij sollën rreth 12 mijë afrikanë të skllavëruar. Nga skllevërit që solli familja DeWolf rrjedhin ndoshta gjysmë milionë njerëz që gjen sot në dy Amerikat,” thotë historiani.
Ata udhëtonin nga Afrika perëndimore drejt ishujve të Amerikës Qendrore.
“Një ndër ironitë e mëdha të shtetit Roud Ajlend është se u themelua me idenë e lirisë së besimit, por shumë shpejt u bë një shtet që dominoi tregtinë e skllevërve afrikanë,” thotë historiani Keith Stokes.
Në këtë aktivitet ishin të përfshira edhe kishat.
“Kisha, sidomos në Roud Ajlend, përfitonte drejtpërdrejt nga tregtia e skllevërve. Por gjithashtu ishte edhe skllavopronare e drejtpërdrejtë. Disa priftërinj zotëronin skllevër. Disa organizata me misionarë fetarë që i përkisnin kishës anglikane, zotëronin skllevër,” thotë Nicholas Knisely, peshkop i një kishe episkopale.
Historiani Keith Stokes thotë se tregtarë nga Roud Ajlend financonin anijet që sollën mbi 100 mijë skllevër në Tokën e Re.
“Nga viti 1705-1805 kemi të dokumentuar të paktën 900 anije skllevërish që ishin nisur nga Roud Ajlend drejt Afrikës Perëndimore, mbërrinin në Amerikë Qendrore dhe pastaj ktheheshin në Roud Ajlend”.
Ky njihej si trekëndëshi tregtar.
“Në qytetin Bristol kishte distileri rumi. Merrnin rumin dhe artikuj të tjerë e i çonin në Afrikën Perëndimore ku i shkëmbenin me burra, gra e fëmijë të cilët silleshin këtu e shiteshin në ankand në Karaibe, kryesisht në Kubë, ose në shtetet jugore amerikane, në porte si Çarlston në Karolinën e Jugut,” tregonKatrina Browne, producente filmash dokumentarë.
Tregtia e skllevërve u shndërrua ndër elementet më të rëndësishëm të ekonomisë amerikane.
“E gjithë kjo tregti ishte shumë e rëndësishme për të ndërtuar ekonominë e Veriut dhe shtetin e ardhshëm. Në periudhën koloniale, tregtia e skllevërve dhe tregtia me pronarët e plantacioneve në Amerikën Qendrore ishte një element i rëndësishëm i fuqizimit të kolonive britanike; ishte ajo që u dha shtysë këtyre kolonive të rebeloheshin kundër Britanisë dhe të bëheshin vend i pavarur,” thotë historiani James DeWolf Perry.
Kur vdiq në vitin 1837, James DeWolf ishte njeriu i dytë më i pasur në Amerikë. Pasi në 1787 shteti Roud Ajlend e shpalli të paligjshme tregtinë e skllevërve për në Amerikën Veriore, nipi i tij e vazhdonte tregtinë ilegalisht:
“George DeWolf ishte i përfshirë në mënyrë aktive në tregtinë e paligjshme të skllevërve pas 1808. Duket se e kanë ndalur këtë aktivitet në 1820 kur Kongresi rriti masat ndëshkimore dhe vuri dënimin me vdekje kundër atyre që merreshin me tregtinë e skllevërve,” thotë historiani DeWolf Perry.
Skllevërit sollën në plantacionet e jugut aftësi të dobishme në kultivimin e orizit, duhanit dhe pambukut.
Pambuku i dha hov industrisë së tekstileve në veri, përfshirë në Roud Ajlend.
James DeWolf investoi shuma të mëdha në fabrikat e tekstileve që prodhonin veshje pambuku, një prej elementëve kryesorë në Revolucionin Industrial amerikan. Në fillim të Luftës Civile në 1861, në Shtetet e Bashkuara kishte 4 milionë skllevër. Familja DeWolf ballafaqohet tani me atë të kaluar:
“E kam për detyrë, pasi familja ime kishte këtë të kaluar, pasi unë vetë jam i informuar për këto ngjarje, e kam për detyrë të ngre zërin, të ndihmoj të tjerët të zbulojnë lidhjet që kishin familjet e tyre me skllavërinë. Nëse varrosim ngjarjet e errëta të historisë së familjeve tona, nëse varrosim elementët e errët të historisë kombëtare, do të fillojmë të mendojmë se këto gjëra nuk ndodhën me të vërtetë gjë që do të shtrembërojë keq botëkuptimin tonë për të tashmen,” thotë historiani DeWolf Perry.
Në varrezat e Bristolit, Katrina Browne gjen një varr të një prej dy skllevërve që kishte zotëruar familja e James DeWolfit.
“Imagjinoni këtë imazh të tmerrshëm: dy fëmijë që i dhurohen bashkëshortes për Krishtlindje. Vajza quhej Axhua. Kur vij këtu ëndërroj gjithmonë se Axhua na dëgjon dhe se e ndjen që po e kujtojmë dhe po e nderojmë jetën e tyre,” thotë historiania Katrina Browne./VOA