Shqipëria rrezikon të mos marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave në tetor. Në këtë mënyrë ajo do mbetet pas me grupin e vendeve si Kosova e Bosnja, që kanë probleme të natyrës tjetër.
Megjithatë, kur bie fjala tek tendenca për të krahasuar Shqipërinë me Kosovën, analisti Adri Nurellari në një shkrim për revistën MAPO, thotë se shteti tjetër shqiptar është më përpara nesh.
Ja disa prej krahasimeve të tij:
‘Janë të shumtë ata në Tiranë, që e quajnë Kosovën njësoj shtet të korruptuar, pa e ditur që aty, ndryshe nga Shqipëria, ka pasur zyrtarë nga më të lartit të akuzuar e dënuar për korrupsion, duke përfshirë kryetarë kuvendi, zv/ kryeministër, ministra, deputetë, kryetarë komunash etj, etj…
Po ashtu, ndryshe nga Shqipëria, atje nuk bën vaki që të të kërkojnë ryshfet nëpër spitale për të bërë ndonjë serum, apo të ketë raste të shpeshta të korruptimit të policisë rrugore. Nuk është aspak rastësi që dy institucione, që konsiderohen prej natyrës së tyre strumbullar të korrupsionit në Shqipëri, në Kosovë konsiderohen shumë profesionale, a madje raportet e ndryshme ndërkombëtare i nxjerrin si modele për gjithë rajonin’.
‘Kosova qëndron shumë përpara Shqipërisë edhe kur bëhet fjalë për kriminalizimin. Po të shihen të gjitha statistikat ndërkombëtare, duket qartë, se Shqipëria është më afër me republikat ish-sovjetike në fund të listës, për sa i përket numrit të krimeve në nivel evropian, ndërsa Kosova garon me vendet e Evropës Veriore, për nga statistikat.
Kështu për shembull, sipas UNODC, Kosova ka pasur në vitin 2016, 1.6 vrasje për 100 mijë banorë, ndërsa Shqipëria 2.7. Edhe po të shihen numrat e të burgosurve del se, në burgjet e Kosovës, aktualisht janë 1601 të burgosur që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme, ndërsa në Shqipëri kemi 5.447’.
‘Niveli më i ulët i korrupsionit në Kosovë demonstrohet edhe nga fakti që, aty niveli i pabarazisë është më i ulëti në rajon, gjë që nuk ndodh në vende me korrupsion të lartë, ku vetëm një grusht njerëzish me lidhje politike përfiton nga ekonomia.
Pra koeficienti Gini i pabarazisë, i Kosovës, i afrohet vendeve skandinave, ndërsa ai i Shqipërisë, i afrohet vendeve latinoamerikane. Sipërmarrësi më i madh kosovar raporton disa dhjetëra milionë euro pasuri, ndërsa në Shqipëri fliten për miliarda. Pabarazia e kufizuar në Kosovë shihet edhe me sy, kur udhëton edhe në zonat më periferike të vendit, e nuk has prani të varfërisë ekstreme’.
‘Kur flitet për ekonomi, padyshim që Kosova ngelet ende e varfër, gjë që lidhet kryesisht me trashëgiminë e kostove të aparteidit e diskriminimit ekonomik shekullor, brenda ish-Jugosllavisë, si dhe me pasojat e luftës.
Mirëpo, gjithsesi nuk mund të flitet për dështim ekonomik të Kosovës, kur gjatë gjithë dekadës së pavarësisë, Kosova ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe që ndryshe nga Shqipëria, ia ka dalë të bëjë investime madhështore në autostrada, duke mbajtur ndërkohë borxhin më të ulët publik në Ballkan.
Përpos kësaj, po të shihet klima e biznesit në raportin, Doing Business, të Bankës Botërore, Kosova zë vendin e 44-t, ndërsa Shqipëria atë të 63-të, ndërsa tek raporti Paying Taxes, Kosova zë vendin e 44-t, ndërsa Shqipëria atë të 122-të’.