Nga Ilir Nikolla
E kuptoj se hedhja në treg e ndryshimeve të reja në ligjin për dhënien e shtetësisë shqiptare u bë në verë në kuadër të operacioneve të marketingut të qeverisë, për të larguar vëmendjen nga kriza e thellë institucionale e ekonomike e vendit, por për çështjen e liberalizimit të shtetësisë, jam i prirur që propozimet e kryeministrit t’i marr shumë seriozisht. Ai ka qenë këmbëngulës e për një kohë shumë të gjatë në përpjekjet e tij për ta shndërruar Shqipërinë në një vend tranzit, në një vend ku kalojnë emigrantë, qendrojnë për disa kohë e mbase edhe ngulen këtu. Kjo politikë ka nisur që në 2013-n, kur u tentua të negociohej me Brukselin shndërrimi i vendit në një qendër pritjeje për refugjatët që vinin nga Siria, edhe pse askush s’ia kërkonte Edi Ramës këtë sakrificë. Rasti e do të kujtojmë edhe atë poshtërsinë ndërkombëtare të kryeministrit, i cili u angazhua të merrte 20 refugjatë afrikano-veriorë, të cilët Italia jo-mikpritëse e thuajse ksenofobe refuzonte t’i pranonte. Ata refugjatë s’erdhën kurrë në Shqipëri, pasi u zbulua se kryeministri ynë tallej, sepse për sjelljen e tyre në vendin tonë s’kishte as legjislacion, as dëshirën e vetë refugjatëve, e së fundmi, as gatishmërinë e Brukselit për të krijuar një precedent të tillë.
Paralelisht me këto lojërat e tranzitit të refugjatëve, Edi Rama ka luajtur me idenë e rrezikshme se s’ka vend për t’u shqetësuar pse shqiptarët po e lënë vendin e tyre, pasi “ikin e vijnë”, “kjo është praktikë e kohëve moderne”, “edhe në vendet mike të Italisë e Greqisë ndodh e njëjta gjë”, e të tjera fraza të papërgjegjshme e apatride të këtij lloji.
Këto dy linja qendrimi duhet të na shtyjnë ta marrim shumë seriozisht njoftimin se Shqipëria po bëhet gati të miratojë në ligjin e saj për shtetësinë parimin “ius soli”, pra që e fiton automatikisht shtetësinë kushdo që ka lindur brenda territorit shqiptar, qoftë fëmijë refugjati, emigranti apo të tjera kategori problematike si shtetasit që kanë humbur shtetësinë e tyre fillestare, pa marrë ende një shtetësi të re. I gjithë ky ndryshim gjigant dhe i paprecedent në shkallë evropiane në legjislacion po mbulohet me gjethen e fikut, me propagandën për ndryshimin e vërtetë e që mbështetet nga të gjithë shqiptarët, për dhënien automatike të shtetësisë, kujtdo që verteton trashëgiminë e tij shqiptare në 3 breza, pra zbatimin formal të “ius sanguinis”, të drejtën e gjakut, një e drejtë që është e ngulitur në të drejtën tonë zakonore e që s’ka asnjë vështirësi implementimi edhe në kuadrin ligjor.
E drejta e gjakut s’ka pse t’i shitet paketë publikut, bashkë me “ius sol”-in. Çështjet janë të ndara dhe të gjitha vendet evropiane i trajtojnë si të tilla. Jo vetëm Italia që e njohim shumë mirë, por edhe Gjermani, bile edhe Britania e Madhe, me një trashëgimi perandorake dhe me një forcë të jashtëzakonshme asimilimi, s’ka guxuar ta miratojë prerogativën “ius soli”. Rasti i vetëm është SHBA, e cila deri më tani, për arsye të kuptueshme, si një vend emigrantësh, e ka pasur të dobishëm zbatimin e një parimi të tillë, por tashmë, në kushtet e mbipopullimit, presidenti Trump ka folus disa herë publikisht për abrogimin e kësaj të drejte. Askush s’e ndalon qeverinë të bëjë si kampione e shoqërisë së hapur, të akuzojë Italinë për racizëm (e bëmë një provë gjenerale edhe me SHBA-në, kur e akuzuam Donald Trump si një turp të njerëzimit) e të propozojë edhe nisma në bazë të kësaj ideologjie, por këto propozime duhet të respektojnë rendin e debatit, kur është fjala për ndryshime të këtyre përmasave. Parimi “ius soli” mund të rrezikojë vetë sigurinë tonë kombëtare, në rast se një krizë e afërme refugjatësh mund ta shndërrojë Shqipërinë në një kamp pritjeje. Largimi i perspektivës së anëtarësimit të vendit tonë në BE mund të sjellë përkahës të tjerë në Bruksel, që krahas Afrikës së Veriut, kampe pritjeje për refugjatët të ngrihen në vende jashtë hapësirës Shengen, mundësisht jashtë BE-së në Ballkan, dhe kandidati kryesor do të ishte Shqipëria. Në një vend me 2,8 milionë banorë, aplikimi i shtetësisë nga lindja, për ta zëmë 10 mijë fëmijë refugjatësh në vit për 10 vitet e ardhshme, do të sillte në të ardhmen e afërt balanca të reja të popullsisë.
Ndoshta qeveria e mendon ta marrë në sy këtë rrezik, kur bën propozimin për “ius soli” pa ia kërkuar njeri, bile mjaft intelektualë mendojnë se qeveria është e angazhuar seriozisht në prishjen e strukturës homogjene të popullsisë në Shqipëri, por gjithçka duhet t’i thuhet publikut. Diskutimi i propozimeve për aplikimin e “ius soli”-t në Ligjin e Shtetësisë duhet të ndjekë të njëjtin rend sikur të ishte fjala për diskutimin e një propozimi për ndryshime kushtetuese, pasi të tillë ekuilibra prish e pasoja të ngjashme sjell në sigurinë kombëtare. Qeveria le të dalë hapur e të na thotë se ç’nevoja e shtyjnë të propozojë parimin “ius soli”, së bashku me parimin “ius sanguinis”, të na tregojë studimin që ka bërë dhe të na rrëfejë përfitimet që i vijnë shoqërisë nga propozimi. Më tej, Akademia e Shkencave (në pastë mbetur), shoqatat që mbledhin diplomatët me përvojë të shtetit tonë, partitë politike dhe forumet e intelektualëve mund të thonë fjalën e tyre.
Propozime të çmendura e të rrezikshme njëkohësisht mund të vijnë ngado, por në ka një gjë që kuptohet shpejt, është fakti se parimi “ius soli” s’mund të miratohet nga parlamenti i kukullave që kemi aktualisht, edhe në marrtë mbështetjen e 100 % të buratinëve.