Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar para pak minutave, qytetarëve, me një paralajmërim për rrezikun që paraqesin për Kosovën, ata udhëheqës politikë që nënshtrohen për interesa personale dhe bëjnë kompromise me pasoja tragjike.
“Të dashur qytetarë, – shkruan Haradinaj në Fb. – “Si Kosovë, jemi përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike. Rrjedhimisht, kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet. Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin!
Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bënë ndryshimin.
Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë!
Vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin lider, duke ia përcaktuar të ardhmen politike.