Pasi Partia Demokratike publikoi dokumentet për arrestimin, dënimin dhe dëbimin e Valdrin Pjetrit, edhe Edi Rama ka vendosur që ti japë duart. Me një reagim në Twitter, Rama e ka përjashtuar Pjetrin nga PS-ja, duke u shprehur se deri sa e vërteta të dalë në shesh, rrugët janë të ndara.
Reagimi i Edi Ramës të kujton reagimet e mëparshme të tij, për çdo të akuzuar nga opozita për lidhje me krimin e kur këto akuza dilnin me krime, Rama shprehej i habitur si e kishin gënjyer.
Ja çfarë shkruan Edi Rama në Twitter:
‘Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!
I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.
E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!’