BallinaOP EDKUR KRIMI KAP SHTETIN

KUR KRIMI KAP SHTETIN

spot_img
spot_img

Nga Ermal Xhelilaj

Gjatë dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar problematika të natyrës ekonomike, sociale dhe politike. Deri në një masë të caktuar, këto cështje shqetësuese që kanë karakterizuar vendin gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur demokratik, janë konsideruar si “disi normale” për një shtet tipik ballkanik si Shqipëria, ku shprehja “this is Albania” është përdorur rëndom nëpër korridoret apo prapaskenat e institucioneve te BE-se gjatë bashkëbisedimeve informale të diplomatëve e politikanëve të rëndësishëm europian lidhur me statusin e Shqipërisë,. Sigurisht, këto problematika me nuanca e tipologji ballkanike nuk e kanë penguar progresin e Shqipërisë, e cila me antarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidatë për në BE, e pozicionoi vendin më afër vlerave demokratike, shtetit të së drejtës, balancës së pushteteve dhe të drejtave e lirive themelore të një njeriut, duke e bërë rrugëtimin e saj për në BE një proces jo domozdoshmërisht të vështirë për Qeverinë e ardhshme, sikurse konsiderohej gjatë viteve 90. Sigurisht, një nivel i caktuar kriminaliteti, korrupsioni dhe paligjshmërie kanë qënë prezent gjate periudhës konkrete, por nga ana tjetër lufta kundër këtyre fenomeneve shqetësuese gjithashtu ka qënë aktive e efikase, duke arritur rezultate të cilat janë karakterizuar si relativisht të pranueshme nga faktori ndërkombëtar e institucionet e BE-së. Mbi të gjitha, cfarë është esenciale të vihet në dukje është se para vitit 2013, ekzistonte një ndarje e qartë mes shtetit e Qeverise nga njëra anë (e cila ka qënë në konflikt të vazhdueshëm me krimin) dhe kriminalitetit e paligjshmërisë nga ana tjetër.

Parë në këtë optikë, pas zgjedhjeve të 2013, për Qeverinë Rama mbetej si objektiv rrënjësor vazhdimi i reformave e progresit të arritur nga Qeveria e mëparshme e drejtuar nga Partia Demokratike, me fokus të vecantë rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit, korrupsionit e paligjshmërisë. Kjo cështje konsiderohet një prej elementëve themelor në projekt-progresin e Shqipërisë dhe përfaqëson kriteret themelore lidhur me avancimin e saj drejt celjes se negociatave me qëllim aderimin e saj në Bashkimin Europian. Gjithesesi, Qeveria Rama, e kamufluar me siglën e Rilindjes, e strukturuar në formën e një organizate të dyshimtë që më shumë i përshtatet një grupimi të natyrës kriminale sesa një strukture shtetërore, jo vetëm që nuk vuri në lëvizje mekanizmat ligjor e agjensitë qeveritare në luftën kunder krimit të organizuar,trafikut të drogës dhe korrupsionit, por sikurse tregojnë ngjarjet, evidencat dhe faktet, tashmë ajo mund të konsiderohet një Qeveri e lidhur ngushtësisht  me kriminin e organizuar, elementët kriminal dhe trafikun nderkombëtar të lëndëve narkotike. Dhe sigurisht, kjo është totalisht abnormale.

Që në fillim të mandatit të saj, Qeveria Rama promovoi politika të caktuara shtetërore, të cilat i lejuan bandave e elementëve kriminal të përdornin asete shtetërore dhe policinë e shtetit si mburoj për të mbushur një pjesë të mirë të territorit më lëndë narkotike, që më vonë transportohej me avionë privatë dhe mjete detare për t’u shpërndarë në të gjithë Europën. Mjafton të përmendim raportet e agjensive italiane, britanike e gjermane të sigurisë, shteteve të rëndësishme europiane si Anglia, Franca, Belgjika e Hollanda, të Departamentit Amerikan të Shtetit, CIA Factbook, DEA dhe Interpolit, te cilat e vlerësojnë Shqipërinë si promotore e gjeneratore të drogave të buta e vend tranzit të kokainës e heroinës, për të kuptuar seriozitetin e kësaj problematike madhore. Nga ana tjetër, media të mëdha prestigjoze ndërkombëtare si Zëri i Amerikës, VICE Media, Corriere della Sera, Bild, London Evening Standard, Daily Mail, Stern, Standard Online, Fox News etj, kanë denoncuar përmasat e frikshme që ka marrë trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike në Shqipëri. Ndërkohë, ditët e fundit RAI 3, ka demaskuar me anë të autoriteteve italiane të sigurisë si asnjëherë më parë bashkëpunimin që kriminelët shqiptarë kanë me segmente të Qeverisë Rama lidhur me trafikun ndërkombëtar të lëndëvë narkotike. Zbulimi i bazave të mëdha të përpunimit të kokainës e heroinës në Xibrakë e Has nga agjensitë gjermane e amerikane të sigurisë, identifikimi e arrestimi i të ashtëquajturit Eskobar i Ballkanit, si një prej baronëve më të fuqishëm të drogës në rajon, shpallja në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike të oficerëve madhor të policisë shqiptare (rast unik në botë), përfshirja e një numri të konsiderushëm të eksponentëve të Partise Socialiste e Qeverisë Rama në trafikun e drogës, si dhe akuzat serioze kundër ish Ministrit të Brendshëm S. Tahiri dhe arrestimit të vellait të ish ministrit tjetër të Qeverise Rama F. Xhafaj për përfshirje në grup të strukturuar kriminal e trafik droge, janë gjthashtu indikacione domethënësë e të pakundërshtueshme se kjo Qeveri është bërë palë me krimin e organizuar e trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sigurisht, mëkatet e kësaj Qeverie duket se nuk kanë të mbaruar. Përcaktimi i Shqipërisë si një prej vendeve më të kriminalizuara në kontekstin e trafikut ndërkombëtar të drogës nga disa prej institucioneve më të rëndësishme  të BE-së e botës, shpesh duke na etiketuar si Kolumbia e Europës, nuk ishte e mjaftueshme për Qeverinë Rama. Që binjakëzimi i shtetit me krimin të konsiderohej i plotë, duhej që legjitimitetit qeveritar të trafikut të drogës për të pasuruar shtetarët rilindas e financuar blerjen e votave, ngritjen e bizneseve të ndërtimit e tjetërsuar pronat e shqiptarëve me parat e krimit, t’i bashkëngjitej edhe promovimi në poste politike e shtetërore të individëvë të lidhur më botën e krimit e shpesh herë edhe të personave që ishin protagonist të krimeve nga më të rëndat. Kështu, Qeveria Rama, si asnjë qeveri më parë, përzgjodhi si deputet në rradhët e saj kriminelë nga më ordinerët deri te personat që kishin kryer vepra penale si trafik qeniesh njerëzore, vrasje, përdhunim, grabitje. Kriminalizimi i parlamentit arriti deri në atë nivel sa edhe per standartin e vendeve afrikane arrestimi i kaq shumë deputetëve rilindas për krime nga vrasje deri te trafiku i drogës do të konsiderohej absurditet. Kriminalizimit të të shtetit nuk mund t’i shpëtonte as qeverisja vendore. Kryetarë bashkish që nga përdhunues në grup, hajdut ordiner e deri te transportues droge tashme mbanin shiritin emblem kuq e zi të kryebashkiakut, duke i katandisur bashkitë në celula militantesh injorant e njerëzish me precedent penal. Tashmë kontigjentit kriminal të E. Roshit etj do t’i bashkohet edhe V. Pjetri, si një standart politik e ligjor i “shkelqyer i vlerave e demokracise europiane’ që pasqyron Qeveria Rama dhe organizata Rilindja që ai drejton.

Ne fund, kapja e Qeverisë Rama nga krimi i organizuar nuk do të ishte efikase nëse nuk do të përmbushej edhe kriteri më kuptimplotë. Bashkëpunimi i deputetëve e eksponentëve rilindas me banda e kriminelë me qëllim vjedhjen e blerjen votave dhe shantazhimin e elektoratit. Gjatë kësaj periudhe përgjimet e Bild dhe aksioni politik i Partise Demokratike nxorrën në pah masakrën elektorale që Rilindja me Ramën në krye na i serviri kohë më parë si një fitore spektakolare të Qeverisë Rama falë “punës së palodhur kriminale, vjedhjes së votave, mungesës së investimeve,  kanabizimit kombëtar e trafikut të drogës, mungesës së sigurisë, kapjes së pushteteve, shkeljes të së drejtave të njeriut, propagandës rilindase e kapjes së mediave, mungesës totale të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, braktisjes së vendit të më shumë se 400 mijë shqiptarëve, ikjes së intelektualëve, vjedhjes së pronës publike, korrupsionit galopant që ka mbërthyer vendin, inflacionit, mbylljes së mijëra bizneseve, etj”.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, është evidente që kjo Qeveri dhe Kryeminstri Rama jo vetëm që kanë dëmtuar rëndë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve duke penguar të ardhmen e vendit drejt një demokracie të konsoliduar që do të bënte të mundur aderimin në Bashkimin Europian, por fatkeqësisht regresi ekonomik, social e politik si dhe njehsimi i shtetit me krimin tashmë konsiderohet një realitet i hidhur e i pakundërshtueshëm shqiptar. Tani është koha që qytetarët e ndershëm të këtij vendi t’i bashkohen nismës dhe aksionit politik të Partisë Demokratike, si e vetma alternative serioze e efikase për t’i rikthyer dinjitetin dhe shpresën shqiptareve drejt konsolidimit të demokracisë e vlerave që na bashkojnë me BE-në. Cdo përpjekje tjetër apo lëvizje e cila i përcon energjitë e saj kundër aksionit politik të opozitës apo Partisë Demokratike, qofshin këto të frymëzuara në spektrin ideologjik apo personal, dëmtojnë të ardhmen europiane dhe interesat e Shqipërisë e shqiptarëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular