Sëmundja e gripit të derrit e cila u shfaq një vit më parë në Afrikë ka prekur një sërë shtetesh në botë. Para disa javësh qindra mijëra derra të butë janë vrarë në Bullgari për shkak të përhapjes së sëmundjes ngjitëse, ndërsa së fundmi epidemia është afruar më shumë duke prekur edhe Serbinë, çka ka bërë që Maqedonia e Veriut të bllokojë importin nga ky shtet.
Ndërsa potencialisht në rrezik është edhe vendi ynë, shkruan Scan.tv. Gjatë vitit 2018 Shqipëria ka importuar 8760 ton derra të gjallë me vlerë 1.5 miliardë lekë dhe 10.366 ton mish derri, në vlerë monetare prej rreth 2 miliardë lekësh.
Ndërkohë që edhe në gjysmën e parë të vitit janë importuar rreth 4 mijë ton mish derri çka e bën Shqipërinë vend potencial për mbartjen e virusit. Shtetet e prekura deri më tani janë Bullgaria Rumania, Serbia, Sllovakia, Kroacia nga të cilat importohet rregullisht.
Konkretisht Shqipëria importon derra të gjallë nga Greqia, Kroacia, Hungaria, Hollanda, Rumani, Bullgaria, Sllovakia, dhe mish derri nga Brazili, Kanadaja, Italia, Belgjika, Hollanda, Austria, Zvicra, Gjermania, Egjipti, Greqia, Polonia, SHBA.
Të kontaktuar nga TV SCAN, burime zyrtare pranë Ministrisë së Bujqësisë bëjnë me dije se nuk ka vend për alarm pasi deri më tani nuk është konstatuar ansjë rast në vendin tonë.
Sipas këtij institucioni, Ministria e Bujqësisë ka grupe të gatshme që monitorojne situatën dhe zonat që mund të ketë rrezik për shfaqeje të epidemisë, dhe nëse do të ketë raste, do të zbatohen procedurat sipas manualeve të sigurisë.
Ndërkaq Ministria ka nxjerrë një urdhër për ndalimin përkohësisht të importit të mishit dhe derrave të gjallë nga vendet e prekura dhe AKU po monitoron situatën. Për herë të fundit, epidemia e gripit të derrit në vendin tonë është shfaqur në vitin 2004.