Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, tha nga studio e A2 se “SPAK-u do të jetë pika e thyerjes mbi mënyrën korruptive dhe kriminale të të menduarit të politikës dhe administratës”.
Por, sipas tij, kjo gjë mbetet për t’u parë.
“Reformën në Drejtësi po e shikojnë të gjithë se në çfarë katastrofe ka hyrë. Sot nuk kemi institucionet themelore, ndërsa procesi i reformës është i kapur. Shpresa mbetet që qeveria të mos kapë edhe SPAK-un. Reforma duhet të mbyllet sa më shpejt që SPAK-u të hetojë ministrat që hyjnë në afera korruptive. SPAK-u duhet ta nisë nga PPP-të korruptive dhe shitblerja e votës”, deklaroi Bylykbashi.
Në lidhje me situatën në Shkodër, ish-deputeti tha se kemi të bëjmë me “një veprim të kundërligjshëm të Ministrisë së Financave që ka bllokuar fondet që i duhen qeverisjes vendore për t’i dhënë qytetarëve shërbimet që u duhen”.
“Kemi një kryetare bashkie që gëzon mandatin e saj derisa të betohet kryetari i zgjedhur me zgjedhje kushtetuese. Kjo nuk ka ndodhur në Shkodër, ashtu siç nuk ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Kemi dekretin e Presidentit që qëndron në fuqi”, shtoi Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit, kriza politike ku gjendet vendi është aq e thellë “saqë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet parlamentare”.
“Normalizimi fillon nga këtu. Ndërsa zgjedhjet lokale duhet të bëhen sipas Kushtetutës, gjë që nuk ka ndodhur ende. Manipulimi në votime është fantastik. Votat e pavlefshme janë përgjysmuar dhe kanë kaluar për PS-në. Ky është krim dhe turp”, theksoi Bylykbashi.
Kur u pyet mbi strategjinë që do të ndjekë Partia Demokratike, ish-deputeti tha: “Ne po bëjmë denoncime, provuam që ligji i dekriminalizimit funksionon dhe faktori ndërkombëtar e ka të qartë se çfarë po ndodh në Shqipëri. Shtatori do të ketë veprim më të ashpër përsa i përket nevojës për të kthyer zgjedhjet e ndershme në Shqipëri”.