BallinaAktualitetPse u tërhoq Rama nga shantazhi kundër Opozitës dhe Presidentit?

Pse u tërhoq Rama nga shantazhi kundër Opozitës dhe Presidentit?

spot_img
spot_img

Nga Red Varaku

Gjatë gjithë ‘ fushatës’ për votimet e paligjshme të 30 Qershorit, që u zhvillua në formë antimitingjesh në çdo cep të Shqipërisë, për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e përgjimeve të publikuara nga Zëri i Amerikës dhe BILD , kryeministri me vota të vjedhura, plot arrogancë dhe përmes brohoritjeve dhe gulçimave të një turme rrogëtarësh, i egzaltuar, sulmonte plot afsh dhe jargë njëkohësisht edhe opozitën edhe Presidentin.

Akuza kryesore kundër Opozitës ishte se arsyeja e vërtetë e djegjes së mandateve dhe protestave bëhej për shkak se Opozita kishte frikë nga reforma në drejtësi. Gjithashtu, në një përpjekje për të injoruar Opozitën dhe për të dhënë një iluzion të dyzimit të saj, kryeministri ynë taktikisht sulmonte njëkohësisht me tërsëllimë edhe presidentin Ilir Meta, duke e kërcënuar atë me shkarkim dhe burg. Ai përbetohej se do ta shkarkonte atë, që në 10 ditëshin e parë të Korrikut.

Për këtë arsye, menjëherë pas 30 Qershorit, plot pompozitet nisi edhe shkarkimin e Presidentit dhe shkarkimin e Opozitës. Për të sqaruar veprimtarinë e Presidentit Meta, ai lëshoi rrugëve ‘tellallin’ e tij kushtetues anglo-sakson Ngjela, si dhe nisi plot bujë të madhe mediatike një komision hetimor parlamentar e drejtuar bash nga biri i denjë i ligjit dhe i përgjimeve të BILD. Ndërsa për të shkarkuar Opozitën , urdhëroi kapterrin Mero që të niste operacionin e shkarkimit të saj. Menjëherë çeta e gazetarëve të diskretituar si gazetarë të paradhomës së Ramës, nisën procedurat për shkarkimin e opozitës.

Por, në fund të Korrikut ishte shuar dhe harruar gjithçka. Pati dy reagime publike nga BE dhe SHBA, të cilat godisnin pikërisht absurditetin e këtyre sulmeve, dhe akuzonin kryeministrin si përgjegjës kryesor për krizën e rëndë. Bashkimi Europian, nëpërmjet komisionerit për zgjerimin Hahn paralajmëronte se negociatat nuk do të hapeshin në Tetor, nëse kryeministri ynë do të vazhdonte me idiotësinë e procesit të shkarkimit të z. Meta .

Ndërsa DASH, nëpërmjet Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, sulmoi drejtëpërdrejtë kryeministrin Rama dhe zgjedhjet e 30 Qershorit. Sulmi kundër z. Dako, numrit dy të PS-së, ishte një mesazh i qartë kundër z. Rama, kundër kryeprokurores Marku të emëruar prej tij, e cila nuk po bënte detyrën e saj, dhe ishte kthyer në një vegël në duart e kryeministrit. Ky qëndrim është një shpullë e fortë për kryeministrin e zgjedhur me vota të vjedhura, sepse perëndimi për herë të parë, godiste kaq hapur qeverinë. Një goditje e tillë për z. Dako, automatikisht rrëzon edhe kryeministrin.

Këto dy deklarata si dhe deklarata e OSBE/ ODHIR, që në raportin e saj paraprak nuk i njohu zgjedhjet e 30 Qershorit, u derdhën si llavë në gojët që mbronin qeverinë. Ato janë dëshmi e qartë e angazhimit serioz të perëndimit për të zgjidhur krizën e rëndë. Këto deklarata dëshmojnë që presioni ndërkombëtar mbi Ramën sapo ka nisur dhe pritet të ashpërsohet deri në realizimin e zgjedhjeve të lira , të cilat janë kusht për të dalë nga kriza, ku e kanë futur vendin zgjedhjet e vjedhura.

Pasi ka kaluar thuajse një muaj e gjysëm nga ky zhvillim shumë i vrullshëm dhe emocional i kryeministrit artist, ku nuk munguan as lotët, as ngashërimet, deri tani nuk kemi asnjë rezultat konkret. Komisioni hetimor është ngritur, por me sa duket është ulur prapë, ndërsa opozita ka arritur kulmin e mbështetjes popullore.

Ky bilanc i hidhur i kryeministrit, lidhur me nismat që ai paralajmëroi plot bujë , po kalon në heshtje të plotë. Por, institucioni i qeverisë e ka detyrim të japë patjetër një shpjegim për këtë mashtrim të shëmtuar. E ka detyrim të japë një shpjegim, se ndryshe kryeministri artist do të bëhet dhe më qesharak nga se është bërë. Sepse, kur një kryeministër për gati një muaj çirret e kacavirret dhe nuk pushon së denoncuari një fenomen me emra, duke e bërë gati tragjike situatën, duhet doemos të ketë një arsye të fortë, por duhet të ketë dhe qartësinë e duhur të strategjisë së luftës që shpall.

Kryeministri ynë nuk demonstroi as përgjegjësi dhe seriozitet në nismat që shpalli, dhe as përgjegjësi në mbajtjen e fjalës së dhënë publikisht. Ai e ka për detyrë së paku të shpjegojë pse u tërhoq nga të dyja këto nisma, si dhe të japë një përgjigje publike për akuzat e BE dhe SHBA, që në fakt ishin dy shuplaka të forta pikërisht ndaj diarresë kryeministrore para 30 Qershorit, shuplaka që ia kanë mbyllur gojën kryeministrit, i cili akoma nuk ka thënë deri tani asnjë fjalë dhe ka ndalur menjëherë procedurën e shkarkimit të presidentit Meta.

Në këtë mashtrim të publikut, u përfshinë edhe tellallët besnikë të kryeministrit, Taulanti, Ulsiu, Elisa , por edhe Braçe ziu . Ata, si gjithmonë , e morën seriozisht kryeministrin hajdut dhe u bënë shumë agresivë me lehjet e tyre kundër Metës dhe Opozitës. Gjatë gjithë fushatës për mbulimin e skandalit të përgjimeve, mjeranët glorifikonin SPAK dhe Reformën në Drejtësi , si dhe nuk reshtën së sulmuari histerikisht presidentin Meta dhe Opozitën . Por, nuk kanë thënë akoma asnjë fjalë dhe nuk e kanë hapur gojën pas llavës, që u derdh në gojët e tyre nga BE dhe SHBA.

Mjeranët, nuk kishin nga ta dinin se SPAK do të fillonte pikërisht nga Vangjushi, bankomati i kryeministrit. Por, edhe faj nuk kanë, sepse siguria me të cilën çirrej dhe përbetohej publikisht perëndia e tyre, i ngrefosi dhe u dha kurajën e duhur për të lëshuar ato idiotësira në mes të miletit.

Në siklet është vënë dhe shtypi që mbështeti skenarin idiot të kryeministrit, i cili nuk po kupton më asgjë. Po ashtu, portalet afër qeverisë, që nuk reshtën së paralajmëruari frikën e Opozitës dhe presidentit nga Reforma në Drejtësi, janë bërë qesharakë dhe të pabesueshëm në sytë e shqiptarëve.

Një muaj e gjysëm më pas gjithçka po bëhet më e qartë. Deklaratat e tyre, ashtu sikundër deklaratat e kryeministrit, i detyrohen publikut një përgjigje ose një reagim. Të gjithë e kanë kuptuar mashtrimin e madh të kryeministrit, i cili bëri gabimin fatal të futjes në një palë zgjedhje pa opozitën, vetëm për të mbuluar skandalin e përgjimeve.

Ai i detyrohet një shpjegim shqiptarëve. Shantazhe të tilla publike si dhe aventura të tilla janë shumë të rrezikshme për vendin, sidomos kur bëhen nga një çetë e papërgjegjshme , që mision ka vetëm pushtetin. Heshtja në raste të tilla vetëm e diskretiton më shumë kryeministrin dhe tellallët e tij publikë, dhe zbulon që shantazhi kundër Opozitës dhe Presidentit ishte thjesht një taktikë për të zhvendosur vëmendjen nga përgjimet. Por me ç’duket ata harrojnë se e vërteta e përgjimeve, ulëret më shumë se çdo taktikë dhe shantazh.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular