Një helikopter është rrëzuar në det në shtetin fqinj, Greqi, ku si pasojë e aksidentit ajror humbën jetën të gjitha personat që ndodheshin në bord.
Sipas mediave greke, në helikopter ndodhej piloti grek dhe dy turistë rus, të cilët humbën jetën në aksidentin e ndodhur në zonën detare mes Poros dhe Galata.
Gjithashtu në të gjitha rrjetet dhe mediat janë bërë publike pamjet e momentit të rrëzimit të helikopterit në ujë.
Në video shihet qartë tymi që del nga motori i helikopterit dhe më pas rrëzohet në det. Një dëshmitar ka thënë se pasi u ngrit në fluturim, u dëgjua një shpërthim dhe filloi të dilte tym. Mesa duket piloti tentoi ta kthente sërish helikopterin në pistë dhe në atë moment goditi kabllot e korrentit, duke u rrëzuar në det.
Sipas disa informacioneve të tjera të shtypit grek, helikopteri tentoi të kalonte poshtë telave të energjisë, por pa sukses. Pas aksidentit ajror, në ishullin Poros u raportua për shkëputje të energjisë elektrike.
Ndërsa u raportua se trupat e viktimave janë nxjerrë nga deti dy orë pas aksidentit dhe se helikopteri po fluturonte nga Galata drejt aeroportit ndërkombëtar të Athinës.