Bajerni i Mynihut ka bërë menjëherë “autokritikë” në sfidën e dytë të Bundesligës, duke thyer Shalken në transfertë me rezultatin e pastër 3-0. Ka qenë një ndeshje e vulosur nga Robert Levandovski, autor i një tregolëshi që nënshtron “Veltins Arenën” dhe e vë Bajernin në ndjekje të Borusias së Dortmundit, Fajburgut dhe Bajer Leverkusenit, ekipet që kanë pikë të plota në këtë fillim kampionati.
Sulmuesi polak do të çelte rezultatin në minutën e 20-të, kur do të ekzekutojë saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Më pas në pjesën e dytë do të shënojë dhe dy gola të tjerë, fillimisht në minutën e 50-të, kur realizon në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi dhe në të 75-ën, kur lëviz bukur në hyrje të zonës dhe me të djathtën thyen për herë të tretë Nubelin. Bajerni shkon në 4 pikë pas dy ndeshjesh, pasi barazoi në sfidën e parë me 2-2 me Hertën e Berlinit.