Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, ka reaguar pas deklaratave të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u shpreh se nuk është marrë me trafiqe dhe as me krime.
Në fakt PD ka publikuar dokumente të drejtësisë greke, sipas të cilave Kajmaku me emrin tjetër që ka përdorur në Greqi, Jorgo Toro, ka një çështje të hapur me drejtësinë e vendit fqinj për fallsifikim monedhash.
Paloka në reagimin e tij në rrjet shkruan se Edi Rama pas disa ditësh do të dalë dhe do të deklarojë se Agim kajmaku nuk ka më punë me PS, sikundër ka bërë me të gjithë të tjerët.
Por nënkryetari demokrat shprehet se është Rama që i ka zgjedhur me vetëdije të plotë dhe me kujdes personat me precedentë kriminalë, pavarësisht se ata s’kanë pasur asnjë lidhje me PS.
Reagimi i Edi Palokës
PD i nxjerr faktet se ka qenë i arrestuar për fallsifikim parash, i është arratisur drejtësisë dhe nuk e ka paraqitur këtë në formularin e dekriminalizimit siç e kërkon ligji, Kajmaku i Rames “përgënjeshtron” duke deklaruar se nuk është marrë me trafiqe…
Eshte e njëjta rutinë deklaratash e bërë më se bajate që nga i inkriminuari i parë “i kapur” nga PD në rrjeten e ligjit të Dekriminalizimit.
Deri tani janë rreth 300 nga deputetë, kryebashkiakë e drejtues të niveleve të ndryshme në administratë, të gjithë të përzgjedhur nga Rama. Vrasje, përdhunime, trafik droge, prostitucion, fallsifikime…këto jane cv e “elitës” së Ramës, ajkës “rilindase”.
Pas pak ditësh pritet të dalë Rama e të deklaroje se dhe Kajmaku nuk ka më pune me PS…sic ka bërë me gjithe të tjerët. Në fakt asnjë prej tyre nuk ka patur kurrë lidhje as me PS!
Po sidoqoftë, nuk është “faji” i tyre ! Nuk janë ata që i afrohen Ramës me dredhi “duke i fshehur të vërtetën”, siç përpiqet të mashtrojë trashë dhe për të treqintën herë Rama. Është Rama që i ka zgjedhur me kujdes dhe me vetëdije të plotë.
Tanimë dhe më i humburi e ka kuptuar se kjo është strategji e Ramës për të marrë e mbajtur pushtetin nëpërmjet krimit. Jo rastësisht këta “tipat” “zbulohen” sidomos në zonat e njohura si bastione demokratësh, por jo vetëm.
Krimi ka sot padrinon e tij tek Rama dhe vetëm largimi i tij do shpëtojë vendin nga rrokullisja ku po e çon kjo lidhje Krim-Ramë-Oligarkë.