Kur Antoneta Sevdari u shkarkua nga Kolegji i Posacëm i Apelimit, kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku nxitoi të shpallte thirrjen për plotësimin e vendit vakant, të krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Asokohe gruaja që drejton përkohësisht institucionin qendror të akuzës, nuk priti as vendimin e Këshillit, i cili duhet te deklaronte mbarimin e mandatit të anëtares Sevdari. Për rastin e Gentian Osmanit, gjërat kanë ndryshuar krejtësisht. Ish-prokurori Osmani, i cili u zgjodh anëtar i Këshillit, u shkarkua nga detyra me vendim të shkallës së dytë të vettingut. Gongu për të ra paraditen e 31 korrikut. Brenda 24 orëve, qeveria e prokurorëve shpalli mbarimin e mandatit dhe informoi kryeprokuroren, e cila sipas ligjit hap garën dhe fton prokurorët për të kandiduar për vendin vakant.
Por ndonëse kanë kaluar 28 ditë nga nga largimi i Osmanit, Arta Marku ende se ka shpallur thirrjen. Në ligj nuk parashikohet afat brenda të cilit duhet të veprojë kryeprokurorja e përkoshme, por nisur nga dy rastet, Sevdari dhe Osmani, rezulton se Arta Marku po sillet me dy standarte. News24 kontaktoi me telefon me Matilda Terpollarin, këshilltare për media në institucionin qendror të akuzës, e cila tha se shpallja e thirrjes do të bëhet në shtator, pasi prokurorët të jenë kthyer nga pushimet vjetore, me qëllim që të kenë mundësi njoftimi.
Në këtë mënyrë, ajo u përpoq të justifikonte vonesën për plotësimin e vendit vakant në këshill. Por ky justifikim nuk mbështetet nga ligji, në asnjë rresht të të cilit nuk parashikohet një gjë e tillë. Nisur nga rasti Sevdari kur Arta Marku veproi me urgjencë, në rastin e dytë për arsye ende të paqarta, ende s’ka ndërmarrë hapat ligjore, për ta plotësuar me 11 anëtarë këshillin. Qeveria e prokurorëve që pas largimit të Osmanit funksionon me 10 anëtarë. Balancat në këtë institucion, mes anëtarëve që vijnë nga jashtë sistemit dhe anëtarët prokurorë janë shumë të rëndësishmne, për sa kohë që pritet të bëhet renditja e katër kandidatëve për prokuror të përgjithshëm me mandat kushtetues. Për momentin balancat janë cënuar, për sa kohë që numri i anëtarëve joprokurorë dhe prokurorë është i barabartë dhe nëse ndahen 5 me 5 edhe në vendimmarje, atëherë përcaktuese është vota e kryetarit Genti Ibrahimi.
Në kohën kur gara për postin e kryeprokurorit është në kulmin e saj, pyetja që shtrohet është: A e ndihmon kjo situatë në këshill Arta Markun.