Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasdites e sotme kryesinë e Partisë Socialiste, për të diskutuar për situatën e krijuar në Shkodër, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, i cili rezultonte të ishte i dënuar në Itali.
Në mbledhjen e kryesisë pritet që PS të mandatojë një grup pune për situatën në Shkodër dhe për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për bashkinë e këtij qyteti, që do të zëvendësojë Pjetrin.
Katër emra janë propozuar për zëvendësimin e tij.
Në takimin që Rama po zhvillon me drejtuesit rajonal të Shkodrës janë propozuar Senida Mesi, Megi Ajtyresa, Astrit Beci dhe Zef Çuni.
Një ditë më parë, gjatë vizitës në Lezhë, kryeministri dhe kryesocialisti Rama ishte mjaft i ashpër për gjendjen në Shkodër, ku sërish kandidatët e tij dolën me probleme me ligjin.
Ai paralajmëroi se, të gjithë kryetarët dhe drejtorët e Rilindjes duhet të bëjnë shumë kujdes, pasi nëse rezultojnë të dënuar do të largohen nga partia.