Në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka propozuar Presidentit të Republikës vlerësimin me tituj nderi “Për merita të veçanta civile” të personave të përfshirë në trajtimin njerëzor të viktimave të para të kampit të Tepelenës, Fadil dhe Xhuma Petrela, histori zhdukjeje dhe solidariteti e shtrirë në kohë, nga viti 1949 deri në 1993, ku triumfon dinjiteti i njerëzve të thjeshtë.
Në vijim të ceremonisë protokollare shfaqet filmi “Të zhdukurit”, i mbështetur në dëshmi dhe dokumente arkivore mbi të zhdukurit në komunizëm, si bashkëpunim i AIDSSH me Kujto.al, që hedh dritë në të shkuarën dhe kthen vëmendjen në kauzën e mbi 6 000 të personave që ende sot nuk u gjenden eshtrat.
Ceremonia zhvillohet në vazhdën e propozimeve të mëhershme të Autoritetit, ku Presidenti i Republikës ka nderuar dinjitetin njerëzor të personave që u përballën pa bujë me sistemin, duke trajtuar njerëzisht familjarët e tyre të zhdukur, më 23 gusht 2018 në kampin e Tepelenës dhe më 25 shkurt 2019, për zbulimin dhe zhvarrimin e 22 intelektualëve të ekzekutuar pa gjyq për “bombën” në legatën sovjetike.
I krijuar në frymën e Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (2006), sot, 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet nga çlirimi i vendit dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, AIDSSH e zhvillon veprimtarinë e vet në respekt të vlerave europiane e properëndimore, me qasje strategjike që ka në themel të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e tij, lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit dhe shtetin e së drejtës.
Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Autoritetit që për vitin 2019, e shprehur kjo në Rezolutën përkatëse, midis të tjerave, të përmirësojë punën në drejtim edhe të “vijimit të procesit të informimit, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve te komunizmit, përmes aktiviteteve, botimeve dhe në veçanti, pjesëmarrjes në media dhe rrjete sociale, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që ato luajnë në drejtim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik”.
Njëherazi në dispozitat e ligjit 45/2015, me qëllim rishqyrtimin historik të ish-Sigurimit të Shtetit dhe edukimit qytetar, Autoriteti mbledh, përpunon përdor, vendos në dispozicion dhe informon mbi dokumente të administruara nga ish-Sigurimi i Shtetit, duke hedhur dritë mbi faktet e vërteta të ndodhura gjatë regjimit diktatorial, duke inkurajuar dialog shoqëror pa komplekse për diktaturën, në emër të së vërtetës, pajtimit, lirisë dhe demokracisë.
Në mbështetje të informimit të publikut është zhvilluar projekti “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”, nëpërmjet ekspozimit të dokumenteve arkivore autentike, si materiale mirëfilli të përgatitura nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëbisedime të hapura mbi përndjekjen, demokracinë dhe qasjen tek e vërteta, në Lushnjë, Belsh e Tepelenë. Një strategji gjithëpërfshirëse komunikimi që është fokusuar te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë dhe e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH deri më sot.
Përkujtimi, në përgjithësi ka pasur synim ekspozimin e materialit arkivor të disponuar, në formë digjitale dhe të përpunuar sipas ligjit të të dhënave personale, me pjesëmarrje aktive të historianëve të fushës dhe periudhës, duke bërë bashkë sa më shumë grupe të shoqërisë, përfshirë rininë.
Sa i takon kauzës së të zhdukurve, në dokumentin e Komisionit Europian të datës 17.04.2018, “Albania 2018 Report”, prioriteti i pestë, Të Drejtat e Njeriut, faqe 26, ka një rekomandim për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që thotë: “Sa i përket të drejtës për jetën, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pas krijimit të tij në qershor të vitit 2017, miratoi një strategji. Pas një vizite në vend në dhjetor të vitit 2016, Grupi i Punës i OKB-së për personat e zhdukur në mënyrë të detyruar apo vullnetare (WGEID) la disa rekomandime për Shqipërinë, për të trajtuar krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Për shembull, WGEID rekomandoi që Shqipëria të njohë zhdukjet e detyruara të së kaluarës dhe të garantojë mospërsëritjen e tyre, duke gjetur një sistem të përshtatshëm. Gjithashtu, kërkoi krijimin e një sistemi që ka qasje gjithëpërfshirëse, në vend të masave të copëzuara, për të shuar gjithë paragjykimet që rezultojnë nga represioni i kaluar politik. Numri i njerëzve që janë rrëmbyer ose burgosur fshehurazi gjatë diktaturës mbetet i panjohur, por vlerësohet të jenë rreth 6 000 persona të zhdukur”.
Duke u bazuar në detyrat funksionale që i ngarkon ligji 45/2015, AIDSSH është angazhuar aktivisht dhe ka bashkëpunuar me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe institucionet e tjera publike në vend për personat e humbur, Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe vijon të japë kontributin e vet konkret në sigurimin e informacionit dokumentar të lidhur me ta, po ashtu, në ngritjen e çështjes dhe lobimin me institucione publike e ndërkombëtare për avancim të kërkimeve.
AIDSSH ka bashkëpunuar me Prokurorinë për fillimin e procedurës së gjetjes dhe identifikimit të vendvarrimeve të personave të zhdukur në diktaturë, si dhe me qeverisjen lokale, duke paraqitur propozime konkrete për vendet e kujtesës. AIDSSH ka bërë kërkesë pranë Ministrisë përgjegjëse për përfshirje në projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” të një pike ku të përfshihen si vende kujtese dhe vetëdijësimi, vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste. Konkretisht, nismat për kthimin në vend kujtese: të Kampit të Tepelenës (1949-1951), bazuar në Urdhrin nr. 45, datë 6. 6. 2017 për “Ngritjen e grupit të punës për kërkimin e dokumentacionit arkivor për Kampin e Tepelenës dhe krijimin e një memoriali për përkujtimin e datës 30 gusht si Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve”. -dhe të Mënikut (në Pezë), ku u zhvarrosën eshtrat e 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq më 26 shkurt 1951, vendvarrim masiv i shumë të dënuarve nga diktatura, bazuar në propozimin e Autoritetit për këshillin bashkiak të Tiranës, për kthimin në vend të ndërgjegjes.
Në të dy rastet dhe në të tjera që institucioni po trajton, është ndërtuar partneritet me institucionet publike, qendrore dhe lokale, shoqërinë civile dhe familjarët, për ta kthyer vëmendjen te çështja e të zhdukurve dhe e drejta njerëzore për të vërtetën. Më 4 qershor 2018, Komiteti i ekspertëve të OKB-së miratoi dhe publikoi vërejtjet përmbyllëse, pasi shqyrtoi Raportin e Shqipërisë mbi zbatimin e Konventës së OKB-së “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga Zhdukjet me Forcë”, ku vendi ka aderuar që në vitin 2007 dhe është angazhuar në përmirësimin e kuadrit ligjor për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë zhdukjet me forcë. Në raportimin në Gjenevë u ftua të merrte pjesë AIDSSH, mes institucioneve të tjera të pranishme publike.
Zhdukjet me Forcë u parashikuan si vepër penale me ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në vitin 2013. Gjatë raportimit u evidentua se janë ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me Konventën, dhe përfaqësuesit e institucioneve informuan mbi masat e ndërmarra për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të personave të privuar nga liria, të drejtën e viktimës për të njohur të vërtetën, pasojat e zhdukjes me forcë, sigurimin e drejtësisë, hetimin e rasteve dhe sjelljen e shkelësve para drejtësisë, mjetet efektive, kompensimin dhe ruajtjen e memories historike për zhdukjet me forcë të ndodhura gjatë periudhës së komunizmit.
Historikisht, Shqipëria ka pësuar shumë nga ky krim, ku gjatë regjimit komunist një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë ekzekutuar, ndërsa të tjerët u zhdukën në rrethana të panjohura. Ndaj, Shqipëria ka ndërmarrë masa konkrete me hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në funksion të të cilit, më 30 gusht 2018, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, është bërë prezantimi bashkërisht me ICMP-në i dy aplikacioneve online që do të ndihmojnë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Aplikacionet i ndihmojnë familjarët e personave të zhdukur të raportojnë rastet, si dhe të marrin informacion në lidhje me statusin e rasteve individuale të personave të zhdukur. Treguesi i vendvarrezave iu mundëson përdoruesve që në mënyrë anonime të japin informacion mbi vendndodhjen e varrezave ku mund të gjenden mbetjet njerëzore të personave të zhdukur. Aplikacionet janë publikuar dhe vendosur në faqen zyrtare në AIDSSH-së, për të gjithë të interesuarit. Deri tani, në adresë të AIDSSH-së janë paraqitur 57 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të zhdukurve. Rezulton se 35 kërkesa janë përfunduar me vendimmarrje të Autoritetit dhe janë në proces verifikimi 22 kërkesa.
I gjithë kuadri i mësipërm ligjor dhe veprimtaria e deritanishme e AIDSSH-së është në funksion të mbajtjes gjallë të kujtesës mbi të shkuarën, sepse “nuk mund të ketë të vërtetë pa përkujtimin”, që e shkuara të mos përsëritet dhe shoqëria të ushtrojë të drejtën e vet për t’u njohur me të vërtetën. Në këtë vazhdë, AIDSSH po përgatit një ekspozitë me të dhëna mbi të personat e humbur dhe zhdukur me forcë, vendvarrimet e raportuara deri më sot dhe profile të zhdukurish, në bashkëpunim me partnerë, ekspozitë që do t’i prezantohet publikut gjatë muajit shtator.