BallinaOP EDPse Shqipërisë i duhet sistemi proporcional me lista të hapura? 

Pse Shqipërisë i duhet sistemi proporcional me lista të hapura? 

spot_img
spot_img
Nga Bekim Bruka
Rajonal apo kombëtar, ky sistem zgjedhor mund të quhet më efikasi në përfaqësimin e drejtë të vullnetit popullor në organet ligjvënëse. Shqipëria në 28 vite pluralizëm politik ka eksperimentuar dhe provuar me zgjedhjet si një vend në tranzicion, por që ka dështuar të zgjedhë sistemin e duhur për vite me rradhë.
Sistemet zgjedhore ndahen në dy kategori të mëdha: mazhoritar dhe proporcional, të cilat kanë nënkategoritë e tyre. Mazhoritari nënkupton krijimin e zonave zgjedhore një-emërore dhe zgjedhjen e deputetëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra votuesi i X zone në fletë voton për emrin e kandidatit dhe jo partinë. Shqipëria deri në vitin 2005 ka aplikuar sistemin e përzier me 140 deputetë, ku 100 zgjidheshin në zonat përkatëse sipas sistemit mazhoritar, ndërsa 40 të tjerët nëpërmjet listës shumë-emërore sipas sistemit proporcional. Britania e Madhe është shembulli konkret i sistemit mazhoritar, ku vendi ndahet në 650 zona zgjedhore nga ku dalin 650 deputetë. Ky sistem penalizon partitë e vogla, ku për shembull në Parlamentaret e vitit 2017 UKIP( United Kingdom Independence Party) fitoi 12.6% të votave në rang kombëtar duke dalë forcë e tretë për nga numri i votuesve, por fitoi vetëm një mandat deputeti, pra 0.001% të vendeve në Parlament. Ndërsa Liberal-Demokratët fituan 8 mandate me vetëm 7% të votave. Shtetet e Bashkuara gjithashtu e zgjedhin Kongresin në zgjedhjet e ndërmjetme me të njejten mënyrë.
Zgjedhjet e vitit 2001 në Shqipëri po ashtu kanë qenë ato që treguan defektin e sistemit mazhoritar për vendin tonë. Ndonëse me dy raunde, të parin dhe balotazhin, Partia Demokratike e Shqipërisë me 37% të votave fitoi 25 deputetë në 100 zona, kurse Partia Socialiste me 41% arriti të fitonte 73 deputetë. Pra ky sistem në rradhë të parë nuk e transferon vullnetin e popullit në Parlament në përpjestim me numrin e votave, pasi për tu zgjedhur mjafton të marrësh shumicën në një zonë caktuar, dhe fitorja me 51% barazpeshohet me atë me 80% ne një zonë tjetër duke u përkthyer në një mandat deputeti. Shpesh ky sistem ka rënë pre e asaj që njihet si “gerrymandering.”
Sistemi i tanishëm i Shqipërisë quhet proporcional me lista të mbyllura. I vendosur në bazë të një marrëveshjeje të dikurshëm PD-PS, është nga më të kontestuarat vendime të demokracisë. Vite më parë një gazetar nga Kosova e quante si mënyrën ku populli zgjedh të “pafytyrët”, sepse në fletë figuron vetëm emri i partisë dhe jo i kandidatit, dhe për t’u bërë deputet e rëndësishme është jo numri i votave që individi merr, por rënditja e tij në listë. Pra i gjithë pushteti, vendosja në listë, zgjedhja dhe më pas heqja nga lista nuk varet nga procesi demokratik brenda partive politike por nga vendimet e kryetarëve të partive.
Duke parë disavantazhet e dy sistemeve të sipërpërmendura, që kanë sjellë jo pak probleme për Shqipërinë, sistemi proporcional me lista të hapura si ai i Kosovës, ku pavarësisht partisë rëndëdi merr kandidati, dhe nuk është e nevojshme rënditja para numrit të votave, ose edhe rajonal, në rradhë të parë zgjidh dhe qartëson disa probleme të politikës aktuale shqiptare:
E para me këtë sistem, sidomos atë kombëtar, ç’rrënjoset ideja e gabuar e shqiptarëve se deputeti i takon zonës dhe ka për detyrë ofrimin e shërbimeve që i takojnë në fakt pushtetit vendor. Deputeti është ligjvënës, dhe e parashikuar sipas Kushtetutës së Republikës është i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë, dhe një deputet i zgjedhur në Qarkun e Kukësit mban përgjegjësi edhe për ligjet që veprojnë në atë të Vlorës. Pra deputeti nuk është i zonave, por i gjithë vendit. Ai harton, miraton dhe propozon ligje që veprojnë në rrafsh shtetëror. Zonave dhe lokaliteteve i takon Kryebashkiaku, Kryetari i Qarkut, administratori i zonës, anëtari i Këshillit Bashkiak etj.
E dyta me këtë sistem ulet mundësia e blerjes së votave në mënyrë të ndjeshme, pasi dhe nëse një kandidat i caktuar blen 10 mijë vota në një zonë të caktuar, e ka të vështirë zgjedhjen deputet, pasi raporti kësaj rradhe merret me numrin e votuesve në të gjithë Shqipërinë. Është e vështirë për gjithkënd që të “blejë” gjithë Shqipërinë, për të mos thënë e pamundur.
E treta dhe më kryesorja, i kthen Parlamentin popullit dhe intelektualëve. Më i votuari, i fituari është parimi. Kush ofron alternative për qeverisje, ide, vizion dhe aksion në politikën e vendit ka më shumë mundësi për t’u zgjedhur sesa një “kapedan” zone që ka dy a tre njohje në këtë e atë lagje. Një sistem i tillë është filtër ndalues për kriminelët, të pashkollët dhe të papërgatiturit që të futen në Parlament. Është filtër për militantizmin politik dhe servilizmin ndaj kryetarëve. Çdokush tregon vlerën e tij. Ndaj ky sistem është zgjidhja e duhur e ngërçit politik të krijuar prej vitesh në Shqipëri, ku debati më shumë është personal sesa profesional e ideologjik.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular