Një produkt shkencor që mund të konsiderohet si kontribut i vyer i tij në historinë e folkloristikës shqiptare. Studim skurpuloz për një nga thesaret e kulturës sonë popullore
Studjuesi i mirënjohur Ramazan Kica, i cili me botimet e tij të fundit për origjinën dhe luftrat e Skënderbeut, si dhe me romanin në proces “Lulja”, prezantohet si mjeshtër i fjalës artistike, kësaj radhe sjell për botim në “startnews.al”, një studim skurpuloz për një nga thesaret e kulturës sonë popullore. Bëhet fjalë për këngën – lengjendë “BULQIZAKE”, e cila sivjet “feston 100 -vjetorin. Risi e këtij studimi është interpretimi shkencor i gërshetimeve të gegnishtes dhe toskërishtes, në këtë këngë që hyn në fondin e artë të kulturës sonë kombëtare shqiptare.
Ndonëse në pak radhë, studjuesi Kica sjell një produkt shkencor që mund të jetë i dobishëm për punën shkencore të kolegëve të tij, studjues të fushave gjuhësore, etnokulturore dhe letrare në përgjithësi. Po ashtu mund të konsiderohet si kontribut i vyer i tij në historinë e folkloristikës shqiptare.
Më poshtë po botojmë studimin e z.Kica si dhe tekstin e këngës në origjinal.
Halil RAMA
Sintaksa e këngës “BULQIZAKE”
Nga Ramazan KICA
Kënga “Bulqizake”, një këngë që sivjet ‘feston’ 100 vjetorin. Pas një pune në terren dhe konsultimesh me specialistë dhe të moshuar të zonës së Bulqizës, arrita të mbledh, të plotë, tekstin e saj (besoj që është hera e parë që po mblidhet, i plotë, ky tekst). Kjo këngë, kaq e bukur, e ëmbël dhe e dashur, mjerisht është lënë pas dore.
Pak histori
Kjo këngë është krijuar rreth viteve 1917-1919. Një djalë vjen me biçikletë nga qyteti i Dibrës në luginën e Bulqizës, nëpër rrugën e vjetër, “Rruga e Vramit”, që kalon në anën e shullanit. Rreth gjysëm kilometri pa arritur në Qafë të Dragunit (nga Ura e Qitetit), sheh një vajzë. Kjo ishte Dava, e bija e Abazit (më e vogla e fëmijëve, e lindur afër ndërrimit të shekullit XIX me të XX). Dy të rinjtë u dashuruan me shikim të parë. Djali u tut nga fakti i të qenurit në një vend të huaj dhe të pa njohur dhe mbeti si i ngrirë. Vajza duke kuptuar gjendjen e tij, i foli:
– Or bari.
– O ja, – ia ktheu djali.
– Tuj shetit gjithanej, a ma pe tufën teme me dhen…
Dy të rinjtë i dhanë fjalën njëri tjetrit.
Djali, u kthye. Fluturoi në Dibër dhe bëri këngën… Por fati i tyre ishte vulosur ndryshe…
Sqarime për tekstin
1 – Kënga është në gegënisht, ndaj jam munduar t’i përmbahem.
2 – Ku mungon grafema “ë”, kam vënë apostrof (‘), sipas parimit të përgjithshëm.
3 – Disa fjalë janë përdorur pa grafemën “d”, si përshembull, “ven”, për “vend”. Unë e kam vendosur “d” në kllapa, – “ven(d)”.
4 – Në gegnisht, grafemat “ue”, prgjithësisht lexohen “u” (p sh: “tue shkue” – tingëllohet “tu shku”). Për ta thjeshtuar çështjen (grafemën “e”, kur është pas grafemës “u”), e kam futur në kllapa, si psh, du(e), gru(e), etj (e kam bërë këtë specifikim, sepse, siç do shohim më poshtë, rregulli i gegnishtes, “ue” për “u”, nuk është i prerë, taksativ).
5 – “Plot kunora”, ka kuptimin “trup mbushur”. Kunora – martesa, bashkëshorti (ose bashkëshortja), bëhet grua, i vihet kurora (martesa, në kuptmin si për vajzën dhe dhe për djalin).
6 – Fjalën “flutro”, për “fluturo”, e kam shkruar “flut(u)ro”.
7 – Fjala “kërke”, ka kuptimin “kërkënd – askënd”.
8 – Togfjalëshi “merre zemrën ma këpute”, do të thotë, “merrma zemrën, këpute, shkule”.
9 – Gjuha e zonës së Bulqizës është gegnisht, por ka dhe disa elemente të toskërishtes, si p sh, “na” (si “trajtë e shkurtër” gegnisht), përdoret dhe në formën “ne” (si standardi toskërisht).
10 – Në shumë raste tingulli “ë” është afër tingullit “e”, si “bareshe” në vend të “bareshë”.
11 – Gjuha e përdorur në tekst është gjuha e zonë së Bulqizëe, duke iu afruar shkodrançes, për vetë faktin që në kohën e shkrimit të saj, standardi gjuhësor i shqipes ishte shkodranishtja.
12 – Pé (“a ma pé ti në kullotë”), është shkruar sipas dialektit të zonës së Bulqizës, “pé” – “shikove”, ta zunë sytë (“a ma pé ti në kullotë tufën me dhen – a ta zunë sytë në kullotë tufën time me dhen”).
Këtu do të zgjatem pak.
Folja “shoh” është baza nga vjen dhe emri “sy” (Sipas normave të gjuhësisë, veprimi është parësor në krahasim me emrin e vepruesit). Në dialektin e Bulqizës, syri quhet “sé” (shumës “sét” – “t’mbetën sét m’ta”, t’plaçin dy sét”, etj). Por theksojmë që “sé” mund të përdoret dhe në shumës (“sa sé t’bukur që kishte”, “kishte di sé si rrezet e hanës”, “i kishte ato sé si rrezet e diellit”, etj).
[Paraprakisht do bëj një sqarim: Kur një “fjalë rrënjë” krijon të tjera, si emër, folje, mbiemër, ndajfolje, etj, vendosen bashtingëllore mbi rrënjën, por zanorja e saj nuk preket. Përshembull: është i bukur, sepse ka bukë brenda. Pra, “i bukur” del nga” buk”, zanorja “u” nuk preket].
Vazhdojmë me dy fjalët e dialektit të Bulqizës, “pé” (shikove) dhe “sé” (sy). Siç thamë, (veprimi është parësor në krahasim me emrin e vepruesit), nga “pé” (folje, veprim) kemi përfituar dhe “sé” (emër vepruesi), duke mos prekur zanoren “é” (vendosen bashtingëllore mbi rrënjën, por zanorja e saj nuk preket). Në gjuhën e origjinalit homerik, sy-ri quhet “o-se” (të dhënat e origjinalit homerik i kam marrë nga Arisidh P. Kola, në “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, sh. b. 55, Tiranë 2002, f. 171). Pra, shohim që “pé” dhe “sé” e dialektit të Bulqizës, janë të tilla të dokumentuara që para 3 mijë vjetësh. Duke qenë se emri “sé” na vjen nga gjeneza, ai ruan forcën e pa prekur të burimit, si për njejës dhe për shumës, pas shekujsh e shekujsh.
Sipas një mitologjie gojore të zonës së Bulqizës, Hana asht nji sé që zoti e ka lanë jashtë (pa fjet) natën, për të pa (Hëna është një sy që zoti e ka lanë jashtë (pa fjetur) natën, për të parë). Pra Hëna është “sé i lan”, apo “sé i lënë”. Po në gjuhën e Homerit, në jonisht, hëna quhet “selan” dhe “selen” (pra dhe këtu, kemi një lidhje logjke përforcuese).
13 – Pae (“ku m’ke pae”), është shkruar sipas standardit të kohës. Dialekti i zonës përdor formën “pá” – “ku m’ke pá”), që është mes dy dialekteve, duke anuar nga toskërishtja. Dhe këtu sjellim që në gjuhën homerike, e kryer e thjeshtë (e foljes “shoh”) është “o-pa”, ndërsa e kryer “opo-pa” (gjithmonë, të dhënat e origjinalit homerik i kam marrë nga Arisidh P. Kola, po aty). Pra shohim që dhe e kryer e “shoh”, e dialektit të Bulqizës (“pá” – “ku m’ke pá”) është afër homerishtes.
14 – Fjalën “tujat”, për “tuajat”, e kam shkruar në formën “tu(a)jat”.
15 – Fjalën “qish”, për “qysh”, e kam shkruar në formën “qish”, siç e përdor edhe sot populli (që është më afër toskërishtes).
16 – Fjalën “deshtë”, për “dashur” (të kam deshtë), e kam shkruar në formën “deshtë”, siç e përdor edhe sot populli.
17 – Fjalët “thue”, “mue”, etj (pra kemi “e”, pas “u”, që lexohet), lexohen siç shkruhen. Sqaroj që rregullat e gjuhës standarde gegnisht, thonë që grafemat “ue”, lexohen “u”, por, mund të lexohen dhe “ue” (mbi “rregullat e gjuhës standarde gegnisht”, të interesuarit mund të shohin “Fjalor themelor i gjuhës shqipe”, nga Pavli Qesku, në bashkëpunim me Zef Simonin, Tiranë 2008, në nëntitullin “Ca udhëzime për shqiptimin e gegërishtes”, f. XI). Për këto fjalë (“thue”, “mue”, etj), autori i tekstit të këngës i ka ndënjur standardit gjuhësor të kohës. Dialekti i zonës së Bulqizës i përdor në formën “thú”, “mú”, etj.
18 – “N’dash” (“n’dash për gru(e) m’kërko ke nana”). Pjesa “n’dash”, ka kuptimin “nëse don”, dhe është më afër kuptimit etimologjik, duke bartur pjesën “dash” brenda (dash – dashni, dashuri). – Togfjalshi “m’kërko ke nana”, është tipike e zonës, dhe shpreh çiltërsinë më të madhe të një vajze të drejtëpërdrejtë. Vajza e padjallëzuar, të clës jeta ende s’ia ka prekur brumin e natyrës, e shpreh të vërtetën që “nana ashtë ajo që vendos”. Ndërsa bota mashkullore, e shtyrë nga gallofizmi maskil, krenohet që “vendosim ne”. Vetë predikimi tregon të kundërtën.
19 – “Mos t’kan zanun krushq mileti”, do të thotë, “ndoshta far’ e fisi kanë hyrë si krushqi e të kanë gjetur burrin; të kanë fejuar, pa e ditur ti”.
20 – Po i mbyll këto sqarime me fronin zeusian në Olimpin e padjallëzisë, të çiltërsisë së vajzës bulqizake, “Un men(d)oj t’më m(b)ajsh për zemër sikur du(e)”. A mund të ketë gjë më të bardhë se kaq?! Të të mbaj i dashuri ashtu siç ta do zemra! Dëshirë që thuhet drejtpërdrejt dhe menjëherë, duke u shoqëruar me betimin e besnikërisë: “bulqizaken ke ma pas tamam për gru(e)”. O Zot!, sa e amël, sa e bukur dhe sa e padjallzume!
Teksti i këngës “Bulqizake”
– I –
– Or bari.
– O ho ja.
– Tuj shetitun mal e n’kodër ven(d) për ven(d),
a ma pé ti në kullotë tufën me dhen?
– Oj baresh’.
– O ho ja.
– Tufa jote po kullot atje n’lëndin’,
bashk’ me tu(a)jat i kam lan’ dhe vet’ bagtin’.
Bulqizake moj bareshë,
qish nj’at’ dit’ qi të kam deshtë.
– Hajt bre sherr ti ku m’ke pae,
mos mu sill se gjen belane.
– Bulqizake plot kunora,
guxim t’madh kam frik’ se mora.
– Guxim t’madh ti mir’ po thue,
por kam frik’ se loz me mue.
– II –
– Or bari.
– O ho ja.
– Po më duket se nuk je fort mir’ në men(d).
nji kto fjalë nuk mi ka than’ kërkush n’ket ven(d).
– Oj baresh’.
– O ho ja.
– Nuk flet goja por flet zemra të baj be,
ban me mu çka t’dush’ me ba qe ku më ke.
Faqe kuqe bulqizake,
un’ me ty kam zan’ marake.
– M(b)asi ti mi the të tana,
n’dash për gru(e) m’kërko ke nana.
– Un po shkoj por ndruj i shkreti
mos t’kan zanun krushq mileti.
– Hajt sokol flut(u)ro me fletë,
se k’to pun’ i dim’ ne vetë.
– III –
– Or bari.
– O ho ja.
– Un’ men(d)oj t’më m(b)ajsh për zemër sikur du(e),
bulqizaken ke ma pas tamam për gru(e).
– Oj baresh’.
– O ho ja.
– Kam me t’dasht sa nuk kam dash kërke n’dynja,
e pran(d)aj t’ja themi kangës ne me za.
= Bulqizake bulqizake,
te dy bashk’ na kem m’u plake.
= Na ban zemra rrake-take,
se kam marr’ un’ djalin hake.
= Bulqizake trego n’fushë,
me ata rruza rreth në gushë.
= Lule mali lule fushe,
merre zemrën ma këpute.
“Bulqizake” – Florinda dhe Ndrek Gjergji