Nga Albert Vataj
Shkodra e nostalgjisë dhe mallit, andjes së dëshirimeve dehëse, e vërshimit gjakues të etjes për dashuri ndodhej përtej një mundësie, 100 e ca kilometra larg dhe 39 gradëve përvëluese të gushtit.
– Shkodra!
– Shkodra!
– Hajde për Shkodër! – dëgjohej kumbimi i zërit të një burri të bëshëm në një kthinë të rrugës në ndarjen kufizuese të stacionit të mjeteve të transportit ndërqytetës, me destinacion Veriun.
– Shkodër, pyeta për konfirmim?
– Shkodër, hajde zotëri se ikëm, dhe më priu përnga i strukej kundravajtjes mjeti i tij tip Mercedes Benz.
Zura vend në të vetmen ndenjëse që ishte lirë dhe pas pak u nisëm. Makina që vërshoi ngadalë përpara la Tiranën e potershme në atë pasdite temperaturash ferri.
Ishta ora 17:21 minuta kur makina ndalo në stacionin e fundit para Hotel “Rozafa”, Shkodër, ku më priste miku im, skulptori, Ferid Kola.
Caku fillues i një vizite
Një takim me Ferid Kolën atë që ka ngjizur në shkëmb, allçi, bronx, alabastër, dru, beton, jetë të fikura në zgafellën e harrimit, i ka dhënë frymë nga fryma e tij e në këtë rijetësim, është një event, siç është i tillë çdo takim në këtë qytet, ku çdokush ka në duar dhe në shpirt një ushtë zjarri që ndez kujtesën dhe krenarinë me Shkodrën Loce.
Feridi, edhe pse i kisha bërë më dije, se do ta njoftoja kur të mbërrija dhe ku do të takoheshim, ai kishte ardhur më parë në cakun e pritjes, në barin e Hotel “Rozafa”. Bashkë me mirëseardhjen më dha dorën, njërën prej atyre duarve të tij të ashpra, si zgjatim i rrënjëve të një peme epike, atyre duarve të kishin vite që mbruanin baltën e krijimit me shpirtin e një pasioni dhe shpërblesën e një zelli për të ç’burgosur nga murosja ndërmendjen dhe krenarinë e hymnizuar në besim, që nga Mbreti Gent deri te Luigj Gurakuqi, që nga Skëndërbeu tek Prek Cali, At Daniel Dajani dhe At Xhovani Fausti, At Gjergj Fishtes, At Zef Pllumit, Aleksandër Moisiu te Tefa i madh i humorit… dhe tek një projekt ambicioz që zgjodhi ta ndante me mua, për të cilin po punonte, për Lek Dukagjinin.
Ai burrë me vite e përvojë rreflektonte një vitalitet të admirueshëm. Fliste me pasion për përvojat e tij zëfillëse në këtë qytet, kohën kur studion e tij të punës e kishte dhe strehë, sfidat me bashkëshorten e tij, Elsa për të krijuar dhe ndërtuar familje, për t’i marrë bekimin e asaj lirie orëgjatë e cfilitëse krijimi, me të cilën ai kishte lidhur jo vetëm pasionin, por edhe jetën në një qytet të huaj që iu bë më shumë se i tiji. Sepse falë mundësive dhe miqve, sfidave të gjithhershme e përpjekjeve të tij mosndaluese, ai kishte ndërtuar gurë e nga një gurë atë kështjellë qëndrese të dinjitetit të tij prej artisti. Biseduam për çfarëdo, dhe ishte nga të paktat herë që u magjepsa duke dëgjuar se si ai fliste me pathos për atë që kishim të përbashkët, artin dhe Shkodrën. Pati kaq shumë për të më thënë dhe i qesh përulësisht mirënjohës asaj që me kaq çiltërsi dhe përzemërsi ndau ai me mua.
Biseda mes nesh do të zgjatej ende, nëse nuk do të më vinte një SMS konfirmimi i mikes dhe poetes, Elida Rusta, me të cilën kishim lënë të takoheshim rreth një bashkëpunimi krijues. Kërkova izëm mikut tim, Ferdi Kola, dhe u përcollëm deri përballë shtatores së Luigj Gurakuqit, një prej kryeveprave të tij skulpturore, një prej atyre atyre mëtimeve krijuese dhe krenuese që shtatojnë hijeshuese në qendër të qytetit të Shkodrës. U falmeshnetëm dhe u ndamë.
Takim poetësh
Ah poezia, kjo dalldisëse prej frymimesh e përjetimesh, kjo marroke e urtësimeve të larta, na thërret më zë etern e na përkund në ëndje gjithfarëshe. Kësisoj po mendoja, ndërsa ashensori më ngrinte në taracën e barit të, “Chicago”, ku do të takohesha me poetën. “Elida Rusta me poezinë e saj nuk don me than, por don me t’ftue me ndi, me përjetu, njat qi i gurron n’krahnorin e vet, njat qi shpërthen n’gjoksin e tankujt qi don me ken za dhe zemër n’nji moment shpërthimi. Vargu i kësaj fryme trazon e përpush, njitet e zdryp, rrxohet e naltësive, gjen krahë me fluturu, ngucat e lajkaton, e… mbasi ka ladrue e t’ka përkund, t’kthen te njaj çast qi t’ban me u ndi tjetërqysh, t’ban me ken tjetërkush, t’ban me kqyr tjetërsi, e pse jo, t’fton me guxue me dasht, me dasht me ken ç’ka t’ban me ndi ajër, frym, pend, gjethe, prekje”, kam shkruar diku për të.
Ajo kishte zënë vend në këndin juglindor të asaj platforme ku shtrihej si një sofër gjigande nën qiellin dhe pamjen llamburitëse. Prej aty kishe si në pëllëmbë të dorës qendrën e qytetit, e cila në këtë orë muzgu gumëzhinte nga hareja e mbrëmjeve shkodrane, të cilat ende vërshonin stuhishëm në kujtesën e fanitur të venave dhe përjetimeve të mia.
U përshëndetëm si mes miqsh dhe poetësh, ashtu me përzemërsi shkodrane dhe një mistikes gjestesh kortezie. U rehatova përball saj dhe përnjëherë nxora nga çanta bllokun ku kisha hedhur disa shënime që kishin lidhje me librin e tretë të poetes. Biseduam si dy poetë, si dy miq, si dy vështrime e vëmendje të thella përfshirëse dhe shpirtëzuara poetike. Shtrihej ky komunikim në harenë paqtuese ku kridhej ajo kashore qyteti. Nuk mbeti ky takim pa na ngërthyer gjithashtu në labirintin e thashethemeve që natyrshëm marrin shkas në një botë të ububushme të popullatës së krijuesve. Vërtiteshim skajeve e bisedës me thelbësore poezinë, letërsinë, armatën e shkruesve, lexuesve dhe komentuesve në rrjetet sociale dhe sërish do të ktheheshim te “Edhe zogjtë gabojnë” përmbledhja e tretë poetike e Elida Rusta, në proces, që vinte pas ” Njëmijë vjet Ajkunë” dhe “Engjëjt nuk mbahen përdore”.
Ora kishte flakëruar më shpejt se hamendja ime kohore rrekej ta mbante në caqe programimi. Pikërisht atëherë u kujtova se duhet të sajoja diçka se ku do të kaloja natën.
Ulqinaku që jeton në Shkodër
“Nadja e mirë, mik dhe koleg i mirë”.
Ishte ky mesazhi që i dërgova gazetarit të Abc News dhe aktorit të teatrit “Migjeni”, Simon Shkreli.
Ai është një baba i përkushtuar i dy fëmijëve dhe një qytetar model i Shkodrës, asaj që iu bë një vendlindje e dytë dhe një mundësi për të dhënë më të mirën, si në karrierën e tij artistike, ashtu edhe në sfidën mediatike, ku puna e reporterit në një qytetit si Shkodra dhe në një kohë si e tashmja nuk është dhe aq komode. Ai ka lind në Amull të Ulqinit, siç thotë edhe vetë 3 ditë para se të ndodhte termeti famëkeq i vitit 1979. Amulli është një vend piktoresk që ndodhet në një trekëndësh interesant 2 km prej Lumi Buna, (1km) Liqeni i Shasit dhe 11km vi ajrore nga Deti Adriatik. Duhet nënvizuar fakti se Simoni është aktor që ka dalë nga gjenerata e parë e klasës së Ilire Vincës e që mbikqyrej nga aktori ynë i madh, Faruk Begolli. Deri tash ai ka mbi shpatulla një eksperiencë afro 20-vjeçare.
– “Mire se te pruni nadja”
– “Si ke njehe? – mu përgjigj ai.
– Nëse je për kafe unë ndodhem te Bar-Hotel “Princ” ku edhe kam bujtur mbrëmë, i shkrova, ndërkohë po bëhesha gati të dal.
Lash çelësin me numrin 101 të dhomës mbi banakun e hetelierit dhe dola. Ndërkohë miku im kishte ardhur dhe më priste në bar, së bashkë me djalin, një nga dy fëmijët e tij.
U falmeshnetëm si dy miq dhe koleg. Ishte një takim thjeshtë dëshirues për të biseduar për gjëra të vlerta që marrin udhë nejeve shkodrane. Biseduam për median, për peripecitë dhe emocionet që sjell gazetaria e terrenit. Folëm për tetarin “Migjeni”, një prej kombueseve më të zëshme të vazhdimësisë së traditës së “djepit të kulturës”. Simon Shkreki më foli gjithashtu për vendlindjen, origjinën, për atë copë të truallit amë që u shqyen mizorisht e padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit dhe Konferenca famëkeqe e Ambasadorëve në Londër më 1913. Më foli gjerësisht për Ulqinin, Sashin, Shkrelin, Hotin e Grudën, për disa hulumtime që ai po bënte në njohjen e gjenezës, rrënjëzimit të etnisë dhe tërësisë së komponentëve përbërës së asaj thirrje gjaku që i grish që nga dëshmimet ilire deri tek të vonat, për të cilat gjyshi dhe ati i kanë folur dhe lënë amanet.
Takimi i beftë me një mik të veçantë
Ndërsa lash qendrën e qyteti e pershkoj mes shumësisë së njerëzve që i ishin lëshuar veprimtarisë së çdoditshme, po shkoja për të takuar në Parrucë mikun tim të kahershëm, Surri Dervishi, përballë memorialit të Heronjve të “2 Prillit” takoj poetin David Boseta, një mik virtual, por mbi krejt, një poet, përfaqësues dinjitoz i vazhdimësisë së traditës shkodrane të artit dhe krijimtarisë, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare dhe autor i librit me poezi “Ti je dashuria…”. “Evropa” ishte një mundësi e mirë për kafe, një ngulm për bisedë, duke i shpëtuar kthetrave të këtij gushti cingërimës.
Ai sapo kthehej nga Biblioteka “Marin Barleti” ku kishte marrë dy numrat e të përkohshmes kulturore-artistike, “Gegnia”, vjetari i dytë i këtij botimi që mundësohej nga Bashkia Shkodër dhe “Marin Barleti”. Si anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve, David Boseta pati shumë për të më rrëfyer, për të mbushur atë hendek që ndarja me Shkodrën dhe me dinamikën e zhvillimit më kishin krijuar. Më foli me pasion për frymën premtuese të krijuesve, të botimeve dhe publikimeve të shumta dhe të vlerta që po e fusnin krijimtarinë shkodrane dhe letërsinë e kësaj begatie të kakohëshme në një erë premtuese dhe sfiduese. Folëm gjithashtu edhe për vështirësitë dhe klimën shpesh nxitëse drejt caqeve dhe limiteve si ndeshje me ndalimin, me atë që dukshëm ka shërbyer si indicei e zellit krijues për të sprovuar, për të guxuar përtej së mundshme, atje ku gjithnjë një pritje solemne ishte e rezurvuar dhe triumfaliste si shpërblesë. I fola për poezinë e tij të vlerësuar dhe konsideruar, për penën dhe pasionin për poezinë, për atë që ai ngulmon.
E falënderova për përzemërsinë dhe çiltërsinë e bisedës, për këtë takim poetësh dhe krijuesish, dëshiruesish, që Shkodra të jetë dhe të mbetet ashtu siç ka emrin dhe famën. I shpreha mirënjohje për librin me poezi që më dhuroi dhe njërin nga dy poeriodikët “Gegnia” dhe u ndamë.
Takim i nejshëm shokësh t’kahershëm
Në jetë ata që vijnë dhe ikin për të mos kthyer më kurrë, janë vitet dhe miqtë, por ka prej atyre miqve që bëhen pjesë e pandashme e jetës sonë, dhe ata janë zakonisht të njohjeve të vështira. E tillë ishte edhe njohja me Surri Dervishin, me të cilin na ndajnë vitet e moshës dhe predispozitat e profesioneve, por na bashkon veç shpirtit demokrat, ajo miqësi që u ngulit thellë në zemrat dhe familjet tona. Surrien e gjeta afër biznesit të tij në rrugën “Dervish Beg” bashkë me njërin nga tre djemt e tij. Në telefonatën e fundit që patëm me të për Bajram ma përsëriti ftesën për disatten herë, që të vija në Shkodër, të vija ashtu ngeshëm dhe të rrinim pa ngut, të bisedonim e të bënim pak humor. Si ai që nxiton të mos humb asnjë moment, sapo mbërrita dhe u falmeshëndeta me të e të birin me tha: Je për mish apo për peshk? Ishte i vendosur për të përfunduar diku për drekë, ndoshta edhe për shkak të orarit të drekës kur unë sosa tek ai.
-Ngadalë o mik, dvetemi një herë, si ke ken me shndete, nga familja, djemtë, zonja, mirë?
Qëndruam pak duke biseduar ndërkohë që djemtë përgatiteshin, njeri që do të ishte dhe shoferi dhe shoqëruese ynë dhe tjetri do të mbante dyqanin hapur.
Shkuam në një ambient, të qetë siç dëshironte Surriu, të bisedojmë lirshëm e të rrimë për qejf, natyrisht ku kishte qenë edhe më parë, diku në të dalë të Zusit. U bashkua me ne edhe bashkëshortja e tij, një mësuese me një karrierë të gjatë që priste vitin e fundit të mësuesisë, para daljes në pension. Ishte gjithçka perfekt, një drekë dhe një bisedë e këndshme që përzihej me qetësinë e periferisë dhe vërshimin Bunës nën këmbët tona. Biseduam për kohët e vështira të 1996-1997, për atë kohë ku kishte themelet edhe miqësoja jonë. Dhe kështu duhej të mbyllja vizitën time në Shkodër. Më përcollën deri tek Radio “Shkodra” ku do të merrja autobusin e kthimit për në Tiranë. U falmeshnetëm dhe u ndamë përzemërsisht me urimin për tu ritakuar, për t’mira inshallah.
E lash sërish Shkodrën
Ndërkohë që autobusi përshkonte qytetin mw drejtim nga Tirana, përcillja me mall dhe nostalgji pamjen që shfaqej nga dritarja. Ato rrugë e ato pallate, ato kthina e ato çoshe, ai hir që shfaqej e fashitej me pahir para syve të mijë që pikëllueshëm ujtiseshin me lotë. Përherë në ikje ndjeja gjithnjë atë shtrëngim brenge të çdo ikanaku, një mall i përzier me pendesën e atij që largohet, atij që ka frikë të kthejë kokën pas. Si gjithnjë edhe kësaj ikje diçka lashë në këtë përmallim, diçka që shkëputej nga brenda meje, e nderej në ajrin dhe frymën, në pamjen dhe vegimin që fashiste ikja.