Tirana ka triumfuar në “Loro Boriçi” në klasiken e futbollit shqiptar, teksa ka mundur Vllazninë vendëse 2-0 në një ndeshje që solli shumë tension si në tribuna ashtu dhe në fushën e lojës, por që në fund rezultati u buzëqeshi miqve nga kryeqyteti.
Që do ishte një ndeshje ndryshe u kuptua që në fillim. Tifozët shkodranë e kishin mbushur stadiumin si rrallëherë në vitet e fundit, ndërsa me vete kishin marrë dhe emocionet e sfidës së vlefshme për mbijetesë të dy sezoneve më parë. Pjesa e parë 0-0, më shumë sesa lojë në fushë ka tension te tifozëritë. Shkodranët nuk ngurrojnë të hedhin në fushë shishe e shashka, ndërsa ka dhe debate në distancë me sektorin bardheblu.
Pjesa e dytë është më e luftuar dhe Tirana kalon në avantazh në minutën e 58-të, kur Halili përfiton nga gabimi i Gurishtës në kontrollin e topit në zonë dhe thyen Sherrin. Tronditen kuqeblutë dhe pësojnë golin e dytë për 60 sekonda. Vangjeli vjedh një top dhe harkon në zonë për Ngonë, që me kokë e çon rezultatin në 2-0. Në festë tifozët e Tiranës, heshtin shkodranët që nuk u besojnë syve sesi ekipi i tyre pësoi dy gola të tillë.
Vllaznia përpiqet të ndreqë diçka. Lika i përgjigjet Likës në të 69-ën, me portierin bardheblu që devijon në këndore goditjen e dënimit të mesfushorit kuqeblu. Ndërrimet i ulin disi ritmin ndeshjes, çka i shkon për shtat Tiranës. Tifozët shkodranë humbasin toruan dhe shishet vërshojnë lumë, me Elton Kale që shkon pi prej njërës prej tyre si për ta acaruar edhe më keq situatën. Jorgji ndërpret takimin, madje mendon ta mbyllë aty, por vendoset që të luhen edhe ato pak minuta, ndonëse zbritja e një tifozi kuqeblu në fushë, bën që takimi të ndërpritet sërish për pak çaste.
Deri në minutën e 99-të nuk do të ndodhë më asgjë. Tirana merr fitoren dhe gëzon me tifozët e saj, shkodranët largohen të acaruar e të revoltuar me ekipin e tyre.