Dyshonte se gruaja e tradhtonte, e masakron me thikë dhe hidhet nga kati i katërt. Ajo që dukej një ditë normale në familjen Gjokola, ka përfunduar në tragjedi.
Çifti Daut dhe Luljeta, pasi kanë mbyllur dyqanin (agjenci udhëtimi dhe transferimi parash) ku ishin vetëpunësuar, janë ulur për të konsumuar një kafe në qendër të qytetit të Librazhdit dhe më pas janë kthyer në shtëpi. Mirëpo gjatë darkës, mes 53- vjeçarit dhe gruas së tij ka nisur një debat i ashpër.
Fqinjët kanë dëgjuar shamatë dhe pas kësaj kanë bërë njoftimin e Policisë. Gjithçka ka qenë e kotë, pasi në momentin e mbërritjes së forcave të Rendit, 49- vjeçarja Luljeta Dauti është gjetur e masakruar me thikë. Burri i saj, në gjendje të rënduar psikologjike pas krimit, u hodh nga ballkoni i apartamentit që ndodhet në katin e katërt të një pallati, në qendër të Librazhdit.
NGJARJA
Çifti Gjokola ishin prindërit e një djali 27 vjeç dhe një vajze katër vite më të vogël. Mbrëmjen e së premtes, bashkëshortët pasi kishin mbyllur dyqanin e tyre, biznes të cilin kishin kohë që e drejtonin të dy, nuk kanë shkuar menjëherë në banesë, por kanë ecur rrugëve të qytetit dhe kanë konsumuar një kafe në një lokal. Asnjë nuk ka dyshuar se mes tyre mund të ketë pasur ndonjë debat. Rreth orës 22:00, ata janë nisur drejt banesës së tyre.
Pikërisht pas kësaj ore, mes çiftit ka nisur dhe debati që përfundoi në tragjedi. Mësohet se Daut Gjokola ka pasur dyshime për një lidhje jashtëmartesore të bashkëshortes së tij. I trembur se mund të humbiste bashkëshorten, Dauti ka gjetur zgjidhjen më tragjike. Në debat e sipër, 53-vjeçari ka rrëmbyer thikën në kuzhinë dhe ka nisur të qëllojë nënën e dy fëmijëve. Ulërimat e saj, tentativat për t’u shpëtuar goditjeve me thikë nuk u kanë shpëtuar fqinjëve që lajmëruan Policinë.
“Ishte e tmerrshme, ishte klithmë dhimbjeje, ishte klithmë për ndihmë. Nuk dija çfarë të bëja, por vetëm pak minuta më pas pashë djalin që thuajse shqeu derën e banesës dhe hyri brenda. I gjori, çfarë të shihte. Sërish ulërima, por këtë herë të dhimbshme, rrëqethëse. Djali kërkonte përgjigje nga nëna e tij e shtrirë në tokë në cep të sallonit”, kështu shprehet një prej fqinjëve të çiftit.
DJALI
49-vjeçarja ka vdekur duke përjetuar tmerr. Ajo mori 15 goditje me thikë në çdo pjesë të trupit, plagë që dëshmojnë se asnjë dhembshuri nuk pati bashkëshorti ndaj saj, me të cilën kishin kaluar më shumë se tri dekada bashkë. E goditi pafund dhe e la të shtrirë dhe të gjakosur, duke dhënë shpirt në duart e djalit të saj.
Djali, edhe pse i tronditur nga ajo që i panë sytë, ka kërkuar ndihmë. Ai ka parë babanë të ulur në divan, nënën të mbuluar në gjak. Madje nga dëshpërimi, fqinjët tregojnë se 27- vjeçari ka goditur murin me kokë disa herë, deri sa në banesë ka mbërritur barela me stafin e mjekëve për ta transportuar nënën e tij në spital.
Mjekët e spitalit në Librazhd bëjnë të ditur se në momentin që ka mbërritur në Urgjencë, ajo ka qenë në grahmat e fundit të jetës. Ndërkohë, 53-vjeçari kur ka parë një situatë të tillë, bashkëshorten thuajse të vdekur, djalin e tij që i lutej Zotit të rikthente gjendjen si më parë, sirenat e makinës së Policisë, në një depresion të thellë është hedhur nga ballkoni. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme.
Duke u larguar të dy rreth 30 minuta pas njëri-tjetrit, çifti Gjokola nga Librazhdi e mori me vete misterin e kësaj tragjedie. Asnjë banor i pallatit, miq, të afërm të çiftit Gjokola nuk dinë të thonë se si arritën në këtë përfundim tragjik. Madje, mësohet se ata asnjëherë nuk kanë pasur probleme ekonomike. Ata kishin bizneset e tyre dhe jetonin qetë dhe në pamje të jashtme të lumtur.
Policia zyrtarisht ka deklaruar se: “Në lagjen ‘Shkumbin’ Librazhd, në banesë, shtetasi D.Gj., 53 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet të mprehtë (thikë) bashkëshorten e tij, shtetasen L.Gj., 49 vjeçe, dhe me pas shtetasi D.Gj. është hedhur nga kati i katër i apartamentit të tij”, bëhet e ditur nga Policia.