BallinaKryesoreNë Lezhë, marrëzia e marrë hua prej Tirane rrezikon të bëjë shumë...

Në Lezhë, marrëzia e marrë hua prej Tirane rrezikon të bëjë shumë dëme

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Revanshi është një nga karakteristikat kryesore të klikës së Edi Ramës. Këto ditë, nën shembullin e uzurpimit të institucioneve, për të cilat social-komunistët kanë përvojë që nga ’45-a, është e rëndësishme të vërehet se si po sillen uzurpatorët me administratën dhe qytetet që kanë pushtuar pa votë. Në Lezhë përshembull, s’kishe nevojë të hulumtoje shumë për të dalluar revanshin e turpshëm që kishte ndërmarrë “kryebashkiaku” i ri. I uritur për pushtet e i paditur në të njëjtën kohë, ai kishte shpallur njëfarësoj shtetrrethimi për të gjithë punonjësit e administratës, të cilët s’të përshëndesnin as në rrugë, në rast se ishe i deklaruar si i palës tjetër, edhe parkingjet e vijat e bardha kishin marrë një dukje allasoj, vetëm e vetëm që të kuptohej se gjithçka kishte ndryshuar.

Për t’u dukur se ai është njeri i punës, ka marrë kallp disa projekte të lëna pasdore nga Rama e Veliaj në kryeqytet dhe po përpiqet t’ua paraqesë lezhjanëve si vizion për mijëvjeçarin e ri. Ata që qeshën teksa e panë “kryebashkiakun” që kishte bërë post-produksionin e aksionit të kapjes së një qeseje plastike prej duarve të tij prej ish-polici dhe e shpërndau nëpër televizione, njësoj siç shpërndan linqet “lali eri”, duhet të mendohen mirë kur të shohin se ç’do t’i punojë Lezhës revanshi edvinist. Romët që e banojnë qytetin qysh prej s’mbahet mend dridheshin rrugëve, sepse sekserët u kishin shkuar në shtëpi e u kishin thënë se tashmë duhet të zhvendoseshin pa çak e pa bam, sepse “kryebashkiaku” e ka vendosur t’ua prishë të gjithë lagjen, sepse ajo s’përshtatej me vizionin e tij për Lezhën. Të njëjtët romë thonë se rezistenca është e kotë, sepse në rast se do të rezistojnë, më keq do ta kenë, pasi mund ta pësojnë si kodra e Shëngjinit, e cila u përfshi sërish nga zjarri sivjet, sepse thonë se është planifikuar që kodra të përshtatet me vizionin e ri të pallateve përkundruall detit.

Por edhe kur mendojnë për të ndërtuar, revanshistët s’mendojnë as për qytet, as për ambient e as për hyqymet. Është shpallur me tamtame projekti i ri për të betonizuar Drinin në anën e shëtitores, sipas porosive të “udhëheqësit Edvin”, që paskësh kaluar andej pari tash së voni. Por edhe studenti i vitit të parë të Inxhinierisë së Mjedisit e di se shtretërit origjinalë të lumenjve nuk mund të betonizohet anës skarpatave, pasi ato sjellin bllokimin e plotë të shtratit, daljen e ujrave dhe në rastin më të vogël, pamundësimin për pastrimin e lumenjve. Kjo ka qenë edhe arsyeja që në dekada, shtrati i Drinit të Lezhës është disiplinuar, duke i qendruar sa ka qenë e mundur besnik rrjedhës origjinale, duke përdorur parimin e natyrës si aleate e urbanistikës së qytetit.

Por tani, ëndrra e Edvinit për të bërë gara me anije në Lezhë, njësoj si në Amsterdam, po rrezikon krejt Shëtitoren e Drinit, pastrimin e lumit pranë qytetit dhe në një shkallë të gjerë ekspozimin e disa lagjeve të qytetit nga përmbytja.

Ëndrra revanshiste e Ramës dhe e “kryebashkiakut” të ri gjithsesi nuk na mërzit shumë, sepse projektet e “Rilindjes” në përgjithësi kanë kosto, por mbeten në 3D, pasi s’përfundojnë kurrë, sepse, a vidhen, a verifikohen si të pavlefshme. Kujt i kujtohet ishulli i famshëm mbi Lumin Osum, apo barcaletat që kanë shoqëruar Lungomaren e Vlorës? Në këso barcalete do përfundojnë edhe skarpatat me beton të Drinit të Lezhës, pavarësisht se tenderi do të bëhet e fondet do të harxhohen.

Në përfundim, prej revanshit soc-komunist në qytetet e pushtuara prej “Rilindjes”, po rrënohet shumë bashkëjetesa qytetare si dhe siguria. Ndaj këtij revanshi duket se s’ka shumë efektivitet lufta politike, prandaj duhen kërkuar figurat civile. E di se është e vështirë të gjenden intelektualë antikonformistë në Tiranë, lëre më në qytetet e provincës, por i vetmi shpëtim për të minimizuar dëmet, derisa një zgjidhje politike të gjendet, e cila do t’i rinxjerrë uzurpatorët nga zyrat, mbetet të dëgjohet zëri i intelektualëve të provincës. Ata janë pak, por i nuhasin të parët të pabërat që po konsumojnë revanshistët. Të gjithë këtyre zërave ua kemi borxh jehonën kombëtare, pasi vetëm kështu xhahili i provincës do të ndihet i pasigurt dhe do ta mbajë disi dorën. 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular