78 vjet më parë – Qëndresa heroike në Kodër të Kacës
Nga Dine KACA
Besëlidhja e qëndresës antifashiste
Pas disfatës në Dibër të Madhe me forcat kryengritëse, ajo që e shqetësonte më shumë fashizmin do të qe se dibranët mbanin armë të fshehura dhe se një ditë Dibra, do të mund të ngrihej në luftë të armatosur kundër fashistëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Prandaj në vazhdim të masave ndëshkimore, fashizmi do të organizonte ekspedita operacionale në të gjithë Dibrën për dorëzimin nga dibranët të armëve të fshehta dhe municioneve. Kjo u diktua edhe nga qëndrimi që mbajtën shqiptarët në luftë kundër agresionit fashist që ndërrmori Italia ndaj popullit grek në 1940-tën. Ekspeditat kryen operacione në të gjithë krahinat e Dibrës, ndërsa krahinat Reç e Dardhë, qenë lënë për në fund. Gjatë operacioneve, pati rezistencë të fortë, por gjithësesi ato kishin mundur të grumbullonin një sasi të vogël armësh e municionesh.
Në strategjinë e taktikën fashiste, jo pa qëllim ishin lënë për në fund krahinat Dardhë e Reç. Kjo për faktin historik se ato njiheshin si krahina të lidhura shumë ngushtësisht njëra me tjetrën dhe se bijtë e tyre qenë shquar për trimëri e atdhetarizëm Ata patën dhënë prova të forta kundër pushtuesve, ç’ka e vështirësonte së tepërmi çarmatimin e tyre. E kjo qe bërë mos represioni do të ndikonte që edhe Reç e Dardhë t’i nënshtroheshin këtij operacioni. Fashizmi nuk kishte nevojë për armë, por donte të shuante ç’do vatër e lidhje patriotike që përbënin rrezik për të.
Termi “çarmatosje” tingëllonte shumë rëndë në veshin, psikologjinë dhe mentalitetin e popullit të Reç e Dardhës. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte për ta poshtërim i madh, do t’a quanin veten se nuk ishin më askushi. Edhe para fashizmit, pushtues të tjerë që nga turqit osmanë, bullgarë, austro-hungarez e të tjerë, apo regjime antipopullore, nuk kanë mundur as t’i çarmatosin dhe as t’i nënshtrojnë. Arma në duart e tyre ishte gjithshka. Historikisht, luftrat e njëpasnjëshme, ua kishin imponuar që ta konsideronin armën pjesë të jetës, të qënies së tyre. Me armën ata patën lidhur jetën e tyre, mbronin familjen, dinjitetin, nderin, lirinë, atdheun për të cilin nuk kursenin as jetën.
Ata kishin një përvojë shumë të pasur, të trashëguar brez pas brezi, pavarësisht se në të gjitha luftrat e betejat me armiqtë pushtues, në raportin e forcave, ata kishin qenë në pakicë, por shpirti liridashës e luftarak, atdhetarizmi, optimizmi dhe vendosmëria i bënin superiorë. Kurdoherë fitorja ishte në anën e tyre. Edhe ky ishte një faktor që i bënte këto dy krahina të ishin të vendosura në qëndresë me ekspeditën ushtarake fashiste për çarmatimin dhe e kishin të sigurtë fitoren ndaj saj.
Krahinat Dardhë e Reç të Dibrës, gjithmonë kanë vepruar me organizmat e zgjedhura nga vet populli. Ato kishin detyra e të drejta komplekse, për të gjithë jetën e krahinës, ku më kryesorja ishte ajo e mbrojtjes së atdheut. Kështu, krahina e Dardhës drejtohej nga të “15-tët e dheut” ose siç mund të quhet një “Kuvend – Parmament” i Dardhës me përfaqësues të denjë me integritet, si:Hysen Ndreu, Hysni Kaca, Hysen Bara, Hysen Çera, Misim Ahmeti (Cerpja), Rrahman Rasha, Ahmet Kazi, Vesel Sula, Muharrem Hoxha, Taf Shira, Ali Bajram Ndreu, Sul Cani, Met Kaca, Selim Hysa e Can Gjoka. Më vonë për arsye vdekje, janë zgjedhur të tjerë nga populli si, Xhetan Hakiku, Haziz Poleshi, Mehdi Kaca e Sadik Çera. Një organizëm të ngjashëm drejtimi me Dardhën kishte edhe krahina e Reçit, por jo me kuvend, por me pleq.
Të dyja këto organizma të këtyre krahinave kishin përcaktuar pikat e besëlidhjes të qëndresës antifashiste. Debatimi dhe marrja e vendimit qe bërë në bazë fisi, fshati e krahine me moton “besa-besë”.
Përfundimisht u vendos:
Së pari, në përballjen me ekspeditën u caktua nga një burrë për shtëpi, (aty ku kishte disa burra në disa shtëpi, të vinin dy edhe tre), kryesisht të moshuar, të sprovuar në luftra dhe ky organizzim ishte konsideruar si skalion i parë. Burrat e tjerë dhe moshat e reja, do të qëndronin të gatshëm në rast nevoje si skalion i dytë për luftë të armatosur frontale.
Së dyti pjesmarrësit e të dy krahinave do të grumbulloheshin në mënyrë të organizuar në Kodër të Kacës të Dardhës.
Së treti, asnjë armë nuk do t’i dorëzohej pushtuesit. Kur pushtuesit do të kërkonin dorëzimin e armëve, fillimisht pjesmarrësit do të heshtnin deri në kulmin e durimit.
Së katërti, në momentin që do të shanin apo do të përdornin forcën, do të hidheshin në sulm deri trup me trup për ta çarmatosur të gjithë ekspeditën. Nëse do të qëllonin me armë e do të kërkonin forca ushtarake shtesë për të shtypur popullin me dhunë, do të nxirreshin armët dhe do të ngriheshin në “shtatë e shtatëdhjetë” në luftë kundër pushtuesit fashist.
Kjo përgaditje nuk u bë brenda një apo dy e tre ditësh. Jo. Kishte kohë që punohej për këtë. Unë dhe moshatarët e mij i kujtojmë me hollësi, se si baballarët dhe gjyshërit tanë na patën përgatitur për çdo lloj situate. Ata kanë një meritë të veçantë ndaj brezit tonë. Armet dhe municionet e fshehta, ashtu siç dinin vetë t’i përdornin, na i kishin mësuar edhe ne të rinjve. Jo vetem si mbahet, si përdoret, si merret vija e shënimit për të godit me plumbin e parë në shenjë, por edhe si mund të ndeshesh trup me trup dhe t’i marrish edhe armën armikut, e shumë gjëra të tjera. Kishte gati dy muaji që Reç e Dardhë bënin përgatitje. Sa do që kalojnë vitet, edhe pse tani jemi në ekstremet e moshës, i kujtoj me nostalgji, me respekt, me shumë dashuri dhe u jemi mirënjohës atyre burrave trima, atyre “tigrave” të asaj kohe. Ata na brumosën me virtytet më të larta dhe ndjenjën e dashurisë për atdheun tonë, Shqipërinë.
8 Shtator 1941 – Qëndresa e “tigrave” të
Reç e Dradhës për të mos dorëzuar armët
Sapo zbardhi drita, fshatarët e fshatrave të largëta të Reçit filluan lëvizjen drejt Kodrës së Kacës të Dardhës. Të parët ishin burrat e fisit Doda në Tejmalle, në kufi me Arnin e Kukësit, të fiseve Laçi, Gjurra, Poga ne Gjurre-Rec; Lusha, Leka, Sinani, Laçi, Doda, Toshi, Lala e Troci në Ndërshenë e Hurdhë – Reç; Shehu, Cara, Prençi e Hasani në Bardhaj – Reç; Troci, Leka, Tanushi, Lala, Meçi, Murati, Elezi e Uklala në Thark e Zall-Reç; Troci, Kuqi, Doda, Peca, Shoti, Çajka, Prençi, Halili dhe Hasani Draj-Reç; Koka, Marku, Mziu, Vladi, Tafa, Lami, Skeja, Sufa, Hysenaj, Bardholi e Shehu në Kraj-Reç.
Aty nga ora 9.00 rreshtat e burrave të krahinës së Reçit u futën në teritorin e Dardhës, ne tre drejtime kryesore: Lashkizë – Tartaj –Kodër e Kacës, Soricë –Merskanë – Tartaj – Kodër e Kacës dhe Shënlleshën –Zall Dardhë – Lugjej – Kodër e Kacës. Në këtë kohë krahina e Dardhës ishte gati në pritje të vëllezërve reçjanë, me të cilët u bashkuan, sipas fiseve: Çerpja, Hysa, Rasha, Topuzi, Ndreu, Cani, Poleshi e Hoxha në Lashkizë, Soricë e Merskanë; Kaca, Çera, Xhediku, Çajkri, Luca, Bara, Xhaferi, Demiri, Braka në Tartaj e Nezhej; Kazia, Cani, Sula, Murati, Ndreu, Hoxha, Shira, Rama, Çepja, Hysa, Bara, Gjoka, Dervishi, Pira, Luca, Cala, Topuzi e Lushi në Shënlleshën, Zall Dardhë e Lugjej të Dardhës.
Kodra e Kacës ku do të mblidheshin “Tigrat e Maleve” të Reç e Dardhës ishte vendi më strategjik. Njerëzit që patën mbetur nëpër shtëpia, ishin në ankth. Ata qëndronin në gadishmëri. Shumë domethënës ishte momenti kur takohen reçianët me dardhianët, shtrëngimi i duarve, besa e lidhur, vendimi i marrë, i bënte ata të ecnin me kokën lart pa iu dridhur çerpiku.
Burrat e këtyre anëve kur shkonin në kuvende për beteja lufte me armikun, visheshin me rrobat më të mira. Nënat, gratë e motrat e tyre i kishin përgatitur me kostumet më të bukura kombëtare të krahinës. Që nga opingat me gjalma të bardha, çorape të qëndisur, tyrqe me gajtana, këmisha të bardha me mëngë të lëshuara, breza leshi të thurur me larmi ngjyrash, xhamadana të llojeve të ndryshme e me gajtana, plise të bardha (qeleshe të bardhë) e deri tek sumullat e xhamadanave e çistekët e sahateve që xixëllonin nga rrezet e diellit e që krijonin shije artistike mahnitëse dhe të dukej sikur ata ishin me të vërtetë krushqit e një dasme madhështore.
Me këtë veshje karakteristike të krahinave i jepnin të kuptonte ekspeditës fashiste dhe Major Balit që e komandonte atë se: “ne jemi një popull me kulturë, kemi personalitetin e dinjitetin tonë, se dijmë të vishemi, dijmë të flasim, dijmë shumë mirë të njohim mikun dhe armikun.., dijmë të luftojmë e të mbrohemi…,se kemi ardhë këtu me një mendim e betim të përbashket: “O fitojmë dhe nuk dorzojmë asnjë armë, O vdesim të gjithë”. Vetëm një gjë na mungon sot: Ajo që kërkoni ju,“Maliheri”. Atë e kemi lënë në shtëpi dhe kurrë s’keni për ta marrë. Paçka se sot jemi të paarmatosur, ne dijmë të luftojmë edhe pa armë! Provojeni…”
Kodra e Kacës, në ora 10:00, qe mbushur me rreth 700 trima “Tigra”, ulur pranë e pranë njeri – tjetrit. Në sytë e tyre lexohej karakteri burrëror, vendosmëria, besimi në fitoren e përballjes që pritej të ndodhte nga çasti në çast. Ekspedita ushtarake ishte dislokuar aty afër. Në momentin para se të fillonte të fliste, komandanti fashist Xhaferr Bali dha sinjal dhe ekspedita krijoi një kordon në formë rrethi, 15 metra larg nga vendi ku ishin ulur malësorët trima. Të gjithë vëzhgonin mënyrën e levizjes të ekspeditës dhe armatimet. Fiksonin në detaje se si mund t’i kapnin e t’u merrnin armët kur do të bëhej përleshja, vërenin se ku kishte gurë, gardhiqe për të marrë hunjtë e mjete të tjera të forta për të sulmuar ekspeditën.
Më pas edhe vetë komandanti i saj me suitën që e shoqëronte u pozicionua përballë gjigandëve. Major Bali qe befasuar kur të gjithë trimat e Dardhës e të Reçit gozhduan sytë tek ai dhe shoqëruesit e tij. Ai qe vënë përballë një force shkatërruese të papërballueshme.
Gjithesesi e kishte filluar fjalën duke ju dridhur zëri: “fashizmi është garantuesi i mbrojtjes tuaj, i qetësisë puplike, i së ardhmes, prandaj nuk keni nevojë të mbani armë e municione. Ato do t’i dorezoni …”. Për disa minuta ai u përpoq t’iu mbushte mendjen dhe u drejtohej: “ Hëë, kush do të flasë!?” Asnjë nuk e kishte marrë fjalën! Ata flisnin me gjuhën e trupit. Syte nuk ia kishin ndarë Xhaferr Balit. Me këtë qëndrim, ata i thonin: “mos u gënje se do t’ju dorëzojmë armë, mos guxo të përdorësh forcën”.
Heshtje! Xhaferr Bali kishte filluar të acarohej, rriti disi tonet e të folurit urdhërues ushtarak. Ndërsa malësorëve po u ziente gjaku e urrejtja nga brenda. Ata po e lexonin njëri – tjetrin në sy.
I pari ishte ngritur Can Gjoka nga Dardha: “Or zotni, ti na kërkon të dorëzojmë armët, por s’i t’ia bëjmë?! Ne nuk kemi armë dhe aty ku nuk ka s’ke se çfarë merr”.
Unë. – kish thënë Bali – nuk kam ardhë këtu të dëgjoj fjalë boshe, por dua të dorëzoni armët”!.
Pastaj e kish marrë fjalën Sadik Doda nga Reci: “Ti more zotni, na kërkon armë? Por arma ka qenë shpirti e jeta jonë. Me ato kemi luftuar pushtuesit, por për fat të keq nuk i kemi. Po t’i kishim në dorë në këtë moment edhe ne do t’i kishim “dhënë” e me kaq ta mbyllim”.
Xhaferr Bali, i acaruar u kishte thënë malësorëve se: “nuk largohemi prej këtej pa grumbulluar armët, mos hezitoni t’i dorëzoni ato, për ndryshe do të keni pasoja!”
U ngrit Hysni Kaca nga Dardha: “O zotni major! Siç na shikon gjithë këta burra kemi ardhë këtu. Të gjithë sa jemi, kemi qenë të armatosur. Kemi luftuar kundër pushtuesve turq, serb, bullgarë, kundra nemces etj. Sa për ta ditur, edhe unë kam patur pushkë. Atë ma kishte dhuruar Elez Isufi në luftë. Ato i kemi dorëzuar. Ju jeni shqiptar e duhet të na kuptoni, paçka se ti je komandant i kesaj ushtrie të armatosur që na ke rrethuar. Mirë është të mos e zgjasim me këtë punë se s’kemi çfarë të të japim…”.
Xhafer Bali që e kishte pa se nuk po bënin efekt kërcënimet, përdori një taktikë tjetër. Nga Çidhna pati marrë tre burra nën vërejtje, gjoja se ato kishin ngelur pa dorëzuar armët. Që të friksonte burrat e Reçit dhe të Dardhës dha sinjalin që të përdorej dhunë ndaj njerit prej tyre dhe të arrestohej Medi Kaca. Në kohën që u bënë gati dhe filluan të zbatonin urdhërin e tij, ky qe momenti i duhur për t’i vënë shkëndinë benzinatës dhe si si vetëtima u degjua zëri i Mahmut Laçit nga Gjurr-Reçi: “Burra, me dor t’i kapim?!”. Thirrja e tij ishte pasuar nga Rrahman Rasha e Halim Lika (Cani), Musa Gjoka e Vesel Sula, Riza Poleshi e Riza Ndreu, Dali Leka e Dali Lami, Bajram Lusha e Ahmet Cani, Selman Halili e Mer Troci, Isuf Dervishi e Halim Kaca i Kodres, etj.
Të 700 burrat, si vetëtima qenë vërsulur me thirrjen: “besa-bese-burra-aaa ha ha ha”, oshtiu zëri i tyre i fuqishëm, duke rrokur ç’fare gjetën përpara: gurë, hunj, fturçe, sopata e mjete të tjera të forta. Në ndihmë të menjëhershme u erdhën burrat e tjerë të shtepive të fisit Kaca që ishin shumë afër dhe të fisit Xhediku e Çera, që u ofronin mjete të forta. Si tigra u lëshuan mbi major Xhafer Balin, grupin që e shoqëronte dhe ekspeditën. Ai e pa se njeri i gjallë nuk do shpëtonte nga kjo forcë shpërthyse. I dha urdhër ekspeditës që të mos shkrehej asnjë armë e vetme dhe të tërhiqeshin me shpejtësi të rrufeshme për të dalë nga flakët e zjarrit përvëlues.
Të goditur nga breshëritë e mjeteve të forta e deri në përleshje trup me trup, Xhafer Bali, i mbrojtur nga shoqëruesit dhe tërë ekspedita, u larguan si mos më keq. Trimat i ndoqën fashistët deri sa kaluan territorin e krahinës së Dardhës. Edhe nëpër fshatin Mustafaj të krahinës së Çidhnës nuk e ndalën vrullin. Ekspedita kaloj Drinin dhe mori rrugën për në Peshkopi.
Pas fitores ndaj Xhafer Balit u vendos itifaku:
Të evitohen grindjet dhe hasmëritë
Pas qëndresës, të gjithë malësorët u kthyen përsëri në vendin ku ishte zhvilluar përleshja. Aty u përcaktuan detyra të reja për çdo situatë të papritur. Unanimisht u vendos itifaku: Të evitohen grindjet dhe hasmëritë. Të 15-tët e Dardhës dhe Pleqtë e Reçit, do të siguronin informacionin e nevojshëm për përshkallëzimin e veprimeve të dhunës që mund të ndërmerrte pushtuesi ndaj dy krahinave si hakmarrje, ndaj kërkohej të viheshin menjëhere në dijeni që të organizoheshin sa më shpejt kundër tij.
Edhe njëherë ishte theksuar se duhej të ishin të gjithë të bashkuar, në një mendje, të vendosur se edhe me këtë pushtues do të ishin në luftë të vazhdueshme deri sa ta shporrnin e të çlironin atdheun.
Asnjë forcë ushtarake fashiste si dhe çdo forcë tjetër civile që bashkëpunonte me fashizmin, nga ajo ditë e në vazhdim, nuk do të lejohej të futej në territoret e Dardhës e të Reçit, qoftë edhe për rrugëtim.
Pas këtyre vendimeve dardhnjanet i ftuan dhe i morën për drekë në shtëpitë e tyre të gjithë bashkëlufëtarët reçjanë. Sidomos ata të fshatrave: Tartaj, Lashkizë, Merskanë, Soricë morën kryesisht luftëtarët e Ndershenës, Gjurrë-Reçit e të Tejmallës, Hurdhë – Reçit, Tharkut. Ndërsa nga fshatrat e tjera, Dardha, Shenlleshni,etj, morën luftëtarët e Draj – Reçit e te Zall-Reçit. Gjatë orëve të drekës, vetëm për qendresën në Kodër të Kacës u bisedua dhe tregimet bëheshin me hollësi, ashtu siç u zhilluan në fakt.
Demostrimet e krahinave te Reç e Dardhës, dëshmojnë më së miri se këto dy male nga “Nënte Malet” e Dibrës, kanë qenë, janë e do të mbeten të lidhura ngushtësisht, si dy vëllezër të vërtetë. Që kur janë formuar për herë të parë si dy krahina e deri në ditët e sotme, Reçi e Dardha janë shquar në veprimtarinë e tyre si bashkëudhetare, bashkë- udhëheqëse, bashkëorganizatore, bashkeluftetare, si dhe bashkëfitimtare, ndaj edhe kanë një histori të përbashkët.
Filozofia popullore i ka emërtuar ato, si: “rëra dhe gëlqerja” që asnjëra nuk ben pa tjetrën! Midis tyre asnjeherë nuk është shfaqur ndonjë grindje, konflikt apo ndarësi. Ato kanë ditur të bashkëjetojnë në harmoni kurdoherë dhe në çdo situatë, të ruajnë identitetin e vet, shpirtin atdhetar e luftarak që i ka karakterizuar kundër pushtuesve të huaj dhe që i ka bërë këto dy krahina unitare, të cilat janë konsideruar si një “ushtri e rregullt pa uniformë”, me një art të nivelit të lartë. Ndonëse Reç e Dardhë kanë qenë në vështirësi ekonomike, atyre kurdoherë u ka kënduar pushka kundër armiqve, u ka buzëqeshur mikpritja e bujaria, besa e trimëria për atdheun dhe për mikun.
Në vargun e rrugëtimeve që pati bërë në Shqipërinë e Veriut, Edith Durham, do të kalonte edhe në Lurë të Dibrës, në Mirditë e në disa zona të tjera. “Lura, – thoshte ajo- është bajraku kryesor i grupit të tmerrshëm të Dibrës, ‘Tigrave’ të Dibrës…”.
Masiviteti antifashist i të dy krahinave ishte një qëndresë e menduar me mençuri, me objektiva të qarta, me një organizim të përsosur. Kjo u shndrrua në një levizje antifashiste mbarëpopullore dhe me ndërgjegje të lartë kombëtare. Ajo u bë pikë referimi edhe për krahina të tjera të Dibrës gjatë Luftes Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Dibranët demostruan qartazi se qenë përdere patriotë
Fashizmi nuk ndërmori më operacione për çarmatosjen apo ndëshkimin e Reç e Dardhës. Atij nuk i interesonte të hapte një vatër lufte të nxehtë përvëluese në ato dy krahina të Dibrës, që përveç forcës njerëzore të pathyeshme, ato i favorizonte edhe terreni strategjik.
Në ato gryka të thella, male e maja të larta, shkëmbinj të thepisur e kodra kishin gjetur vdekjen të gjithë ata pushtues që kishin synuar për tu futur në këto treva edhe më parë.
Krahina e Dardhës dhe ajo e Reçit qëndruan të vendosura në vendimet që patën marre pas qëndresës në Kodrën e Kacës. Këto treva u bënë të pakalueshme, duke mos lejuar që fashizmi e veglat e tij të fusnin kthetrat e të depërtonin në to.
Kjo u provua në pranverën e vitit 1942, kur fashizmi do të ndërmerrte një operacion në krahinën e Lumës me forca të shumta ushtarake dhe të milicisë civile fashiste. Këto forca sipas planit fashist, do të kalonin nëpër teritoret e Dardhës e Reçit dhe të futeshin në trevat e Lumës.
Posa u informuan Dardha e Reçi, nën udhëheqjen e drejtimin e prijësave të tyre, sensibilizuan popullin, u organizuan dhe u vendosën në vende kyçe, frontalisht për luftë. U dërguan njoftime krerëve fashistë, si Halil Alisë e të tjerëve, se nëpër territoret e Dardhës e Reçit nuk mund të kaloni.
Forcat ushtarake fashiste dhe milicia që bashkëpunonte me to, u detyruaruan të ndryshonin intenerarin e levizjes. Një ditë më vonë ata do të futeshin në Lumë nga një rrugë tjetër jashtë territoreve të Dardhës e të Reçit.
Dibranët në përgjithësi, demostruan qartazi, se qenë përdere patriotë, u shfaq larte ndergjegja kombëtare, se dibranët ishin të gatshëm edhe për beteja te tjera.