Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se platforma për bashkëqeverisjen është një platformë që i mpin “buburrecat” dhe disa prej tyre i shtyp, duke nënkuptuar me “buburreca” të gjithë punonjësit e administratës, që nuk iu shërbejnë qytetarëve, dhe që kreu i qeverisë i ka quajtur shpesh si “parazitë”.
Në një takim në Kryeministri me qytetarët që, sipas tij, kanë gjetur zgjidhje pas ankesave në këtë platformë përmes portalit “shqipëriaqëduam.al”, Rama tha se kushedi ç’kanë hequr qytetarët shkodranë nga “buburrecat” në Hipotekën e Shkodrës, duke shtuar se vazhdon lufta ndaj tyre.
“Rri në këmbë dhe i shoh “buburrecat” poshtë tavolinës, që gërryejnë. Platforma është një sistem që i mpin “buburrecat” dhe disa prej tyre i shtyp.
Ju keni parasysh buburrecat e Hipotekës së Shkodrës, kushedi ç’keni hequr, por ne po vazhdojmë të luftojmë dhe kemi preferuar këshillën e Nënë Terezës “Në vend që të mallkojmë errësirën, preferojmë të ndezim një qiri çdo ditë”.
Çdokush që i shkruan platformës, është po aq i fortë sa çdo deputet apo ministër, madje është dhe më i fortë se ata”, tha kreu i qeverisë.