BallinaAktualitetBiznesmeni i suksesshëm dibran Faik Bruçi dekorohet nga Presidenti Meta me titullin...

Biznesmeni i suksesshëm dibran Faik Bruçi dekorohet nga Presidenti Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”

spot_img
spot_img

Në Simpoziumin Shkencor: “110 vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje historike për kombin shqiptar”, që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Shkencave ku morën  përfaqësues të jetës politike, akademike, shoqërore dhe kulturore të vendit, të bashkësisë dibrane të Tiranës, të Komunës së Dibrës së Madhe dhe nga diaspora, Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Shoqatën “Bashkësia Dibrane” si dhe 4 personalitete dibrane te cilët kanë dhënë kontributin e tyre në shoqëri e rrjedhimisht lënë dhe gjurmë.
Njeri prej tyre është një personalitet që realisht nuk shquhet për dalje publike (e kemi fjalën për median), pasi i pëlqen më shumë t’i flas puna. Në karrierën e tij ka lënë gjurmë të pashlyera në atë çfarë ka dhënë ku veprat e tij si profesionist dhe sipërmarrës janë shembuj se si duhet ndërtuar në këtë vend. Ato janë vepra publike dhe private, por që të ideuar dhe ngritur nga një profesionist si Faik Bruçi nuk ka se si të mos shkëlqejnë dhe bëjnë diferencën.
Për gjithçka ka dhënë deri më tani Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi sot Faik Bruçin si një  nga përfaqësuesit e denjë të komunitetit dibran në Tiranë si dhe biznesmenin e suksesshëm me Titullin: “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të çmuar në ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës, Komanit, si dhe në ndërtimin e linjave të tensionit të lartë në mbarë vendin. I dalluar si humanist dhe kontribuues në veprimtari social-kulturore. Promovues i vlerave  patriotike  e  historike  kombëtare. Një  nga përfaqësuesit e denjë të komunitetit dibran në Tiranë”.
Është ky një vlerësim mese i merituar për Faik Bruçin, ai jo vetëm si profesionist i fushës por dhe si dibran ka ditur mese miri jo vetëm ruaj traditat e zonës nga vjen, por dhe përçojë ata te brezat ne Tirane jo vetëm ne familje, fis, rrethin e tij, por me mbështetjen e dhënë ka bere qe kjo te ndodh tek çdo dibrane qe sot jeton dhe punon ne metropolin shqiptar, Tirane. Dibranet e kane pas tek Faik Bruçi derën e madhe siç e quajnë ata. Ndaj ky vlerësim për Faik Bruçin është vlerësim krejt i merituar qe Presidenca e vendit, presidenti Meta i bën një sipërmarrësi te suksesshëm si Faik Bruçi. Urime.


Jeta në hidrocentrale,  shkolla e jetës/Faik Bruçi u lind më 1 janar 1956 në Lukanin e bukur të krahinës së Katër Grykëve, në një familje atdhetare. Familja e tij njihet për atdhetarizëm, besë e bujari, jo vetëm në Dibër por dhe jashtë sinorit të saj. Vetëm pak kohë pasi mbaron arsimin tetëvjeçar në vendlindje, në vitin 1972, largohet nga Lukani, i strukur bukur rrëzë maleve dhe shkon në veprat e mëdha të dritës. Këtu gjatë punës që bënte, iu krijua mundësia të mbaronte me nota të mira arsimin e mesëm profesional për gjeometër ndërtimi, profesion që e ka dashur vazhdimisht. Pas mbarimit të shkollës së mesme fillon punë si përgjegjës sektori i laboratorit të hidrocentralit të Fierzës. Të gjitha analizat laboratorike që zhvilloheshin atëherë për Fierzën, e cila sapo kishte hedhur digën e saj të madhe, i ishin besuar Faik Bruçit nga Dibra. Ky nuk ishte një vlerësim i vogël.
Nga vitet 1980 deri në vitin 1985 kalon në një vepër tjetër të madhe energjetike, siç ishte Komani. Edhe këtu punoi me detyrën e përgjegjësit të sektorit.
Në vitet 1985-1988 vazhdon punën në Ndërmarrjen e Tensionit të Lartë, Tiranë dhe në vitet 1988-1990 në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Industriale, për të vazhduar më 1990-1992 në Ndërmarrjen e Mirëmbajtëses së Rrugëve. Pa dyshim, që hidrocentrali i Fierzës dhe Komanit për Faik Bruçin, atëherë djalë i ri e plot ëndrra të bukura për jetën, ishin dhe mbetën një shkollë e madhe. Aty, jo vetëm Faiku, por edhe plot të rinj të tjerë, me përvojën e bukur që fituan, u poqën para kohe.


Suksesi si biznesmen me moton: Fillo me pak, mendo për shumë
Mbas ndryshimit të sistemit, falë edhe aftësive të tij drejtuese dhe profesionale, por edhe përvojës së mirë që kishte përfituar vite me radhë, Faik Bruçi arriti të krijojë aktivitete private në fushën e ndërtimit, sigurimeve, hotelerisë dhe pastrimit, duke u bërë kështu firma e parë e suksesshme në kryeqytet. Faik Bruçi në fillim e nisi nga hiçi, në një kohë që mjaft të tjerë e kishin kaluar stadin dhe po konkurronin bindshëm në fushën e biznesit. Kjo nuk e pengonte Faikun vizionar. Moto kryesore e tij ishte gjithmonë: “Fillo me pak, mendo për shumë”. Faiku në fillim kështu e nisi, me pak, por ambicia e tij ishte e madhe, kishte synime për t’u shtrirë jo vetëm në ndërtim, por edhe më gjerë. Ka kaluar më shumë se njëzet vjet, që atëherë kur në hapësirat e pafundme të biznesit shqiptar u shtua dhe një dallëndyshe e re. Në vitin 1995, Faik Bruçi krijoi kompaninë “Bruçi” shpk. Megjithëse nuk e nisi në një stad me të tjerët, megjithëse e dinte se do të haste në vështirësi dhe pengesa, burokratike apo juridike, Faiku nuk u tërhoq përballë asnjë vështirësie. Ai nuk ishte mësuar të tërhiqej përballë vështirësive, pasi ishte kalitur mirë në moshë të re, në veprat e mëdha, në Fierzë e Koman. Pas njëzet vitesh, pas shumë pune, me mund e djersë, shikon veprat që ka ndërtuar e bindesh plotësisht se biznesi i tij është një histori suksesi. Firma “Bruçi” shpk vendosi që investimet e para t’i nisë në objekte social-kulturore dhe infrastrukturë. Faik Bruçi, si një djalë nga një derë e fisme dhe arsimdashëse, kishte dëshirë të investonte në arsim. Mungesa e shkollave, por dhe ristrukturimi i tyre, ishte më se i nevojshëm ato vite në vendin tonë. Nga Tirana Faiku shkoi në Shkodër, te djepi i kulturës shqiptare, ku ndërtoi shkollën “Martin Camaj”, një shkollë vërtet me parametra bashkëkohorë. Nga Shkodra në Durrës, ku në kohë rekord ndërton godinën e Universitetit në vitin 2006. Kompania e tij, tashme e njohur, e shtrin veprimtarinë e saj edhe në fusha të ndryshme, si në infrastrukturë dhe ristrukturime të objekteve social-kulturore. Pas ndërtimit të një sërë fjetoresh për forcat komando të ushtrisë, realizoi edhe ristrukturimin e godinës së Ministrisë së Ekonomisë, Rrugës së Durrësit, ndërtimin e rrugës Tapizë – Qinam – Çekrezë etj. Sektori i ndërtimit ishte i vështirë dhe mjaft kompani të tjera nguronin të investonin. Faiku mori përsipër të konkurrojë bindshëm në këtë sektor për dy arsye: E para, se ishte vetë profesionalisht i aftë, dhe e dyta, se kryeqyteti kishte nevojë të vazhdueshme për ndërtime. Strehimi në Tiranë vlente për të dëshiruar. Sapo kishin filluar ndërtimet e pallateve me dhjetë a më shumë kate apo siç quheshin ndryshe “grataçela”. Ishin këto ndërtesa që ia ndërruan dhe pamjen kryeqytetit shqiptar, duke e barazuar shpejt nga ndërtimet me kryeqytete europiane. Faik Bruçi punon dhe drejton gjithmonë me vizion dhe asnjëherë nuk ka dalë i humbur. Për shumë vite ka drejtuar Kompaninë “Bruçi” shpk, kompaninë “Jon 2002” si dhe ka qenë aksioner i rëndësishëm dhe i suksesshëm në “Bankën Popullore”, Kompaninë e Sigurimeve “Albsig”, Hidrocentralin “ Gjanç” Korçë dhe njëkohësisht sot është pronar i vetëm i “Capital Tirana Hotel”. Biznesi dhe aktiviteti i tij çdo vit ka njohur vetëm ngritje dhe suksese. Për këtë, kompanisë që ai drejton dhe personalitetit të tij angazhues, me aftësi të mira menaxhuese, i janë akorduar tituj dhe simbole vlerësuese nga institucione brenda dhe jashtë vendit tonë. Duke u afirmuar si kompani serioze, duke qenë një ndër më të rregulltat taksapaguese si dhe duke kompletuar administratën me kuadrin e nevojshëm inxhiniero-teknik, Faiku hedh vështrimin larg, aty ku sapo kishin filluar “grataçelat” e para shqiptare. Ndaj filloi ndërtimin e një sërë pallatesh shumëkatëshe, duke u radhitur një ndër kompanitë më serioze në fushën e ndërtimit. Por, ai nuk u mjaftua me aq. Shumë shpejt ndërtoi edhe objekte të një rëndësie të veçantë në sektorin e energjetikës, në fushën e ndërtimeve civile e industriale, ndërtimin dhe montimin e linjave të tensionit të ulët, mesëm e të lartë, në infrastrukturën, kanalizime, ujësjellësa, pastrimit dhe mbetjeve urbane, sipërfaqeve të gjelbërta etj. Sot, kur shikon komplekset e banimit pranë shkollës teknologjike, të ndërtuar nga “Bruçi” shpk, bindesh në seriozitetin dhe profesionalizmin e kësaj kompanie. Nga apartamentet e ndërtuara nga kjo kompani janë strehuar mbi 500 familje, mbi 70 mijë metra katror apartamente, dyqane, zyra dhe parkime. Në vitin 2002, kryeqyteti shqiptar, pas popullimit të shpejtë, doli emergjente nevoja e pastrimit, mbledhjes dhe depozitimit të mbeturinave. Ndërmarrja e pastrimit, që mbulonte Bashkia, nuk mund ta përballonte këtë fluks të madh. Faik Bruçi vendosi të marrë mbi supe një përgjegjësi të madhe. Vendosi të bëhej pjesë me shumë kompani shqiptare dhe të huaja në pastrimin e Tiranës. Me kuadro, punëtorë, por dhe me makineri, mori pjesën më të vështirë për pastrimin e kryeqytetit. Jo vetëm sot, por që nga viti 2002-2008 zona perëndimore, një ndër zonat më të mëdha të Tiranës, pastrohet nga firma “Bruçi” shpk. Pastrimi i Tiranës është një nga sektorët më të vështirë, por për këtë firmë serioze edhe vetë qytetarët flasin me admirim. Bashkë me punëtorët e pastrimit, një pjesë e mirë e administratës natën rrinte zgjuar. Mëngjesi e gjente gjithmonë zonën perëndimore të Tiranës të pastër.

Në vitin 2006 nga Institucioni i Vlerësimit të Suksesit dhe Cilësisë “Internacional Quality Croën Aëard” Londër, i ka akorduar Kompanisë “Bruçi” shpk dhe zotit Faik Bruçi, si administrator i saj, Certifikatën Ekselente të Cilësisë. Shoqëria “Bruçi” shpk ka realizuar një mori objektesh në fushën e ndërtimit si godina banimi si në qytetin e Tiranës dhe atë të Durrësit. Në fushën e pastrimit të qytetit të Tiranës kjo shoqëri me zotin Faik Bruçi në vitin 2006 është shpallur në listën e më të mirëve të bizneseve të atij viti. Po ashtu, me gamën e tij të pasur e të vlerësueshme ka ushtruar aktivitete në pastrimin e qytetit të Sarandës, të plazheve, etj. Në ambiciet e tij, si menaxhues i mirë dhe vizionar, vetë Faiku është pretendues dhe krijues edhe për të ardhmen. Ai po tenton të zgjerojë dhe të iniciojë edhe në fushën energjetikës si dhe në atë të turizmit. Kështu, momentalisht është bashkëpronar në hidrocentralin “Gjanç” në Korçë dhe ka aplikuar për të drejtën e realizimit të një impianti Fotovoltaik në Fushë-Krujë me kapacitet të konsiderueshëm për ta realizuar me sukses objektin dhe gjithë vlerën e investimit.
“Tirana Capital”, hoteli i rekomanduar  në qendër të Tiranës.
Nga viti 2011 e në vazhdim operon suksesshëm në fushën e hoteleri-turizmit, duke pasur sukses me tre godinat në qendër të Tiranës, “Tirana Capital Hotel”, “Bruçi 1, 2” si dhe është në pritje të lejes për një hotel tjetër, “Bruçi 3”. Hotelet e tij, fare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, vërtetojnë mjaft mirë cilësinë e shërbimit dhe komoditetit në qendër të Tiranës. Ato përbëhen nga 44 dhoma, recepsion, restorant, lavanteri dhe salla konferencash. Për të gjitha këto merr vlerësim maksimal nga klientët vendas e të huaj, sidomos për sa i përket pastërtisë, higjienës dhe shërbimit të kualifikuar, profesional e mbresëlënës. Në perspektivë, përveç zgjerimit të kapaciteteve dhe gamës së shërbimeve, në kuadrin e përmirësimit të ligjit për turizmin, mendohet që të rritet konkurrueshmëria në fushën e turizmit, duke futur edhe guidat turistike. Faiku kërkon që turizmin ta shtrijë edhe në Dibër, sidomos në vendlindjen e tij të dashur. Megjithëse infrastruktura nuk është e përshtatshme, ai nuk tërhiqet, ka plane e projekte për të ardhmen që turizmi malor të jetë me perspektivë në Dibër. Kur je në Katër Grykë, shkon nga shkon mendja, dashje pa dashje, të detyron mrekullia natyre të sodisësh. Syri përcjell bukuri të rralla, që ende kanë mbetur të virgjëra. Një ndër majat e larta të Katër Grykëve, është pa dyshim Runja e bukur, mahnitëse që, kur ngjitesh lart në majën e saj, e ke dhe Lurën ballë për ballë. Nuk janë larg njëra-tjetrës në vijë ajrore. Një distancë prej gjashtë kilometrash i ndan, që të dyja. Ballë për ballë shkojnë mirë me njëra-tjetrën. Shpesh herë është diskutuar ideja e një teleferiku nga maja e Runjës në Lurë, ku të promovohen fare mirë vlerat artistike të dyjave bashkë. Dhe kjo ide mund të realizohet në një të ardhme, nëse zona e Katër Grykëve si pushteti lokal, si biznesi vendas, si dhe vetë banorët e këtyre zonave, janë të interesuar për të thithur sa më shumë turistë të huaj për të parë këto mrekulli të natyrës. Vizioni për turizmin nga Katër Grykët në Lurë/Qysh në vitin 1966 Lura është shpallur park kombëtar. Televizioni shqiptar në vitin 1995 dha një reportazh, kur ende Lura është e gjallë, kur ende e kishte tamam statusin e të qenit park kombëtar, ku pikërisht këto filmime mund të jenë të fundit, që i japin shkëlqimin e Lurës, se më vonë fillon rrënimi dhe krimi ndaj saj. Ajo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me Lurën, këtë perlë të vendit tonë, është padyshim masakra më e pashembullt që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë ndonjëherë mbi pyjet, ekologjinë, mjedisin, natyrën. Lura është një padi e hapur, një akuzë e rëndë, e drejtpërdrejtë për pushtetmbajtësit e njëzet viteve të fundit, që nuk e ndaluan dhe nuk po e ndalojnë shkatërrimin e saj. Eh, këtyre panoramave u kanë mbetur vetëm fotografitë e dikurshme. Aparatet e sotme nxjerrin foto të grisura. Po, po, të grisura se u vjen era djegie, sopatë druvari, erë benzinë e vaj motosharrash. Por, pa u shtyrë më tej në historinë e dhimbshme të një parku turistik drejt shuarjes së plotë, pyetja që shtrohet sot me forcë është: A do të mundemi ta ringremë sërish Lurën nga humbëtira ku gjendet? Dhe, nga do t’i a nisim? Kur? Kush? Ashtu siç e shkatërruam të gjithë, na lipset të mobilizohemi po të gjithë për ta ribërë. Nëse është dikush që e ka kryer sadopak detyrën në këtë mes, kjo është media, kronikat dhe reportazhet e disa televizioneve. Shkatërrimi i Lurës ka qenë në radhë të parë fajësi shtetërore, ndaj është shteti që duhet të vihet në lëvizje i pari për rivitalizimin e saj. Shteti ka strategjitë, mjetet dhe kapacitetet e duhura, instrumentet ligjore, buxhetin etj. Kohët e fundit është folur se rruga për në Lurë është një ndër përparësitë e Qeverisë, por deri këtu ende mungon ai lajmi i mire megjithëse nga Kastrioti deri në Arras rruga vërtet ka përfunduar e me parametra bashkëkohorë. Nëse do të vazhdojë më tutje do të jetë një mrekulli. Nëse deri tani kemi disa tregues të turizmit bregdetar, nuk kemi ende asnjë tregues zyrtar të turizmit malor, pa shpërfillur ato kullat mikpritëse të Thethit, si diçka minore në këtë fushë apo luginën e Valbonës, Dardhën e Korçës etj. Po Shqipëria nuk është kaq. Fundja Faiku kërkon që turizmin malor ta shtrijë në Dibër, t’i japë përparësi kësaj treve ende të pazbuluar. Zona e Katër Grykëve me ato bukuri e mrekulli që ia ka falur natyra afron vërtet një turizëm malor të shkëlqyer si maja e Runjës, si tek liqenet e bukura të Kacnisë dhe kudo që të shkelësh këtu do të befasohesh me mrekulli që syri i njeriut nuk i ka parë në asnjë vend tjetër. Këtu dhe vetë pushteti lokal është i interesuar për ta kthyer këtë zonë në një turizëm malor, por problem mbetet infrastruktura. Në fakt, jo vetëm zona e Katër Grykëve, jo vetëm Lura, jo vetëm Kalaja e Dodës, por e gjithë Dibra, kudo që të shkelësh, është një mrekulli e turizmit malor që ende nuk është promovuar. Dhe Faik Bruçi i njeh mirë këto zona, i ka shkelur, i ka parë nga afër e shpesh në biseda të ndryshme me miq, shokë e koleg bëhet flamurtari i parë për të promovuar vlerat që mbart e gjithë zona e Dibrës në turizmin malor. Faik Bruçi, njeri kurajoz dhe me një vullnet të fortë, premton për më shumë. Ambica për punën i jep shtytje dhe asnjëherë nuk kënaqet me atë që ka bërë. Kërkon më shumë nga vetja, nga stafit që punon prej vitesh. Dita e tij e punës shumë e ngarkuar, vonë kur largohen të gjithë, Faiku del nga zyra, por telefonin kurrë nuk e mbyll. Pret në çdo orë të ditës dhe natës telefonata nga më të ndryshmet, sidomos tani që aktiviteti i tij është shtrirë edhe në fushën hotelerisë e turizmit.
Mbështetja për artin, kulturën e sportin/Faik Bruçi, veç kontributeve në kuadrin e biznesit dhe të aktivitetit ekonomik, ka edhe shume kontribute humanitare e në sponsorizime në fushën e artit, sportit, kulturës e vlerave patriotike e historike të Dibrës. Klubi sportiv “Korabi”në maj të vitit 2006 i ka dhënë Medaljen e “Mirënjohjes” “Për kontributin e dhënë në mbështetje të ekipit Korabit për arritjen historike të daljes në Superligë”. Faik Bruçi është një mbështetës i Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe “Bashkësia Dibrane” si dhe të gazetës “Rruga e Arbërit”, që në ditët e para të saj. Veprimtaria e Faik Bruçit si biznesmen, por edhe si kontributor dhe humanist, është një shembull i shkëlqyer i një qytetari të ndershëm dhe të mirë, i cili kurrë nuk e mbylli derën dhe zemrën për njerëzit në nevojë. Emri i tij është bërë tashmë i njohur për të gjithë komunitetin dibran dhe jo vetëm. Jeta dhe veprimtaria e tij, dhe pse larg vendlindjes, nuk është shkëputur kurrë prej saj. Shumë veprimtari të zhvilluara në Dibër apo në Tiranë, janë të lidhura ngushtë me vendlindjen dhe Dibrën, si në fushën e sportit, artit, kulturës, ndërtimit, turizmit dhe ato humane e bamirësie. Vlerat e tij të humanizmit janë të spikatura në promovimin e vlerave kulturore dhe historike të Dibrës në përgjithësi dhe veçanërisht të Katër Grykëve në veçanti. Ai është jo vetëm ndërtues dhe biznesmen i suksesshëm, por edhe mjaft dashamirës i futbollit dibran. Kontribute të tjera nuk kanë munguar në art e kulturë, ku ka mbështetur vazhdimisht studiues e shkrimtarë dibranë si: Hilmi Kolgjegja, Xhafer Martini, Hysen Dervishi, Shaqir Skarra. Kohët e fundit, Faiku ideoi dhe sponsorizoi dokumentarin “Katër Grykët e Dibrës”, të shfaqur nga RTSH si dhe videoklipin e Lam Tahirit të shpallur “Qytetar Nderi “ i Katër Grykëve. Ai do të vazhdojë edhe më tej të lërë gjurmë dhe histori me vlerat e tij më të mira, më të spikatura patriotike dhe njerëzore. Për të tillë njerëz vërtet Dibra ka dhe do të ketë gjithmonë nevojë.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular