Ky tekst është shkruar për bashkatdhetarët në SHBA nga njeri prej pjesëmarrësve të mbledhjes së Pezës, Halim Begeja (1917-1977), një prej shqiptarëve më të kulturuar të emigracionit politik, diplomuar për drejtësi në Francë. Gjatë luftë ai u anëtarësua në organizatën Balli Kombëtar. U largua nga Shqipëria në Italia me vendosjen e pushtetit prej komunistëve. Vdiq në SHBA. Pjesa e mëposhtme është administruar në dosjen e ndjekjes së tij në emigracion nga regjimi komunist. Në të do të gjeni historinë siç ai e di. Autori për të qenë më i kuptueshëm, mbledhjes i është referuar me termin e njohur në atë kohë si “konferenca e Pezës”. Kjo është dëshmia më e plotë rreth mbledhjes së shtatorit 1942 e një protagonisti.
Kastriot Dervishi
***
Dëshmia e Halim Begesë
Motrave dhe vëllezërve shqiptarë të Amerikës! Populli shqiptar po kalon tragjedinë më të tmerrshme që ka parë bota. Vrasjet, burgosjet, torturimet ndër burgje dhe çnderimet janë të përditshme. Mjafton të lexoni gazetën e vetme komuniste “Bashkimi” për me konstatue ju vetë ekzekutimet e shqiptarëve të pafajshëm. Shefqet Beja- nënkryetar i Frontit komunist, së bashku me 15 të tjerë u ekzekutua më 10.10.1947; janë për t’u ekzekutuar akoma 250 intelektualë. Numri i shqiptarëve të vrarë nga komunistët arrin shifra të pabesueshme. Dikush mund të pyesë: pse vallë gjithë ky masakrim: do ta zgjidhim këtë pyetje sikur t’i hedhin një sy historisë së popullit shqiptar. Serbia e dikurshme, e lidhur ngushtë me imperializmin e Carit që kërkonte aneksimin e Shqipërisë dhe shfarosjen e popullit shqiptar (lexoni librin “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Edit Durhamit), është po ajo Serbi e sotme që vret e pret popullin tonë. Ndryshimi është se Mark Dushani i Cari, sot quhet Dushani i Stalinit dhe i Titos. Jugosllavia e sotme komuniste kërkon të mbajë Kosovën shqiptare ashtu siç kërkoi me përvetësue Triesten e Italisë. Për 25 vjet me radhë, Jugosllavia nuk lejon asnjë shkollë shqipe në Kosovë, çdo intelektual shqiptar ishte një armik për serbët. intelektualët e Shqipërisë së 1913-s arrijnë një numër të madh, padyshim formojnë një rrezik për Titon, e pra duhen zhduk. Dhe Enver Hoxha e Koçi Xoxe, agjentët e Titos, kanë vendosur ta shfarosin popullin tonë dhe racën tonë. Ky është procesi logjik i tragjedisë që kalon populli shqiptar. Prandaj dhe lufta që kanë bërë komunistët e Enver Hoxhës kishte për qëllim jo luftën kundër armikut zaptues, pse këtë e ka bërë vetëm Balli Kombëtar, por luftën se si të shfarosin racën arbërore. Duke pas parasysh se motrat dhe vëllezërit e Amerikës kanë qenë larg intrigave komuniste që zhvillohen në Shqipëri, po marr mundimin t’i shkruaj ekzaktësisht zhvillimet e konferencës së Pezës, në të cilën përgatitej varri i Shqipërisë dhe terrori kundra shqiptarëve. Në gusht 1942, Kominterni kish dhënë urdhër partive komuniste: “Tash për tash, fronti komunist do të quhet fronti nacionalçlirimtar dhe në çdo vend do të krijohen këshilla nacionalçlirimtare”. Ishte e natyrshme që ky urdhër t’i komunikohej agjentit të Titos, Enver Hoxhës. Në këtë kohë, Partia Komuniste filloi të propagandojë formimin e Këshillit Nacionalçlirimtare. Kjo parullë ishte vetëm për të mashtruar dhe maskuar qëllimet e tyre imperialiste-terroriste. Kjo konference ndahet ne 4 faza:
1-Si u përgatit konferenca e Pezës?
Siç thamë më lart, Tito kish dhënë urdhër që të formohej Fronti Nacionalçlirimtar. Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Koço Tashko, Nako Spiru, Mustafa Gjinishi, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko, Baba Mustafa i Martaneshit, Muharrem Butka, të gjithë këta me 1942 janë anëtarë të Partisë Komuniste. Bile kanë me kenë po këta persona që do të trillojnë Konferencën e Pezë, duke i dhënë përfaqësitë e ndryshme vetes së tyre. Vendi i mbledhjes ishte caktua Peza, katund afër Tiranës. Data e hapjes së konferencës ishte caktuar 14 shtatori. U bë më 16 shtator për arsye se priteshin nacionalistët si Skënder Muço (i vrarë nga shqiptaret e bastarduar) dhe Azis Çami (i vrarë me vonë nga komunistët). Pritesh dhe përfaqësuesi i Mit’hat Frasherit, i cili kish dërguar vetëm si asistues (vrojtues) Halim Begejën. Kjo ndodhte sepse elita nacionaliste e kishte kuptuar grackën kuqalashe. Për t’i dhënë fuqi me bindëse gënjeshtrës se tyre komunistet kishin sjellë në Pezë pothuaj të gjithë partizanet nga të gjitha anët e Shqipërisë e që në atë kohë nuk arrinin numrin 300. Po në Pezë fshehtësisht mbahej Miladini dhe Dushani, agjentët kryesorë të Titos, të cilët jepnin urdhra dhe instruksionet e duhura.
2-Si kërkuan komunistet te zhvillohej konferenca e Pezës?
Jemi mbledhur në shtëpinë e Myslim Pezës. Ymer Dishnica me një listë emërore në dorë thërret emrat, gjoja, sipas përfaqësisë, që të hyjnë në dhomën e Konferencës dhe tekstualisht në këtë mënyrë.
Abaz Kupi (përfaqësues i çetave nacionaliste),
Ndoc Çoba (përfaqësues i katolicizmit nacionalist),
Kamber Qafmolla (përfaqësues i xhandarmerisë, nacionalist),
Ramazan Jarani (përfaqësues i intelektualeve nacionaliste),
Halim Begeja (përfaqësues i rinise nacionaliste, nacionalist),
Ismail Petrela (përfaqësues i rinise nacionaliste),
Enver Hoxha (përfaqësues i çetave të Partisë Komuniste),
Ymer Dishnica (përfaqësues i çetave të Partisë Komuniste),
Nako Spiru (përfaqësues i rinise komuniste), Baba Mustafaj (përfaqësues i çetave bektashiane, komunist),
Zonjusha Xhuglini (përfaqësuese e grave komuniste),
Ramadan Çitaku (përfaqësues i çetave komuniste),
Myslim Peza (përfaqësues i çetave komuniste),
Koço Tashko (përfaqësues i çetës se intelektualeve komuniste),
Muharrem Butka (përfaqësues i çetave komuniste te Korçës),
Mustafa Gjinishi (pa votë, sekretar i mbledhjes – komunist), Mustafa Kaçaçi (dëgjues, komunist).
Kjo ishte lista qe u paraqit. Siç e shihni, pa qenë nevoja t’u them diçka, e kuptoni se ishte formuar për të trilluar një gjë që nuk ekziston, sepse siç e thashë me lart, neve s’kishim asnjë cilësi përfaqësuesish. Secili prej nesh shkoi si individ. Porsa u paraqit lista, i unë pata kurajën t’ua thosha në sy se me këtë liste ata donin të spekulonin dhe se me këta tituj, ne nuk hynim aspak në bisedime. Mbas një bisedimi të rreptë u pranua prej tyre që të procedohej pa përfaqësi dhe se do të ishte një mbledhje e zakonshme për të koordinuar veprimet.
3-Si u zhvillua konferenca e Pezës?
Nuk ishim akoma në karriget e caktuara, kur Enver Hoxha propozoi për në kryesi të mbledhjes Kamber Qafmollën me anëtarë Ndoc Çobën dhe Abaz Kupin. S’ka dyshim se me marrë këto persona, komunistet donin të komprometonin pjesëmarrjen e nacionalizmit e që më vonë ta trumbetonin, ashtu siç përfituan prej emrit të Abaz Kupit, ku vranë, prenë dhe grabitën edhe në emër të tij. Ata që na ranë në sy përnjëherë ishin Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Koço Tashko (komunistë), të cilët kishin me vete shumë letra të shkruara e që më vonë na i lexuan sipas programit të tyre të caktuar. I pari merr fjalën Ymer Dishnica. Gati për dy orë flet mbi gjendjen politike të brendshme e të jashtme të Shqipërisë, duke e theksuar qysh atëherë bashkëpunimin me Rusinë Sovjetike (siç). Fjalimi i tij qe jotërheqës, sepse ishin përsëritje jo të rastit. Me rastin e fjalimit të Dishnicës hapen bisedime të rrepta, sepse indirekt u fillua të kritikoheshin krerët e nacionalizmit, të cilët kishin kap armët dhe penat kundër fashizmit zaptues. Ramazan Jarani, një nga prijësit e revolucionit shqiptar, merr fjalën duke lut komunistët që mbledhjes të mos i jepnin karakter grindjesh dhe akuzash, sepse po të hynim në akuzime do t’iu provonim se këmishën e zezë të fashizmit e veshën të ashtuquajturit komunistë dhe se ne nacionalistet s’kemi të bëjmë me asnjë fashist, qoftë ky italian apo shqiptar. Fill pas prijësit të revolucionit –fola unë Halim Begeja. Kërkova që të mos quhet kongresi i popullit shqiptar, sepse ne s’ishim përfaqësuesit e tij, e për më tepër këtu ishim si individë dhe si të tille formonim vetëm një mbledhje të rastit për të koordinuar veprimet e ndryshme kundra armikut. Populli shqiptar do të flasë vetë populli kur të jetë i lirë. Në qoftë se flitni kundra nacionalizmit, dimë t’u themi vetëm dy fjalë: “Asht vetëm për hir të frymës nacionaliste, që flasim gjuhen shqipe, është për hir të nacionalistëve që janë bërë kaq revolucione kundra zaptuesve dhe kundra padrejtësive të qeverive në fuqi dhe është po ai nacionalizëm që do të shpëtojë popullin shqiptar dhe Shqipërinë etnike. Një zë nga dëgjuesit (komuniste) pëshpëriste: “Çdo të thotë Shqipëri etnike?” – Dua të them atë Shqipëri etnike që nuk doni ju me ia dëgjuar zërin d.m.th. Shqipërinë e 1913-s me Kosovë. Sikur ju të kishin dasht Kosovën, këtu do të shihnim së paku një kosovar nominal, siç jemi ne, por padroni i juaj nuk ju lejon që ta shkoni në hatër emrin e Kosovës. Ju flitni në emrin e popullit shqiptar duke mos llogarit aspak Kosovën”. Kryetari i mbledhjes, Kamber Qafmolla lajmon të mbyllim bisedimin në orën 21 për arsye se gjakrat janë të tronditur.
17 shtator 1942
Të nesërmen d.m.th. më 17, flet për 3 orë rresht me letër përpara demagogu Koço Tashko. Ky një ore foli për Avni Rustemin (për te cilin s’ishte vendi dhe çasti) duke nxjerrë se Avniu paska qenë komunist. Mbas kësaj teme të mërzitshme flet se të gjitha revolucionet që janë bërë në Shqipëri paskan qenë komuniste. Ne ia lëmë lexuesit ta gjykoje marrinë dhe absurditetin e Tashkos. Gjithashtu flet kundra Zogut dhe qeverisë së tij, të cilët sipas tij kishin “grabitur popullin shqiptar”. Nga ky bisedim, Abaz Kupi flet për të parën dhe të fundit herë dhe thotë: “Kemi ardhur për t’u bashkuar dhe të përballuar rrezikun dhe jo për të sharë njëri-tjetrin”. Demokrati i patrembur Ismail Petrela (i vrarë më vonë nga komunistët) shton se këtu s’kemi ardhur të dëgjojmë pallavrat e atyre si Tashko, që kanë lëpi sahanët e Ahmet Zogut duke marrë rroga e më vone duke ngrënë makaronat e Duçes. Nëse ka kundërshtar këtu në këtë dhomë kundra Zogut jam unë por s’është nevoja me folë për gjëra që tash nuk na hyjnë në punë. Ne kemi për qellim të luftojmë jo vetëm fashizmin, por të kërkojme mbajtjen e Kosovës shqiptare, sepse është në rrezik të përpihet nga serbët e Titos. (Dëgjuesi komunist flet: Tito është aleati ynë). Ismaili vazhdon drejt dëgjuesve: “Po është aleat për të na marre Kosovën. Ai që ka këtë mendim është tradhtar dhe ne s’kemi të bëjmë me të shitur. Dallaveret që mundeni të bëni kundra nacionalizmit ne nuk i bëjmë”. Nuk mjaftoi Tashko që na e çau kokën me historinë e imagjinuar, por tash Babai i Martaneshit, i emëruar Baba Faja, i shquar për mençuri false, flet me një pompozitet, a thua se është përpara një turme të madhe. Edhe ky si Tashko bëri detyrën që i kishte ngarkuar komunizmi: të flasë për aktivitetin e Partisë Komuniste duke filluar prej 1937, me Qemal Stafën, Vojo Kushin e të tjerë. Njëkohësisht komunistët ftojnë të flasë Muharrem Butka, i cili edhe ky ia fillon historisë së Korçës. Ismail Petrela i mërzitun, i përgjigjet: “Hane shan hane Bagdat” (d.m.th. ku është fjala ku flet ti).
***
Jemi në mbledhjen e pasdrekës. Enver Hoxha me letra përpara ekspozon formimin e KNÇl, qëllimi i të cilit ishte vetëm lufta kundra fashizmit, por që fshihte hapur luftën kundër nacionalizmit shqiptar. Luftën, Enveri, e ndau në dy pjesë: luftë partizane dhe luftë vullnetare. Partizanët si shenje dalluese do të mbanin flamurin kuq e zi me një yll sipër koke dhe vullnetaret pa yll. Por, që të dy do formonin nacionalçlirimtaren, e cila i impononte një statut prej 54 nenesh. Mirëpo çka ishte e bukur se ndërsa Enveri fliste që këshillat t’i emëronte populli (sigurisht për të hedhur hi syve), i impononte statutin këtyre këshillave, që ishin të detyruar zhvillimin e programin që Enveri paraqiste. Ku ishte autonomia e popullit, kur këtij i imponohesh një statut? “KNÇl administronte sipas Enverit, Shqipërinë e 1913-s. Për sa u përket tokave që fashizmi i ka aneksuar Shqipërisë, ne nuk i pranojmë. Këto vende bënin pjesë në juridiksionin e Partisë Komuniste në Jugosllavi, e cila do të na i japë më vonë me një traktat (oh ironi e fatit! Qysh atëherë Enveri e kishte shite Shqipërinë, shumë me keq seç e shiten fashistët shqiptarë). Ne nuk e pranojmë që Mustafa Kruja të na e japi Kosovën me anën e italianëve. Ajo që na ve përpara një fait accompli është se Enveri propozon votimin e këtyre pikave:
1-Formimin i Këshillit nacionalçlirimtar
2-Pranimi i Statutit nacionalçlirimtar
3-Nënnshkrimin e një relacioni të gjatë ku lajmërohej populli shqiptar të merrte njoftim, sigurisht njoftim për diktaturën e re që po i paraqitej.
Enveri në fund të bisedës, me një apel të nxehte kërkon me insistim të votohet programi komplet i paraqitur. Ishte çdo gjë e përgatitur me plan. Halim Begeja rezervon të drejtën e përgjigjes gjatë bisedës së Enverit. Kur Enveri kërkon votimin, kryetari i mbledhjes deklaron mbledhjen e mbaruar për të folur të nesërmen ana kundërshtare.
18 shtator
Flas unë sërish. Qëllimi i ardhjes sonë këtu, së paku për pjesën tonë, kjo për të bërë një bashkim për hir të interesit kombëtar, me duket se nuk po merret parasysh. Çudi me vjen se si Enver Hoxha na propozon dy lloj frontesh me shenja të veçanta: njëri vullnetar dhe tjetri partizan. Në rast se ne do të kishim dëshirën të kishim dy lloj frontesh, qe mirë që të mos vinim këtu për biseduar dhe të vazhdonim të ndarë në ide dhe në taktikë lufte. Ne këtu kemi ardhur për të bërë një front të përbashkët për shpëtimin e Shqipërisë. Njoh fare mirë se ç’është komunizmi dhe e di se s’ka të bëjë aspak me ndjesitë kombëtare, por bazohem në shprehjen tuaj që thoni se duam të shpëtojmë Shqipërinë. Jam i ndërgjegjshëm qysh tash se ndarja e frontit nuk asht mendim shqiptar, por qëllimi i keq i të huajve. Në rast se juve ju dhimbet Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të pranoni vetëm një front me flamurin kombëtar në krye. Ylli sipër flamurit nuk është ma e pakte se sëpatat e fashizmit dhe për rrjedhoje jo me pak tradhti se sa ajo e fashizmit për shqiptarët. Programi procedural i nacionalçlirimtares, i përpiluar, nuk dimë prej kujt, nuk mund të bisedohet e të firmoset nga ne, që nuk kemi asnjë cilësi përfaqësuese. Aq ma pak mund të flasim për një statut, i cili mund të vendoset vetëm prej një parlamenti apo një asambleje. Nuk kuptoj se ne ç’mënyrë e koncepton demokracinë Enver Hoxha kur ky i imponon popullit qysh tash norma diktatoriale. Ajo që më bën të dyshoj mbi qëllimet e këqij tujat është se paskeni përgatit edhe relacionin. Ne dimë se relacioni i një mbledhjeje është rrjedhim i bisedimeve mes palëve. E di fare mire se për ju Kosova është e serbëve dhe se ju punoni për t’i përforcuar aspiratat e grabitjes së Kosovës shqiptare nga serbët. Qysh valle Kosova bën pjesë në juridiksionin e Partisë Komuniste? A nuk ju dhimbet ndopak populli shqiptar, i cili qysh prej 1878-s torturohet, vritet e çnderohet nga serbët. Kërkoni akoma ta vritni dhe torturoni po nga serbët? Për të gjitha arsyet që shfaqa, deklarohem kundërshtar i të gjitha propozimeve tuaja dhe jo vetëm që nuk jap votë, por as që pranoj të votoj. Dhe nuk besoj kurrë të ketë shqiptar që të firmose një akt me të cilin i bahet varri Shqipërisë. Valle pse nuk na thotë Enver Hoxha se mbas fitimit të luftës populli ka për të votuar përfaqësuesit e tij? Dhe, ne anën tjetër, pse nuk konsiderohen të gjithë armiq ata që do te shkelin tokën shqiptare? Ne qyshse kemi pushkët në krah jemi kundra fashizmit dhe s’ka nevoje ë na e dokumentojnë të tjerët. Nacionalizmi është mik me të gjithë kufitarët që nuk cenojnë të drejtat tona dhe armik me cilindo që na shkel të drejtat kombëtare. E për konsekuencë nesër do të jemi edhe kundra Serbisë së madhe, qofte kjo nen flamurin e kuq apo të Carit, në rast se do ta në vijë në vatrat e Shqipërisë (Nëse shkruaj hidhem me mend në Shqipërinë e sotme, e cila asht bërë vendi i terrorit të sllavizmit kundra shqiptarëve të vlefshëm). Një dialog i zjarrtë shkaktohet midis meje dhe Tashkos. Ky i fundit, komunist, kërkon të mbrohet me teza të kota, aq sa arrin te thotë se flamuri, fundi i fundit, është një copë rrecke. Tashko ofendohet shume rëndë aq sa arrihet që duart të shkojnë në armë. Mirëpo Myslim Peza, si shqiptar me zakone, i del zot Begesë e shokëve të tij, duke deklaruar se po të preken këto persona, gjakun do e marr unë, mbasi këta janë miq në shtëpinë time. Mbledhja shpërndahet për një orë pushim në baze të propozimit te Mustafa Gjinishit. Në kopshtin e shtëpisë ku bëhej mbledhja pranë një fiku mblidhemi duke biseduar: Abaz Kupi, Ramazan Jarani, Myslim Peza, Ismail Petrela, Ndoc Çoba dhe Halim Begeja. Abaz Kupi na fton që të firmosim programin dhe statutin e nacionalçlirimtares dhe se mos të kishim frikë nga komunizmi, sepse ai (Abaz Kupi) do t’i mposhte komunistët brenda 24 orëve. Begeja përgjigjet: “Abaz Aga llogaritë i bën gabim. Veç kësaj zotnia juaj mund të firmosni mbasi përfaqësoni një pjese të popullit, por ne qe jemi individë nuk mund të marrim këtë përgjegjësi katastrofale për Shqipërinë. Mbaje mend Abaz Aga, se akti juaj që doni t’i bëni sot Shqipërisë do t’i kushtojë shumë gjak e dëm”. Me gjaknxehtësi i përgjigjet Bazit, Ismail Petrela, i cili thotë: “Sot ke me firmos me dorën tënde varrimin e Shqipërisë etnike. Ndoshta ne nuk do ta gëzojmë, por dije që ne do të luftojmë kundra gjithë tradhtareve. Nëse ti do firmosësh nuk bën tjetër veçse tradhton nacionalizmin”. Ndoc Çoba dhe Ramazan Jarani mjaftohen t’i thonë se ne nuk firmosim. Konferenca rifillon me një fjalim të zjarrte të Nako Spirut, i cili si përfundim kërkon votim pa marrë parasysh njerëzit që duan të sabotojnë (dëgjuesit thonë: “reaksionarët nuk firmojnë”). Ramazan Jarani me një apel të zjarrtë, në kundërshtim me atë të Nako Spirus, kërkon të mos votohet për ndarjen e popullit shqiptar, i cili sot po vritet nga fashizmi e nesër të vritet vëlla me vëlla. Dhe në entuziazëm e sipër shton: “Amani bre djem, mos kërkoni ju në rast se keni gjak shqiptari, mos e tradhtoni racën tuaj, e cila është në rrezik të zhduket nga armiqtë shekullore. Mosni or djem, mos u tërhiqni nga të huajt, pse i huaji kurrë nuk mund t’ju dojë në rast se nuk ka interesin e tij”. Çdo gjë ishte e kotë, pse ishte e paravendosur mënyra që u kishte caktuar padroni i tyre Tito. Prandaj dhe tri pikat e propozuara nga Eever Hoxha prej komunisteve nuk u nënshkruan nga Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Ismail Petrela dhe Halim Begeja, kurse Abaz Kupi dhe Kamber Qafmolla e nënshkruan.
4-Si u zgjodh Këshilli Nacionalçlirimtar?
Këshilli Nacionalçlirimtar u votua në këtë mënyrë:
Abaz Kupi, Myslim Peza, Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla, Baba Faja, Koço Tashko.
Abaz Kupi deklaron se ne vendin e tij lë Mustafa Gjinishin (komunist) mbasi nuk mund të lëvizë shpeshherë.
Shënim:
1-Kur kishte mbaruar konferenca, arrin në Pezë Azis Çami e Skënder Muço. Komunistët shpresuan se mund të gjenin favorizimin e tyre, që së paku relacioni të formulohej prej tyre. Mirëpo këta të dy demokratë, porsa u informuan me zhvillimin e konferencës, u deklaruan haptas kundërshtarë të një gjëje të tille dhe nuk nënshkruan gjë.
2-Ai që ju flet jam unë Halim Begeja, që mora pjesë vetë në Konferencën e Pezës dhe jam dëshmitari më i mirë i asaj manovre të komunizmit, pasi e pashë me sytë e mi. Unë që flas kam luftuar fashizmin qysh në ditët e para të 39-s, atëherë kur s’kisha veçse 22 vjet. U burgosa nga fashizmi në Tiranë me 2 tetor 1939. Ndenja 6 muaj në burg. Më vonë më çuan në ishullin e tmerrshëm të Tremitit në Itali. Mbas internimit në Siena më pritën malet e Shqipërisë duke qenë në krye të çetës nacionaliste të Ballit Kombëtar “Rini përpara”, ku luftova për lirimin e Shqipërisë, sa me pushke sa me pendë.
E parashtrova këtë shënim biografik timin, për mos me i lanë rast profesionisteve gënjeshtare, dua me thanë komunistëve, që t’ju gënjejnë se ju flet ndonjë fashist, etj. E gjej të nevojshme të deklaroj se jam gati t’i përgjigjem pa hezitim çdo shqiptari të ndershëm për çdo pyetje. Enver Hoxha me shokë sigurisht do mundohen t’ju gënjejnë me ndonjë mënyrë, por unë jam gati t’i nxjerr falco edhe këtë radhe, duke jua provuar me fakte të gjalla. Kërkoj ndjese nga lexuesi për ekspozimin e emrit tim gjate përshkrimit të Konferencës së Pezës. E bëj këtë gjë se këtu në emigracion s’ka asnjë që të ketë qenë prezent në atë konferencë.
Dr. Halim Begeja
Regio Emiglia
6.1.1948