BallinaOP EDArsimi si poligon i politikës

Arsimi si poligon i politikës

spot_img
spot_img
Nga Sokol Gjoni
 
Të pohosh që gjendja në arsimin shqiptar është shumë e keqe, madje në shkallë alarmante, nuk ke thënë asgjë përtej një klisheje të mërzitshme dhe një kakofonie cingëritëse për dikasterin e arsimit, i cili përpiqet ta sfumojë përmes pompozitetit të shfaqjeve burleske të ministres.
 
Të panoramosh realitetin e paperspektivë në të cilin kridhet arsimi shqiptar, është as më shumë dhe as më pak një buzëqeshje stërmunduese për ministren dhe stafin e saj të zhytur në miopinë e politikave zhvillimore mbi arsimin. Nëse përpiqesh të kuptosh zymtësinë e këtij realiteti, mjafton një vështrim i shpejtë në aktet nënligjore që nxjerr dikasteri përkatës dhe aty lehtësisht mund të qartësohesh në filozofinë që ndiqet, duke orientuar sistemin arsimor drejt politizimit të tejskajshëm.
 
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kjo për faktin se nëse të gjithë pajtohemi se shteti është i kapur nga bandat politike, si mund të besojmë se jashtë kësaj kapjeje ka mbetur dhe arsimi!? Përkundrazi, arsimi është sistemi më i politizuar në Shqipëri dhe më i kapuri nga darat e klientelës politike. Mjafton një vështrim i beftë për të krijuar qasjen e duhur të politizimit të tejskajshëm të këtij dikasteri, si dhe të zhvillimeve regresive që i ofron “gjeneratës tjetër”.
 
Kaotizmi dhe butaforizmi janë kolonat që mbajnë këtë ngrehinë, e cila yshtet në korsinë e shterpësisë së vizionit për një standard integrues të arsimit shqiptar. Nga skaji verior, e deri më jug të vendit, përfshirë dhe qendrat e urbanizuara, sot, sistemi arsimor në tërësinë e tij, përveçse i dështuar, në aspekte të veçanta ka prodhuar dhe reminishencat e totalitarizmit.
 
Drejtorë shkollash, të cilët përtej meritës dhe kriterit profesional që mungon dukshëm në cv-të e tyre, dhe shpeshherë rastësorë në arsim, janë emërime qartësisht politike, dhe madje me flagrancë proceduriale, duke shkallmuar përpjekjen serioze të implementuar në Ligjin 69/2012 për nxjerrjen e arsimit nga kthetrat e politikës. E gjitha kjo nuk është e pamenduar dhe e paqëllimtë nga ana e përfaqësuesve të kësaj ministrie, e cila duhej të ishte flamurmbajtëse e reformave integruese në këtë sektor, ndoshta më i rëndësishmi për sensin e aspiratave tona.
 
Kjo për shumë arsye që dihen, meqë arsimi dhe punonjësit e tij janë një mundësi e mirë për t’u targetuar nga politika dhe për t’u stampuar si mall elektoral…!!!
Arsimi është parë nga qeverisja aktuale si “lëkura e dashtë”, ku me çdo mjet apo përmes çdo mekanizmi duhet mbërthyer në darat e saj.
 
Dhe më mirë se përmes dhunimit të dinjitetit profesional dhe civil të mësuesve, të shantazhimit dhe të ushtrimit të ndikimit politik nëpër institucionet arsimore, të mosmbajtjes së premtimeve që iu jepen mësuesve nëpër fushata, të mohimit të të drejtave të tyre, të mosinvestimeve nëpër objekte mësimore, të akteve nënligjore shpeshherë deri dhe në absurd, nuk ka se si të ndërtonte piketat e një strategjie për të mbajtur të uzupuar politikisht këtë armatë të madhe punonjësish, të cilëve ministrja u dërgon “përqafime” në prag festash të fundvitit, por asnjëherë gjatë këtyre 5 viteve nuk u dha atë që u takon me ligj, shpërblimin vjetor.
 
Të vjen keq kur sot, dëshpërimisht konstaton se shkollat janë poligon ku ushtron ndikimin e saj politika dhe ku punësohen militantë partiakë.
 
Belbëzime reformash kurrikulare, zvarritje pa sens deri në cfilitje e proceseve përafruese me standardet e arsimit të Europës ku duam të shkojmë, retorikë e mbushur me propagandë partiake, drejtues institucionesh, që, më shumë se matrapazë e dallaveraxhinj, janë injorantë që analfabetizueshëm udhëheqin institucionet e dijes dhe promovojnë iluminimin arsimor e shkencor të shoqërisë shqiptare, përbëjnë vitrinën e sistemit arsimor të Shqipërisë së shekullit të XIX-të.
 
E dhimbshme, vërtet! Çfarë regresi është bërë në këtë sektor!
 
Të mendosh që mësuesit, sot thirren për të mbushur sallat e kryeministrit, të minstres apo të çdo tekanjozi e karagjozi tjetër që e lidh veten e tij me pushtetin, është padyshim e dhimbshme, e trishtë, por dhe e pafalshme.
Nuk ka kategori shoqërore ndër ne, që aq me përbuzje ka përjetuar tranzicionin.
Mësuesit vërtet janë dërrmuar nga kjo gjendje. Ata më nuk e kanë hall gjendjen e rëndë sociale, por kanë hall gjendjen e tyre shpirtërore, sepse tashmë ata nuk janë personat që gëzojnë respektin e duhur, sepse politikat e ndjekura nga dikasteri e kanë bjerrur shpirtërisht qënien mësues.
 
Ata e kanë të qartë, se po synohet me çdo formë që të bëhen instrumente në duar të politikës dhe si të tillë nuk duhet të durojnë këtë gjendje.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular