Reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja si SPAK dhe BKH, ishin në fokus të takimiT që kreu i KLP, Gent Ibrahimi zhvilloi sot me zyrtarin gjerman, Christian Lange. Lange, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit prej dy ditësh po qëndron në vendin tonë në kuadër të një vizite zyrtare. “Lufta kundër korrupsionit është kushti dhe prioriteti kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE” u shpreh zyrtari gjerman në takimin me kreun e KLP.
“Për 9 muaj, KLP ka menaxhuar mjaft procese sfiduese si ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Në javët në vijim, KLP duhet të marr një vendim për sa i përket numrin e prokurorëve me të cilët mund të ngrihet SPAK.Besoj se tetori do të gjej vendin me SPAK dhe Prokuror të Përgjithshëm”” u shpreh Ibrahimi.
Një ditë më parë, ambasada gjermane në Tiranë, publikoi deklaratën e Lange, bërë pas takimeve me krerët politikë.
“Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën. Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.
Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.” u shpreh Lange një ditë më parë.