BallinaAktualitetDëshmia makabre: Komunistët i prenë kokën xhaxhait tim dhe ia hodhën në...

Dëshmia makabre: Komunistët i prenë kokën xhaxhait tim dhe ia hodhën në greminë. Amaneti që zbuloi trupin

spot_img
spot_img

Rrëfimi i ish-ndimësmjekut Kel Vata, për historinë tragjike të xhaxhit të tij, Gjergj Vata, ish-Qarkomandant i Shkodrës dhe nënkryetar i Komitetit të Maleve, të cilin e kishin vrarë njerëzit e Sigurimit në vitin 1946 dhe pasi e kishin grabitur, i kishin prerë kokën me sëpatë dhe ia kishin hedhur në greminë. Gjetja e eshtrave u bë e mundur pasi Prenush Nika nga Shllaku, i kishte thënë Gjelosh Dodës: “Unë po des, po dua me të lënë një amanet që do ma mbajsh sekret të madh se e kam brengë në shpirt. Në qoftë se vjen ndonjëherë koha dhe Gjergj Vata ka njeri të gjallë, m’i thoni se këtu në kët vënd kam varros me duart e mia atë burrë trim”.

Vetëm aty nga fillimi i vitit 1991 kur po shëmbej regjimi komunist, unë fillova që të interesohesha për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim, major Gjergj Vatës, ish-Qarkomandantit të Shkodrës. Pas shumë kërkimesh, me ndihmën e disa miqëve të mij në zonën e Dukagjinit, unë arrita që t’ia gjej vëndin ku e kishin groposur në zonën e Shllakut. Por kur e hapëm varrin, mundëm të gjenim vetëm eshtrat e trupit, sepse kafka e kokës mungonte krejtësisht”. Njeriu që flet dhe dëshmon për atë ngjarje tragjike, është 78-vjeçari Kel Vata, ish ndihmës mjek në qytetin e Shkodrës, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbëshme të familjes së tij dhe xhaxhait, major Gjergj Vatës, ish-Komandant i Qarkut të Shkodrës që u vra dhe u masakrua në mënyrën më barbare nga forcat e Sigurimit të Shtetit në vitin 1946.

foto galeri

foto galeri

 

  • foto galeri
  • foto galeri

Familja Vata nga Temali
Gjergj Vata u lind në 14 mars 1914-të në fshatin Temal të Prefekturës së Shkodrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i Gjergjit, Vat Gjeloshi, në vitin 1878 kishte shoqëruar përfaqësuesit e Malsisë së Dukagjinit, Gjek Beg Shllakun, e Mar Lulën, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Aty nga viti 1905-së, familja e Vat Gjeloshit, për arsye ekonomike u shpërngul nga fshati Temal dhe u vendos në Lagjen Arra e Madhe në qytetin e Shkodrës. Gjatë atyre viteve, Vat Gjeloshit i lindën katër djemë dhe një vajzë, që ua quajtën: Kolë, Gjon, Gjergj, Luçie dhe Lorenc.

Djali i madh, Kola, i cili u lind në vitin 1900-të, pasi mbaroi Kolegjin Saverian me rezultate të shkëlqyera, hyri në punë tek disa tregtarë të mëdhenj të qytetit të Shkodrës. Në qershorin e vitit 1924, Kola u mobilizua si ushtar në forcat fanoliste të udhëhequra nga Rexhep Shala, duke u caktuar në batalionin e komanduar nga Vas Kiri.

Gjatë marshimit që bëri ai repart për në Tiranë (më 8 qershor 1924) me qëllim për të rrëzuar Qeverinë e Shefqet Vërlacit, Kola mbeti i vrarë në një përpjekje me forcat qeveritare në fshatin Balldre të Lezhës. Që nga ajo kohë dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, familja e Vat Gjeloshit mbeti në një armiqësi të përhershme me Mbretin Zog. Pas vrasjes së Kolës, djali tjetër i Vat Gjeloshit, Gjoni, mbeti në shtëpi për t’u kujdesur për problemet e familjes, ndërsa Gjergji, mbaroi me rezultate të shkëlqyera gjimnazin e fretënve “Ylliricum” në qytetin e Shkodrës. Ndërsa djali i vogël i familjes, Lorenci, pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, punoi si nëpunës në administratën vendorë të Prefekturës së Shkodrës, nga ku mundi që të fitonte një të drejtë studimi për të studjuar në universitetin e Bolonjës në Itali.

Gjergji, në Akademinë e Torinos
Pas mbarimit të Kolegjit Franceskan në vitin 1929-të, Gjergj Vata mundi që të fitonte një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta në Akademinë ushtarake të Torinos në Itali. Lidhur me këtë, nipi i tij Kel Vata, dëshmon: “Të drejtën e studimit për të studjuar në atë akademi ushtarake, axhës Gjergj, ia nxorri Ministri i Arsimit i asaj kohe, Hil Mosi, vetëm pas ndërhyrjes së Padër Gjergj Fishtës, i cili e kishte pasur Gjergjin, nxënësin më të mirë në Liceun Franceskan. Në Akademinë e Torinos, Gjergji studjoi për pesë vjet me rradhë në degën e Artilerisë, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1937, duke marrë gradën e nëntogerit.

Pas dhënies së diplomave, Komandanti i asaj Akademie e thërriti Gjergjin në zyrën e tij dhe i tha: “Zoti Vata, ti ke mbaruar me nota të shkëlqyera, por atdheu i juaj, Shqipëria, është një vënd i varfër dhe nuk ka para për t’ju paguar. Po të doni mund të qëndroni në Itali, ku ju do të keni një karrierë të shkëlqyer ushtarake dhe pagesë tepër të lartë”. Pas atyre fjalëve, Gjergji iu përgjigj: “Zoti Gjeneral, unë jam shqiptar dhe nuk kam ardhur për të qëndruar në Itali, por do të kthehem dhe do të shërbej në vëndin tim, duke marrë parasysh çfardolloj sacrifice”.

Dhe atë fjalë ai e bëri realitet duke u kthyer në Shqipëri në gushtin e vitit 1937, ku Mbreti Zog i ofroi disa detyra ushtarake në reparte të ndryshme. Por ai nuk pranoi që të shërbente në rradhët e Ushtrisë Mbretërore, duke thënë se nuk mund t’i shërbente atij njeriu që ishte bërë shkak për vrasjen e vëllait të tij, Kolës, në qershorin e vitit 1924. Pas kësaj me ndërhyrjen e disa miqëve të tij në qytetin e Shkodrës, axha Gjergj, pranoi të merrte detyrën e Kryetarit të Komunës së Shllakut, ku ai shërbeu nga viti 1938-të deri në vitin 1941. Gjatë asaj periudhe, përveç detyrës së Kryetarit të Komunës, Gjergji, u mor dhe me pajtimin e konflikteve të ndryshme dhe pajtimin e gjaqeve që kishin malësorët e asaj zonë të thellë në skajin më verior të Shqipërisë”, kujton Kel Vata, lidhur me xhaxhain e tij, Gjergjin, i cili u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali.

Major Gjergj Vata, qarkomandant i Shkodrës
Aty nga vjeshta e vitit 1941, pasi Gjergj Vata kishte punuar për afro katër vjet me rradhë në Komunën e Shllakut, ai u thërrit pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare në Tiranë, ku u njoftua se ishte caktuar oficer me gradën e togerit, në garnizonin e Kukësit, ku do të kryente detyrën e Komandantit të Batalionit në fshatin Bicaj. Lidhur me këtë, Kel Vata dëshmon: “Gjatë asaj kohe që axha Gjergj u caktua në Bicaj të Kukësit, me inisitativën e tij dhe me miratimin e komandës eprore, ai hapi dy kurse gjashtë-mujore për trajnimin e oficerëve dhe nënoficerëve rezervistë të asaj Prefekture. Nisur nga puna e mirë që bëri në atë repart, në pranverën e vitit 1942, Komanda e Përgjithshme e transferoi atë në qytetin e Shkodrës, duke e emëruar me detyrën e zv/komandantit të Rrethit dhe i dha gradën e kapitenit.

Aty nga fundi i muajit shtator të vitit 1943, Gjergjit iu komunikua dhënia e gradës së Kapitenit të Parë dhe u caktua me detyrën e Rrreth-komandantit të Shkodrës, duke i pasur zyrat në godinën e Prefekturës së atij qyteti. Gjatë asaj kohe tepër të turbullt, Gjergji me gjithë efektivat që kishte nën komandë, u mundua që të ruante rendin dhe qetësinë e qytetit të Shkodrës që kishte mjaft probleme, ku ai i shpëtoi për mrekulli një atentati që i kurdisën njësitet guerile të qytetit. Aty nga mesi i shtatorit të vitit 1944, Gjergjit iu dha grada e majorit dhe u caktua me detyrën e Qarkomandantit të Shkodrës. Gjatë asaj kohe ai pati disa konflikte me komandën gjermane që ishte në qytetin e Shkodrës, pasi disa herë kishte ndërhyrë për lirimin nga burgu të disa komunistëve të arrestuar.

Një prej tyre ishte edhe një djalë i ri 16-vjeçar, nga fshatrat e Kukësit, i cili u kap nga patrulla gjermane duke ngjitur trakte më 15 nëntor të vitit 1944. Pas kapjes nga gjermanët, nëna e tij shkoi në shtëpinë e Gjergjit dhe i tha gjyshes sonë: ‘Në besë të zotit, i thuaj djalit tënd, major Gjergjit, që të ma shpëtojë atë djalë të vetëm që e kam dritën e syve’. Pas kësaj axha Gjergj shkoi në komandën gjermane dhe i tha majorit Hauzding që ta lironte atë djalë, sepse ishte gënjyer prej komunistëve. Komnadanti gjerman nuk pranoi ta lironte duke i thënë se ai kurrsesi nuk mund t’i shkelte ligjet e luftës. Pas refuzimit të oficerit madhor gjerman, debati u ndez i ashpër dhe axha Gjergj duke vënë dorën në brez i tha: ‘Zoti major, ju nuk mund t’i shkelni ligjet e Luftës, por as unë nuk mund t’i shkel traditat dhe zakonet e shqiptarit, kur miku më ka rënë në besë. Njeri prej nesh nuk del i gjallë nga kjo zyrë pa u liruar ai djalë”, kujton Kel Vata lidhur me debatin e ofiicerit gjerman me major Gjergj Vatën, i cili mundi që ta lironte atë djalë të ri komunist, që në vitet e pas luftës u bë kolonel dhe Kryetar Dege, e fatkeqësisht nuk pyeti asnjëherë për njeriun e familjen që i shpëtoi jetën.

Major Gjergj Vata, nënkryetar i Komitetit të Maleve
Detyrën e Qarkomandantit të Shkodrës, major Gjergj Vata e mbajti deri në 28 nëntorin e vitit 1944, kur partizanët e Enver Hoxhës, hynë triumfatorë në atë qytet. Në mëngjezin e 27 nëntorit 1944, Gjergj Vata mori pjesë në një takim që bënë krerët nacionalistë në godinën e Prefekturës së qytetit, ku u ndanë në dy grupe: ata që do të luftonin në male kundër forcave komuniste dhe ata që do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Lidhur me këtë dhe veprimtarinë e e mëtejshme të major Gjergj Vatës, nipi i tij Keli, dëshmon: “Axha Gjergj i pati të gjitha mundësitë që të largohej nga Shqipëria, ashtu siç bënë shumë eksponentë të tjerë nacionalistë, por ai nuk pranoi që të ikte, duke thënë se do të rrinte në Shqipëri për të luftuar komunizmin deri sa të kishte frymën gjallë. Në ditët e fundit të muajit nëntor të 1944-ës, Gjergji u bashkua me forcat e Mark Gjonmarkajt që përbëheshin prej 1000 personash dhe bashkë me shumë krerë të tjerë nacionalistë si Halil Alia, Pashuk Bib Mirakaj, Gjeneral Prenk Përvizi, kapiten Gjergj Lula, etj u largua nga qyteti për në drejtim të Malsisë së Dukagjinit.

Ato forca të armatosura antikomuniste ranë disa herë në përpjekje me repartet e ndjekjes, duke shkaktuar viktima të shumta nga të dy palët. Përpjekja e parë u bë me 5 dhjetor të vitit 1944 në Shkëmbin e Rajës në zonën e Nikaj-Mërturit, ku pas disa orë luftimesh, mbetën të vrarë shumë partizanë e nacionalistë. Pas kësaj beteje, të gjithë krerët nacionalistë me forcat që komandonin u ndanë në zonat e tyre dhe Gjergji u strehua në Malësinë e Dukagjinit. Në Shkurtin e vitit 1945, ai mori pjesë në takimin që krerët nacionalistë të rezistencës antikomuniste bënë në Orosh të Mirditës, ku krijuan dhe organizatën “Komiteti i Maleve”.

Në atë mbledhje Gjergji u caktua me detyrën e nënkryetarit të atij Komiteti dhe kryetar për nënprefekturën e Dukagjinit. Lidhur me veprimtarinë antikomuniste të Gjergj Vatës në atë kohë, ka shkruar dhe ish-Drejtori i Sigurimit të Shtetit Rakip Beqa në librin e tij “Veprimtaria e armiqësore e Klerit Katolik 1944-1972”, ku midis të tjerash thuhet: “Ndërsa në letrën që Gjergj Vata, kryetar i kësaj bande i dërgonte Arqipeshkvit të Durrësit, Vinçens Prendushit, shkruhet:

‘Malci e Veriut. 4.I.1946. Shkëlqesë, Në emën të gjithë atyne që ende mbajnë flamurin e nacionalizmit shqiptar ndër malet e Dukagjinit, ju drejtohem me këtë shkresë: Ç’prej nandorit të vitit 1944, elemnetët ma të spikatun në këtë krahinë, tue mos dashtë me ju nënshtrue terrorit të qeverisë së Enver Hoxhës, morën arratinë. Gjatë kësaj kohe, ndonëse të ndjekun e të persekutuem, u munduem me mbajtë nalt moralin e popullit, organizuem çeta të mbrendshme dhe të jashtëme, u ndërlidhëm me të gjithë të arratisunit e vëndit, me nji fjalë u përgatitëm për t’ju përgjigj zanit të atdheut, i cili besojmë që së shpejti do të na thërrasë, për t’i dhanë grushtin e fundit qeverisë ma terroriste që njef historia jonë. Ju siguroj se të gjitha krahinat e Veriut janë lidhe dhe ndihmue prej aleatëve dhe prej K.Q. të Tiranës, ndërsa ne për mungesë të një lidhjeje, kena mbetë krejt mbas doret’. Me konsideratat ma të nalta. Major Gjergj Vata.

Sipas ish-Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, kjo letër e Gjergj Vatës iu dha antarit të bandës së tij, Martin Sheldisë, i cili mundi që të hynte ilegalisht në Shkodër, deri në rezidencën e Provincialit Franceskan, Padër Mati Prendushi, dhe mundi që t’ia dorzonte në dorë duke i thënë që ta niste pa vonesë për tek Vinçens Prendushi në Durrës”, kujton Kel Vata mbi veprimtarinë antikomuniste të xhaxhait të tij, major Gjergj Vatës.

Vrasja tragjike në 1946-ën
Nga viti 1944 kur doli në arrati e deri në dhjetorin e vitit 1946, Gjergj Vata qëndroi i strehuar në male në zonën e Dukagjinit, duke organizuar rezistencën antikomuniste. Në shenjë hakmarrje ndaj tij, komunistët i arrestuan vëllanë, Lorencin, të cilin në fillim e dënuan me vdekje dhe më pas ia falën jetën dhe ai bëri plot 25 vjet burg. Në ato vite Gjergj Vata veprimtarinë e tij e kryente në zonat Shllak-Pult-Nikaj-Mërtur të Zonës së Dukagjinit, por vëndi më i qetë ku ai rrinte vazhdimisht, ishte fshati Pog i Pultit. Lidhur me këtë, Kel Vata dëshmon:

“Ndër familjet kryesore që e strehonin dhe e mbanin me bukë Gjergjin, ishin ato të Gjon Ndue Pukës dhe Gjon Pjetrushit në Shllak, të cilëve komunistët ua dogjën shtëpitë dhe i kalbën nëpër burgje. Po kështu korrieri i tij ishte Gjergj Ndoja nga Pogu, i cili vdiq në torturat e Sigurimit pa treguar asgjë për të. Gjatë asaj kohe ai Gjergji ra disa herë në përpjekje me forcat e Sigurimit, ku iu vranë apo u kapën të gjallë disa nga miqtë e tij të ngushtë si Ndoc Jakova, Padër Anton Harapi, Dom Alfons Tracki, Lef Nosi etj.

Ndonëse ai mbeti krejt i vëtëm, nuk pranoi që të arratisej jashtë edhe pse misionet anglo-amerikane i ofruan largimin me avion të posaçëm.

Në atë kohë Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, gjeneral Zoi Themelit, i shkonin shumë informacione rreth zonave ku streohej Gjergji, por asnjëherë forcat e ndjekjes nuk binin dot në gjurëmt e tij. Pas kësaj në një mbledhje me shefat kryesorë të Degës, Zoi Themeli u shpreh: “Nuk më duhen më raporte të kota se ku fshihet Gjergj Vata, mua më duhet koka e tij. Ky është raporti i fundit që pres prej jush&quot”. Disa ditë më vonë, më shtatë dhjetor të vitit 1946, tre persona të paguar nga Sigurimi, mundën ta vrisnin pas shpine Gjergjin, teksa ai ishte duke kaluar në zonën e Shllakut, për në Shpellën e Shkëmbit të Kuq ku fshihej në atë kohë.

Për vrasjen makabre të Gjergj Vatës, u mbajt një heshtje e madhe dhe familja e jonë atë gjë e mësoi vetëm tre katër vjet më vonë aty nga fundi i vitit 1950-të. Pas vrasjes, nëna e Gjergjit, Sosja, u internua në Berat, kurse familjen tonë e internuan në Tepelenë. Si rrethanat e vrasjes ashtu dhe gjetja e kufomës së tij, për mua dhe gjithë familjen tonë mbetën një peng i madh, i cili më mundoi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku nuk kishim asnjë lloj mundësie që t’i kërkonim ato. Vetëm aty nga fillimi i vitit 1991 kur po shëmbej regjimi komunist, unë fillova që të interesohesha për gjetjen e eshtrave të tij dhe pas shumë kërkimesh, me ndihmën e disa miqëve të mij në zonën e Dukagjinit, arrita që të gjeja vëndin që kërkoja.

Atë gjë na i tregoi Gjelosh Doda, të cilit në vitin 1985, Prenush Nika nga Shllaku, i kishte thënë: “Unë po des, po dua me të lënë një amanet që do ma mbajsh sekret të madh se e kam brengë në shpirt. Në qoftë se vjen ndonjëherë koha dhe Gjergj Vata ka njeri të gjallë, m’i thoni se këtu në kët vënd kam varros me duart e mia atë burrë trim”. Pas kësaj në tetorin e vitit 1993, unë me Kol Gjokën, Gjelosh Dodën e të birin e tij Toninin, shkuam dhe filluam gërmimet atje ku na tha Gjeloshi. Por për çudinë tonë aty mundëm të gjenim vetëm eshtrat e trupit, sepse kafka e kokës mungonte krejtësisht”, e përfundon rrëfimin e tij 78-vjeçari Kel Vata, lidhur me gjetjen e eshtrave të xhaxhit të tij, Gjergj Vatës, të cilin e kishin vrarë njerzit e Sigurimit në vitin 1946 dhe pasi e kishin grabitur, i kishin prerë kokën me sëpatë dhe e ia kishin hedhur në greminë.

(Bashkangjitur me këtë shkrim, po publikojmë dhe disa foto:
1 dhe 2. Gjergj Vata me uniform ushtarake dhe civil.
Shpella ku në vitin 1993 u gjetën eshtrat e Gjergj Vatës pa kafkën e kokës.
Pamje e qytetit të Shkodrës, ku shërbeu Gjergj Vata si Qarkomandant.
Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Gjergj Vatës në varrezat e Rrmajt të Shkodrës në vitin 1993, ku duken: Kel Vata (me syze), Historiani Mentor Quku duke mbajtur fjalën e rastit, deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Ali Spahia, etj). /Memorie.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular