Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ketë nesër (të shtunën) një komunikim për mediat dhe qytetarët. Këtë e ka njoftuar vetë përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”.
Ndonëse pritej që sot ai të komentonte vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda siç edhe u shpreh mbrëmjen e së enjtes, duket se Tahiri ka dashur më shumë kohë për t’u përgatitur para publikut kureshtar.
“Nesër në 11;30 shihemi ‘live’ këtu, për të shpjeguar të vërteten time, deri në këtë stacion të parë 🙏”, shkruan Tahiri.
Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda vendosi dje të shpallte fajtor ish-ministrin e Brendshëm vetëm për shpërdorim detyre duke rrëzuar akuzat për trafik droge e korrupsion. Në përfundim dënimi me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe shkon në 3 vite e 4 muaj burg por konvertohet në shërbim prove për të njëjtën periudhë.
Ndërkohë sot ambasada amerikane reagoi për vendimin, duke e cilësuar shkurajues në raport me akuzat e ngritura, ndërsa shton se ata që shpërdorojnë besimin e publikut dhe shkelin ligjin duhet të përballen me patjetër me pasoja domethënëse.