Sigurisht që është naive të akuzohet qeveria për rënien e tërmeteve. Tërmetet janë një fenomen i pa parashikueshëm kudo në botë, madje edhe në vendet e zhvilluara.
Ajo për të cilën ka përgjegjësi qeveria është se ajo, përpara tenderave për zyra luksoze apo makina të shtrenjta, duhet të ketë gjithmonë gati një plan emergjence civile, qendra e evakuimi dhe të garantojë sigurinë e pronave të atyre që do të zhvendoseshin në rast të një situate kritike.
Rama nuk kishte dhe nuk ka gati asgjë prej tyre. Kjo situatë, ashtu si edhe situatat e tjera të tërmeteve në Korçë apo dhe përmbytjeve, e nxorri lakuriq paaftësinë e kësaj qeverie për t’i dalë zot qytetarëve të saj.
Ai po mjaftohet me telenovelën e re, ku parakalojnë ministra të mallëngjyer dhe qytetarë të përlotur, që vetëm përqafojnë njëri tjetrin, a thua se detyrë e qeverisë është të qajë bashkë me qytetarët përpara 20 kamerave .
Në vend që të bëjë këtë bilanc të hidhur dhe t’u kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë papërgjegjshmëri , Rama flet për dritat në stadium me të cilat i është dashur të merret personalisht, duke na shfaqur kështu një shtet tërësisht të kalbur dhe jofunksional.
Rama duhet të kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe të mblidhte rreth vetes një ekip, që të na vizatonte hartën e dëmeve dhe pasojat e tërmetit.
Por, e vërteta është që ai nuk ka asnjë mundësi t’i ndihmojë këta qytetarë, jo sepse nuk ai do, por sepse me papërgjegjshmërinë e tij, ai nuk ka bërë asgjë që të dalë faqebardhë në situata të tilla të jashtëzakonshme.
Deri këtu jemi thjesht tek paaftësia, por që ta përdorësh këtë fatkeqësi si operacion ‘piari’ , për veten dhe qeverinë , si ‘sapun’ për të pastruar fytyrën nga korrupsioni dhe krimi, kjo është pafytyrësia më e madhe.
Përfaqësuesit e qeverisë, sidomos ministrat e tij më të diskretituar dhe vetë Rama, nxitojnë të shfaqen si njerëz të përvuajtur për hallet e popullit, ndërsa vetë Rama nxiton të shfaqet para kamerave si baba i mallëngjyer me qytetarët e hutuar në krah.
Ndërkohë, nuk kemi asnjë specialist apo ministër të na tregojë si është realisht situata , cilat janë dëmet dhe cilat do të jenë format e dëmshpërblimit për qytetarët.
Qeveria po dëshmon, se njësoj si njerëzit e tronditur, është vetë me sytë nga qielli, pa asnjë vizion dhe pa asnjë plan për t’ia dalë situatës.