Situata në qytetin e Durrësit duket se është qetësuar, pas alarmit dhe panikut të shkaktuar nga tërmetet e fuqishme. Gazetari Osman Stafa raportoi këtë mëngjes nga stadiumi “Niko Dovana”, në të cilin vijojnë të qëndrojnë ende dy familje durrsake, pasi tërmeti iu ka shkatërruar banesat.
Gazetari Stafa tha për “BalkanWeb” se deri pas mesnatës stadiumi i Durrësit ka qenë i mbushur plot me njerëz, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre mbrëmjen e kaluar pas alarmit të rremë të shpërndarë në rrjetet sociale se tërmeti 6 ballësh do të godasë vendin.
Të alarmuar dhe në panik nga lajmi, qytetarët durrsakë janë larguar menjëherë nga shtëpitë e tyre, duke mbushur stadiumin. Gazetari tha se qytetarët janë larguar nga stadiumi pas mesnatës, duke u kthyer një pjesë nëpër shtëpi dhe një pjesë tjetër te të afërmit e tyre.