Lirohet ish-kampioni i mundjes, Elis Guri. Vendimin e ka marrë gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila ndryshoi masën e sigurisë për Gurin, duke i vendosur “Detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore”. Vetë Guri kishte bërë kërkesë për ndryshimin e masës se sigurise.
Guri akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, si dhe ”Trafikim i narkotikëve”.
Ish-kampioni i mundjes u vu ne pranga në kuadër të operacionit policor te koduar “Vol.Vo 4”, ose siç njihet ndryshe edhe si çështja “339/1”.
Aksioni i madh policor u zhvillua në 12 qytete, nga Hasi deri në Sarandë duke goditur 4 grupe kriminale.
Në qershor vitit 2018, pak kohë para se policia të godiste grupin e Bajrave në Shkodër janë regjistruar disa telefonata mes grupit të Avdylajve në Shijak dhe Bajrëve të Shkodrës.
Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit (i arrestuar në aksionin e shtatorit në Shkodër) bashkë me ish-kampionin e mundjes Elis Guri kryenin trafik kanabisi, që sipas “Prokurorisë e bënin për llogari të Safet Bajrit. Sipas Prokurorisë, Astmer Bilali dhe Elis Guri i kanë shitur një sasi kanabisi dhe kokaine shtetasve Florenc Xheleku e Adnand Hupi
Karriera
Elis Guri ka lindur në Shkodër, më 6 korrik 1983 dhe është një sportist shqiptar i mundjes klasike në peshën 96 kg. Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Europian që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg.
Por dhe në Kampionatin Botëror 2007 Elis Guri klasifikohet i 7-ti në peshën 96 kg, duke fituar të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″.
Si pjesëmarrës për herë të parë në një olimpiadë, Guri renditet në vendin e 8-të, duke shënuar dhe rezultatin e dytë më të mirë të arritur nga kuqezinjtë tanë. Të tjera rezultate të Gurit mund të përmendin vendi i 7-të në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”, medalje argjendi në turneu botëror Trofeu “Milone 2006”.
Pas vitit 2008, Elis Guri garon për Bullgarinë dhe me 13 shtator 2011 merr medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes në kategorinë 96 kg.