Një ditë pas rikthimit në tryezën e Reformës Zgjedhore të organizuar nga OSBE, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka pritur dje në zyrë në një takim kokë më kokë, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Burime bëjnë të ditur se takimi ka zgjatur rreth një orë dhe Basha dhe Kryemadhi kanë diskutuar rreth strategjisë që do ndjekë opozita për procesin e Reformës Zgjedhore.
Me rikthimin në tryezën e Reformës elektorale opozita dha sinjalet e para një tentativë për të ç’tensionuar klimën politike para tetorit ku pritet vendimi final i Brukselit për Shqipërinë.
Burime bëjnë të ditur se opozita ka ndërtuar një strategji për Reformën Zgjedhore, me anë të cilës ka kërkuar dhe ngritjen e një grupi ekspertësh që do të paraqesin një draft me propozime.
Po ashtu mësohet se pjesë e diskutimit ka qenë dhe vendimi i Bundestagut gjerman dhe kushtet që i janë vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Ndërkohë që një ditë më parë, Monika Kryemadhi tha se LSI nuk ka patur asnjëherë si kusht largimin e Ramës nga posti i Kryeministrit për t’u ulur në tryezën e negociatave, por kjo ka qenë një kërkesë e Lulzim Bashës.