BallinaAktualitet “Më frymëzon CR7″, rrëfimi unik i Cikalleshit: Në Turqi vendos unë, ju...

 “Më frymëzon CR7″, rrëfimi unik i Cikalleshit: Në Turqi vendos unë, ju tregoj bisedën me Rejën (E PLOTË)

spot_img
spot_img

Pesë gola në 5 ndeshje radhazi. Është diçka e zakon shme për lojtarë të klasit botëror si Kristiano Ronal do, Lionel Mesi apo edhe Levandovski e Benzema së fundmi me Bajernin dhe Realin e Madridit. Mirëpo, edhe për Shqipërinë nuk është më diçka e huaj një ecuri e tillë.

Sokol Cikalleshi, që nga ndeshja me Moldavinë, Francën, Islandën dhe dy të parat në Turqi, e ka çuar në pesë numrin e ndeshjeve zyrtare me gol të realizuar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” sulmuesi tregon edhe sekretin e formës, ecurinë me Kombëtaren, komentet në Turqi për sfidën e radhës kualifikuese, jetesa atje prej pesë vitesh dhe ngacmimet e bastin special me mikun e tij, Andi Lila.

Dy ndeshjet e fundit dhe 2 gola me Akhisarin. Nga vjen ky shpërthim juaji?

Ishte një periudhë larg fushave dhe po prisja me padurim që të rikthehesha me ekipin. Kisha uri për të luajtur. Sidomos edhe pas ndeshjeve të Kombëtares, ku shënova edhe aty, morali im ishte i lartë. Më vjen mirë që po vazhdoj këtë seri golash dhe mbi të gjitha të fitoreve me ekipin. Di të them se jam shumë i motivuar të jap më të mirën time dhe uroj të vazhdoj kështu, duke shënuar, por mbi të gjitha edhe duke ndihmuar ekipin për t’i fituar ndeshjet. Jam në rrugën e mbarë.

Cikalleshi

Shumë futbollistë e shmangin, po për ju, cili është sekreti i kësaj forme?

Nuk mund të them sekret, sepse nuk ka ndonjë gjë të veçantë, por është diçka të cilën e ka të qartë çdo sportist, çdo futbollist. Puna e palodhshme dhe përkushtimi maksimal për të bërë çdo gjë deri në detaje për profesionin. Mbi të gjitha edhe duke dhënë maksimumin në çdo moment, në fushë ashtu si edhe në stërvitje.

Ju ka munguar ekipi për njëfarë kohe gjatë verës. Si ishte ajo periudhë përgatitjesh për ju?

Në periudhën e verës kam punuar, pak edhe me ekipin, por për një pjesë kohe kam qenë veçmas. Ama çdo ditë gjatë verës kam qenë me dy seanca të plota stërvitore. Kam ndjekur një fazë përgatitore, do të thosha, të mbingarkuar, edhe pse nuk kam zhvilluar ndeshje. Po ashtu po vazhdoj edhe gjatë kësaj periudhe me stërvitje të diferencuara, krahas atyre me skuadrën, të cilat më kanë ndihmuar shumë të arrij nivelin që po tregoj tashmë. Realisht po vazhdoj të punoj akoma, pasi mendoj se në çdo moment ka vend për përmirësim dhe si thuhet “për ta arritur është e vështirë, por për ta ruajtur akoma këtë ritëm, edhe më e vështirë”.

Duke përfshirë edhe Kombëtaren, në pesë ndeshjet tuaja të fundit, keni shënuar 5 gola. A është kjo forma juaj më e mirë?

Nuk kishte ndodhur asnjëherë që të realizoja pesë gola në po kaq ndeshje radhazi. Nuk e mohoj që ndihem mirë për këtë fakt. Jo vetëm që kam realizuar, por ndihem shumë mirë si nga ana fizike ashtu edhe nga ana psikologjike. Jam shumë i gatshëm për ndeshjet e radhës, për të dhënë më të mirën time në ndihmë të ekipit dhe, pse jo, edhe për të shënuar. Po pres me padurim që të jem në fushë për ndeshjen e radhës.

Jeni kritikuar shumë për ato shtyllat që godisnit dhe që ju mungonte goli. Tani që po shënoni, a është periudha e shpagimit për gjithçka?

Të them të drejtën, mbajta goxha “agjërim” në lidhje me golat. Madje, edhe jam dobësuar nga “agjërimi” i tepërt (qesh…). Përtej shakasë, unë asnjëherë nuk jam demoralizuar, sepse gjithmonë në Kombëtare kam bërë gjithçka që kam pasur mundësi. Pa më të voglin dyshim, kam dhënë më të mirën, pa u vrarë moralisht për mungesën e golit. Sa herë që më është besuar të zbres në fushë nga trajneri i Kombëtares, kam bërë të pamundurën në fushë. Shpesh më kanë penalizuar shtyllat, por futbolli i tillë është dhe duhet pranuar. Vazhdova dhe tashmë po marr frytet e punës.

Cika

Kënaqësi maksimale për formën…

Po, por sërish nuk duhet të kënaqem pa masë, sepse futbolli ka edhe ulje, edhe ngritje. E mendoj që uljen në karrierë mund ta kesh pas dere dhe uroj që të jetë diçka e largët.

Manaj ju vuri “kushtin” e 15 golave në “Instagram”. Ju personalisht, a keni një bast me veten për numrin e realizimeve?

Rei është një lojtar që ka shumë talent dhe i takon që ta përdorë atë, sepse nëse e bën në mënyrën e duhur, mund të arrijë shumë lart. Ne kemi një komunikim me njëri-tjetrin, ashtu siç kam edhe me Bekimin, me Sadikun dhe me lojtarët e tjerë. Realisht nuk mendoj shumë për një numër të caktuar golash, por sigurisht që do të doja patjetër që të ishte një numër golash me dy shifra. Pasi kam bërë dy gola në 2 javë, uroj që kjo shifër të ndryshojë sa më shpesh.

Kur ka më shumë presion një sulmues, në periudhën kur mungon goli apo tani që realizoni radhazi dhe rritet pritshmëria?

Në çdo moment, mund të gjesh anën pozitive dhe atë negative. Në momentin që me Kombëtaren më kanë penalizuar shtyllat, besoj se ju dhe të gjithë jeni koshientë që kam dhënë maksimumin dhe kam zhvilluar ndeshje pozitive, besoj. Tani kam arritur të shënoj, por edhe unë personalisht kërkoj më shumë nga vetja. Jam i sigurt që opinioni publik, tifozët dhe ata që janë pranë Kombëtares duan më shumë.

Jo vetëm nga unë, por nga çdo lojtar i Kombëtares. Di vetëm që t’ju siguroj që nuk jam nën presion. Jam mësuar të ruaj gjithmonë një konstante brenda vetes, që do të thotë se mundohem të punoj gjithmonë profesionalisht në maksimum të asaj që nevojitet. Më tej pres që shpërblimi të më vijë në fushë. Pres më shumë nga vetja dhe uroj që me punën që po bëj, ta arrij.

Ju jep siguri për formacionin kjo formë?

Asnjëherë. Kjo nuk do të thotë se Sokoli e ka vendin të sigurt as tek ekipi dhe as te Kombëtarja. Kudo që të jem, në fushë apo në stërvitje, unë do të jap maksimumin tim. Kur zbres në fushë, jap më shumë se maksimumin e mundësive të mia dhe kur jam jashtë saj, përkrah maksimalisht shokët e mi.

Keni marrë ndonjë mesazh nga trajneri apo stafi i Kombëtares?

Jo, nuk kam pasur ndonjë komunikim, por pasi mbaruam ndeshjet, trajneri dhe ndihmësit patën një bisedë me mua. Më tej, pas grumbullimit nuk kemi folur.

Çfarë ju tha Reja dhe ndihmësit e tij?

“Sokol, duhet të luash”. Realisht, gjatë verës unë nuk i kisha zhvilluar dy apo tri ndeshje, por pas grumbullimit, këshilla e tyre ishte që duhet të luaja sa më shumë. Jo vetëm kaq, por pati edhe diçka të veçantë nga një prej ndihmësve.

Premtim apo urim?

S’e di tamam si ishte, por një prej tyre më tha: “Pres të luash sa më shumë tek Akhisari dhe pres të shoh sa më shumë gola prej teje”. Për fat, kam shënuar dhe, me sa duket, po e mbaj fjalën (qesh…).

Kush është sulmuesi juaj i preferuar?

Më pëlqen Ibrahimoviç. Për karakterin e fortë që ka dhe për forcën e tij. Pastaj si lojtar imi i preferuar, e marr edhe si shembull, është Kristiano Ronaldo.

Çfarë ndjek prej tij?

Faktin që është aty ku ka arritur, vetëm falë punës së madhe dhe të vazhdueshme që ka bërë. Mendoj se jo vetëm për mua, po për çdo njeri, duhet të jesh shembull se vërtet falë punës mund të ngjitesh shumë lart. Me karrierën e tij e ka treguar që mund të bëhesh edhe më i miri në botë. Sigurisht që ne nuk mund të bëhemi më të mirët në botë (qesh…), por mund të arrijmë diku.

Jetoni prej rreth pesë vitesh në Turqi. Çfarë ju është mërzitur diçka?

Nuk më ka mërzitur asgjë, sepse le të themi që me Turqinë kemi pak a shumë të njëjtën kulturë. Besoj me shumë ngjashmëri. Unë e gjej veten shumë mirë këtu dhe është ë vërtetë që bëhet viti i pestë që jam këtu. Jam i lumtur që jam këtu.

Si është përditshmëria e Cikalleshit, nga momenti i zgjimit deri në mbrëmje?

Më besoni që zgjohem me mendjen për të bërë ndonjë ushtrim të ri në palestër ose në fushë. Çdo ditë. Madje, për palestrën, kemi konkurrencë me shokë të ekipeve ku kam luajtur apo edhe me Andi Lilën. Zgjohem në varësi të programit të ekipit, por le të themi rreth orës 8:30. Konsumoj mëngjesin, pastaj 3 apo 4 herë në javë jam në palestër. Jo gjithmonë punoj fort, pasi shkoj edhe për streçing, edhe për lojëra relaksuese. Është dreka, pastaj koha në klub me ekipin. Stërvitja e pasdites, pastaj në shtëpi me familjen kur e kam pranë.

Ndonjë hobi ndryshe nga futbolli?

Më pëlqen të lexoj. Nuk e them shpesh këtë, sepse s’dua të mendohem si djali i përkryer, por sinqerisht lexoj shumë mbrëmjeve.

Sokol, çfarë ju thonë në Turqi për Kombëtaren tonë, për sfidën e radhës?

Të jeni të sigurt që e kanë parë të gjithë ndeshjen me Islandën. Nga sa kam folur këtu, të gjithë janë të mendimit që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Madje, edhe mes batutash më thanë: “Dakord, me Islandën bëtë atë që bëtë, por me Turqinë bëni pak kujdes. Jo ashtu”

U dhe një përgjigje?

Patjetër. U kam thënë: “Pas Turqisë mund ta mendojmë kujdesin. Me Turqinë jo” (qesh…).

Jetoni atje dhe shihni apo edhe jeni përballur me ndonjë nga lojtarët e Turqisë. Keni nisur t’i studioni mbrojtësit turq?

Unë e njoh shumë mirë ekipin e Turqisë. Rreth 80% të lojtarëve kam pasur të bëj me ta. Realisht, janë një ekip shumë i mirë dhe shumë i fortë. Por, edhe ne kemi cilësitë tona. I kam ndjekur, i ndjek gjithmonë dhe më mbetet veçse të uroj që të mos shkojnë shumë mirë deri në përballjen me ne. Të jetë në favorin tonë (qesh…).

Ngacmimet dhe sfidat me Andi Lilën i bëni që ai t’ju shtyjë të punoni më fort apo që ju ta nxisni atë të luajë sa më gjatë futboll?

Jam i sigurt që nëse Andi e kalon këtë dëmtim që ka, me përkushtimin dhe gjendjen fizike që ka, do të arrijë të luajë deri 40 vjeç futboll. Ia uroj me shpirt që ta kalojë këtë problem. E di që nuk ka qenë e lehtë për të. Referuar pyetjes, është e vërtetë që ne e nxisim njëri-tjetrin. Andi është një lojtar që ka gjithë jetën e tij që stërvitet shumë dhe më besoni që është shembull për stërvitjen. Unë e them edhe në biseda private, por edhe publikisht po e them se është shembulli që me anë të punës ka treguar se mund të arrish shumë gjëra. Në palestër kemi sfida të vazhdueshme dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin.

Mes shokësh ka edhe baste. Ju me Lilën, a keni ndonjë të tillë për këto sfidat në palestër dhe kujt i bie të paguajë më shumë?

Të them të drejtën, Andi është makinë për punë edhe në palestër. Ama unë kam përfituar nga rasti se ka qenë i dëmtuar këtë periudhë dhe e kam konkurruar disi (qesh…). Vazhdimisht po më thotë: “Prit të reja prej meje, për të thyer rekordet në palestër”. Jemi miq shumë të mirë dhe kemi edhe baste mes nesh. Madje, po ju tregoj një të tillë. Lila më ka thënë: “Deri në dhjetor do të shënosh më shumë se 10 gola dhe do të ndërrosh një ekip. Do të jesh në një skuadër më të mirë”.

Basti i duhur për t’u humbur…

Po, dhe i kam thënë se nëse do ta arrij këtë shifër, që në realitet i bie ta fitojë ai bastin, do të ketë fituar diçka. Nuk mund ta zbuloj, sepse vërtet nuk e kam vendosur se çfarë do të jetë, por do të fitojë Andi diçka. OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular