Ka pasur shumë debate dhe `teori konspirative`, për lëvizjen e fundit të opozitës për të marrë pjesë në një tryezë me mazhorancën, të organizuar nga OSB, me rastin e Reformës Zgjedhore.
Pikërisht për të hedhur dritë mbi këtë lëvizje `befasuese`, sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i cili edhe përfaqësonte në nivel teknik opozitën në këtë tryezë, ka folur në studion e Ditarit në A2 CNN. Ai ka deklaruar se është i bindur, se pavarësisht nga vullneti i opozitës për të kontribuar për këtë reformë të rëndësishme, sistemi zgjedhor nuk është problemi më i madh i zgjedhjeve në Shqipëri.
“Sistemi aktual zgjedhor nuk është tabu për t’u diskutuar, por në tryezën e reformës nuk mund të jetë diskutimi më i rëndësishëm. Problemi më i rëndësishëm i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është sistemi, sipas nesh. Sigurisht, edhe në opozitën e bashkuar ka palë që duan rishikimin e sistemit. Mund të hapet në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur ky diskutim. Por, duhet parë në kontekstin e duhur, duke adresuar së pari problemet e vërteta. Jemi të hapur të ulemi në tryezë dhe ta shikojmë me seriozitet. Nëse ka sistem më të mirë sesa ai që kemi, do ta vërejmë me seriozitet”, tha Kaso
Ai rrëfeu gjithashtu se prania e opozitës në tryezë, “ishte përgjigje pozitive ndaj ftesës së partnerëve ndërkombëtarë që kishin thirrur tryezën dhe për të bërë të qartë se opozita e bashkuar mbështet pa kushte një reformë të vërtetë zgjedhore, pasi kjo konsiderohet kusht i domosdoshëm për hapat përpara në procesin e integrimit”.
“Dy rrugë ka: ose do të bëjmë sikur bëjmë reformë, ose do të bëjmë reformë të vërtetë. Ne jemi në tryezë dhe japim rrugën tonë për një reformë të vërtetë. Ky nuk është një kusht, pasi sigurisht në secilën prej atyre 5 pikave mund të diskutohet dhe të përpunohen. Kur mbi to do të nisë një diskutim serioz, do të vëmë të gjitha kapacitetet tona për të mos humbur asnjë orë kohë”, shpjegoi Kaso.
Nga ana tjetër sekretari për çështjet zgjedhore në PD, theksoi se Edi Rama do të tentojë edhe më rastin e Reformës Zgjedhore që të bëjë vetëm disa retushime e ndryshime ligjore për ti hedhur `hi syve` ndërkombëtarëve, por nuk ka për tja arritur.
“Duket se Rama jeton në flluskën e vetëkënaqësisë që ka krijuar pas takimit prej disa sekondash me Presidentin amerikan. Realisht nuk ka kuptuar kushtet e rezolutës së Bundestagut dhe as rekomandimet e ODIHR-it. Ndoshta mendon se me ekspertët e tij dhe me votat që ka do të bëjë disa ndryshime ligjore që do të jenë të mjaftueshme për një Reformë Zgjedhore. Nuk është kështu sepse e ka provuar më parë dhe nuk ia kanë pranuar”, shtoi ai.