Flet Marin Gjonaj, president i “Gjonaj Group”
Marin Gjonaj është modeli i sipërmarrësit të ri shqiptar, i pasionuar pas telekomunikacionit e teknologjisë globale, që ka pasur nuhatjen të depërtojë në tregje të reja, duke shfrytëzuar njohuritë dhe lidhjet e tij në kohën dhe vendin e duhur. Po ashtu, në momentin e duhur ka ditur të tërhiqet, duke maksimizuar fitimet dhe duke gjeneruar likuiditete për investime të reja.
Në heshtje, ai ia ka dalë të krijojë disa kompani, që sot renditen ndër më të mëdhatë në Shqipëri, sipas qarkullimit vjetor, si “INFO-Telecom”, apo te punëdhënësit më të mëdhenj, si “ProMarketing”.
Në një intervistë për “Monitor”, z. Gjonaj thotë se planet për të ardhmen përfshijnë diversifikim të mëtejshëm në sektorin e mikrofinancës, energji apo turizëm.
Si ka qenë ecuria e “INFO-Telecom” dhe kompanive të tjera të grupit në vitin 2018?
Për “INFO-Telecom”, e cila ka një model unik biznesi në tregun shqiptar për paketën e shërbimeve që ofron, 2018-a ka vijuar të jetë një vit pozitiv me trend në rritje të të ardhurave. Kompania, që bazohet në shitblerjen me shumicë të minutave të telefonisë Voice, sms, roaming, data roaming midis operatorëve ndërkombëtarë, është tashmë e konsoliduar prej vitesh. Në vitin 2018, xhiroja vjetore ishte rreth 120 milionë euro.
Kemi marrëdhënie me 350 operatorë fix dhe celularë që kanë nënshkruar marrëveshje interkoneksioni dypalëshe me “INFO-Telecom”. Klientët dhe furnitorët e “INFO-Telecom” janë operatorë telekomunikacioni fix dhe celularë në shtete të tjera, si “Telecom Italia”, “Verizon”, “Tmobile Group”, “Telefonica”, “France Telecom Group”, “Vodafone Group”, “H3G”, “AT&T”, “China Telecom” etj.
Në vitin 2018 dhe gjatë 2019-s e kemi zgjeruar më tej portofolin e klientëve, kryesisht në Azi, Afrikë dhe në Amerikën Latine me 50 operatorë fix dhe celularë të tillë, si “Telin Indonesia”, “Taiwan Telecom”, “China Unicom”, “China Mobile”, “Telmex Group”, “Claro Puerto Rico”, “MTN Afghanistan”, “MTN Rwanda” dhe të tjera.
Zgjerimi i aktivitetit ka ndikuar dhe në shtimin e personelit. Edhe shërbimet po shtohen, ku përmendim SMS A2P transit, Roaming MNP, HLR, Firewall A2P, CLI dhe Quality testing, platformës që “INFO-Telecom” u ofron mbi 350 operatorëve fix dhe celularë në mbarë botën, duke krijuar disa lehtësi që ndihmojnë për të mbajtur trendin rritës gjatë vitit 2019 e në vijim.
“ProMarketing” është një tjetër kompani e grupit, që ofron shërbime call center, e cila ka vijuar me aktivitet pozitiv. Nga 10 punonjës, kur e nisëm aktivitetin në vitin 2010, sot kemi mbi një mijë të punësuar. Në vitin 2018 ne optimizuam kostot, duke iu përshtatur ndryshimeve të rregullave të delokalizimit të qeverisë italiane dhe jemi zgjeruar duke punuar ngushtë me “Vodafone Italy” dhe përmes marrëdhënies së re me Wind3 në Itali.
“Digicom” gjithashtu vazhdon në rritje.
Në tetor të vitit 2018, ne mbyllëm marrëveshjen për të shitur 85% të “Digicom”, sipërmarrjes me aktivitet në ofrimin e shërbimeve e internet/TV dhe telefoni me fibër optike, tek operatori “Albanian Telecommunications Union” (ATU), ofrues i shërbimeve me bandë të gjerë, që po ndërton rrjetin e brendshëm me fibra optike në të gjithë vendin. Transaksioni është finalizuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në maj të këtij viti.
Shitja e 85% e aksioneve të “Digicom” tek ATU ka ndikuar pozitivisht në ritmet e rritjes së “Digicom” dhe brenda 2020 “Digicom” do të jetë i pranishëm në disa qytete kryesore. “Digicom” ofron shërbime premium 100% me fibër optike, duke krijuar një lidhje të fortë e afatgjatë të klientit me përdorimin e internetit përmes teknologjisë së të ardhmes, dhe për këtë ne ndihemi përgjegjës për të ofruar gjithmonë shërbime “avangard” në këtë fushë për konsumatorin shqiptar. Me mbi 10 mijë klientë, “Digicom” renditet mes 4 operatorëve më të mëdhenj fiks në vend dhe i pari më i madh në Shqipëri për klientë me lidhje “Fiber to the Home”.
Cilat janë planet tuaja të zgjerimit në të ardhmen?
Duke u nisur gjithmonë nga parimi “Mos i mbaj të gjitha vezët në një shportë”, ne e kemi nisur tashmë zgjerimin e aktivitetit. Gjatë 2018-s vazhduam investimet në real estate në disa pika strategjike dhe këtë muaj, hapet agjencia për pasuritë e paluajtshme me emrin “ProBroker”.
Jemi diversifikuar dhe në sektorin e tregtimit të energjisë, përmes shoqërisë “Enertrade”. Këtu synojmë të rritemi gjatë vitit 2020, me strategji të reja në këtë fushë brenda e jashtë vendit. Gjithashtu, “Gjonaj Group” po analizon vazhdimisht me shumë kureshtje sektorin e mikrofinancës në Shqipëri si një segment tërheqës për investime dhe diversifikim portofoli.
Si një biznes në rritje të vazhdueshme dhe që gjeneron likuiditete, cilët do të vlerësonit sektorët më me potencial për të investuar në vend?
Siç e përmenda dhe më lart, energjia është një sektor me potencial dhe që po njeh rritje të shpejtë. Liberalizimi i tregut të energjisë vitet e fundit dhe strategjia për daljen e bizneseve private në treg të lirë në fund të këtij viti ka hapur potenciale të reja për biznes. Shqipëria është një nga vendet me burimet më të mëdha hidrike në Europë, por krahas saj ka potencial për të zhvilluar dhe energjinë e diellit dhe të erës.
Tjetër sektor me potencial shoh turizmin.
Shqipëria është kthyer së fundmi në destinacionin e preferuar të shumë të huajve. Vetëm për 7 muajt e vitit, hyrjet e të huajve llogariten në 3.3 milionë persona, me një rritje prej 13%, sipas të dhënave zyrtare. Jemi të vetëdijshëm që përballë kësaj kërkese, oferta lë shumë për të dëshiruar. Shqipërisë i mungojnë strukturat moderne për të pritur turistë dhe pikërisht këtu, shoh potencial të lartë për të bërë biznes.
Duke qenë se ju operoni dhe në sektorin e call center, përmes Professional Marketing, si ka qenë ecuria e tij dhe si ka ndikuar presioni i qeverisë italiane në riformatimin e tregut?
Është e vërtetë që presioni i qeverisë italiane, fillimisht nëpërmjet shtrëngimit të rregullave të delokalizimit dhe më pas forcimi i rregullave për privatësinë e klientëve, ka ndikuar në ecurinë e këtij sektori në vendin tonë. Tregu po riformatohet, operatorët e vegjël po mbyllen dhe brenda një kohe të shkurtër nuk besoj se do të ketë më kompani të vogla, me më pak se 100 apo 50 punonjës. Nga njëra anë, ky zhvillim është pozitiv, pasi riformatizimi i tregut na vë në pozita më të drejta konkurruese dhe e formalizon më tej sektorin, që besoj se do të mbetet i përqendruar në pak kompani të mëdha.
Ne si Professional Marketing kemi arritur gjithnjë që t’u paraprijmë ndryshimeve, duke zgjeruar portofolin e shërbimeve dhe duke investuar te punonjësit, që i japin vlerë të shtuar kompanisë. Plani ynë në të ardhmen është të diversifikohemi përtej call center dhe të ofrojmë shërbime të integruara të teknologjisë së informacionit.
A po e ndien grupi juaj presionin nga emigrimi i punonjësve dhe çfarë mund të bëjë qeveria për ta zbutur këtë tendencë?
Fatkeqësisht, po. Kemi pasur disa raste së fundmi, kryesisht të punonjësve në sektorin e IT-së, të cilët pasi ia marrin dorën profesionit dhe përfitojnë trajnimin e duhur, vendosin që të largohen në Gjermani me çdo kusht. Më shumë vë re një shpërqendrim të brezit të ri, që e kanë mendjen për t’u larguar dhe kjo po u krijon vështirësi bizneseve serioze, të cilat kërkojnë që të investojnë te punonjësit dhe të krijojnë marrëdhënie afatgjata me ta. Lëvizjet e shpeshta të punonjësve dhe ikja e më të mirëve po i detyron kompanitë të rrisin pagat për punonjësit e mbetur, që mund të mos jenë të atij niveli.
Ky presion është negativ në afatin e gjatë, pasi rritja e pagave e pashoqëruar nga rritja e produktivitetit ndikon negativisht në ecurinë e kompanisë. Do të ishte e udhës që Qeveria shqiptare të mendojë për të ndërmarrë masa nxitëse më konkrete dhe shumë më agresive për të mbajtur të rinjtë e arsimuar në vend sidomos në fushën e ICT-së.
Si do ta vlerësoni mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri, në raport me vendet e tjera të rajonit?
Nisur nga udhëtimet e mia dhe kontaktet që kam me sipërmarrësit e rajonit, Shqipëria është një vend jo i lehtë për të bërë biznes. Problemet e tranzicionit janë ende të pranishëm në gjithë rajonin dhe nuk ka një qasje të thjeshtë drejt përparimit dhe globalizimit. Biznesi në tërësi në Shqipëri është shumë i vështirë, duke konsideruar mungesën e industrisë, importet e larta, të ardhurat për frymë shumë të ulëta për banor, por në të njëjtën kohë globalizimi nëpërmjet teknologjisë na ndihmon tej mase që këto pengesa t’i kalojmë e të bëhemi me kreativ në sipërmarrje, duke krijuar bashkëpunime të ngushta me shtetet fqinjë apo të çdo kontinenti.
Ky është mesazhi që do të kisha për sipërmarrjen e re në vend. Uroj që dhe Shqipëria të vijë në hapat e shteteve të tjera me popullsi të ngjashme apo dhe më të vegjël në Europën Lindore si Estonia, Letonia etj., të cilat janë shumë më përpara se vendi ynë në lidhje me të ardhurat për banor dhe industritë në vend. Monitor