BallinaKryesoreNatyrë e bukur, njerëz mikpritës - dhe një vend i plagosur nga...

Natyrë e bukur, njerëz mikpritës – dhe një vend i plagosur nga terrori komunist

spot_img
spot_img

Nga Enver Robelli

Çfarë panë në Shqipëri një grup shkencëtarësh gjermanë që merren me trajtimin e së kaluarës komuniste të Gjermanisë Lindore?

Shqipëria është një vend me natyrë të mrekullueshme. Shqipëria është një vend me njerëz mikpritës. Ky vend i ka 2,87 milionë banorë. Mes viteve 1944 dhe 1990 Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Evropës. Ose: Gullagu i Mesdheut. Ose: një kamp përqendrimi.

Gjatë këtij viti në Shqipëri kanë qëndruar disa shkencëtarë gjermanë, të cilët janë të angazhuar në Fondacionin për Trajtimin e Diktaturës Komuniste të Gjermanisë Lindore. Qëllimi i vizitës ishte që me palën shqiptare të nxitej bashkëpunimi rreth temës së vështirë të ballafaqimit me të kaluarën.

Përshtypjet që i ka fituar delegacioni gjatë vizitës dhe takimeve në Shqipëri i ka përmbledhur në një tekst mbresëlënës historianja Anke Geier.

Bilanci i saj është i frikshëm. Në Shqipëri sapo ka filluar ballafaqimi me të kaluarën, por kampet e dikurshme si Spaçi në veri dhe Tepelena në jug të Shqipërisë po shkatërrohen dhe, sipas Geier-it, nganjëherë fitohej përshtypja se shkatërrimi është pjesë e një agjende politike.

Vërtet duhet pyetur: si është e mundur që gati tri dekada pas rënies së komunizmit asnjë qeveri e Tiranës nuk ka qenë në gjendje të ndajë mjete për të mbrojtur dhe konservuar kampet e shfarosjes të regjimit të Enver Hoxhës. Qeveritë e Sali Berishës nuk kanë bërë pothuaj asgjë, ndërsa Qeveria socialiste e Edi Ramës është përpjekur që përmes projekteve të quajtura “Bunkart1”, “Bunkart2” apo “Shtëpia e Gjetheve” ta prezantojë regjimin komunist si një karnaval të çmendurish – dhe jo si një regjim gjakatar, përfaqësuesit e të cilit duhet të dënohen dhe jo të gëzojnë ditët e pleqërisë duke u tallur me kaosin demokratik dhe duke lavdëruar sigurinë dhe rendin kur ishte “ai” gjallë – “ai”: kasapi Enver Hoxha.

Është e pabesueshme dhe e pafalshme që në Shqipëri edhe sot flitet pak ose aspak për 6026 njerëz të ekzekutuar nga regjimi komunist. 34,135 shqiptarë u burgosën për arsye politike. 50 mijë familje u dërguan në kampe internimi. Supozohet se mbi 7 mijë shqiptarë vdiqën në kampe internimi dhe të punës për shkak të kushteve të këqija. Rreth 1000 vdiqën në burgje. Rreth 60 mijë u detyruan të shpërnguleshin nga zonat kufitare. Nga viti 1959 Kodi Penal parashihte që edhe fëmijët nga mosha 12-vjeçare të nxirreshin para gjyqit. Madje edhe në vitin 1988 familjet terrorizoheshin dhe u ndalohej që fëmijët t’i pagëzonin me emra myslimanë apo të krishterë. Më 1968 u shpërbë Ministria e Drejtësisë, njerëzit nxirreshin para gjyqit ushtarak apo para të ashtuquajturave gjykata popullore.

Historianja Anke Geier shkruan se në Shkodër dhe rrethinë regjimi komunist hapi mbi 20 burgje, ku mbaheshin, torturoheshin e terrorizoheshin mijëra njerëz. Pjesën më të madhe të të burgosurve e përbënin dinjitarët e Kishës Katolike.

Historiani tjetër gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ajo ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihej në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam.

Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Më 1949 pothuaj gjysma e klerit katolik u ekzekutua. Pasi Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë më 1967, objektet e kultit u shndërruan në salla të sportit ose u shkatërruan, ndërsa njerëzit që mbanin në shtëpi një Bibël apo libër tjetër fetar dënoheshin egërsisht. Një marrëzi e radhës ishte hapja e “Muzeut të Ateizmit” në Shkodër, në qendrën e katolicizmit shqiptar.

Historianja Anke Geier shkruan në raportin e saj se shkencëtarët gjermanë kanë takuar disa të mbijetuar të ferrit komunist. Mes tyre edhe Fabian Katin, i cili ishte dënuar për shkak se kishte dëgjuar e përthyer në shqip këngët e Bob Dylanit. Kur vdiq Enver Hoxha, më 1985, Fabian Kati gjendej në Burgun e Spaçit. Gjatë sundimit komunist një e treta e shqiptarëve u ndoqën për arsye politike.

Mbi 10 mijë punëtorë të Sigurimit “kujdeseshin” për përgjimin, përcjelljen, spiunimin, denoncimin dhe keqtrajtimin e shqiptarëve. Kur u rrëzua regjimi komunist, Sigurimi u kujdes për të fshehur, djegur, asgjësuar dosjet. Kanë mbetur me gjasë edhe 212,145 dosje dhe 250 mijë dokumente tonike të degëve të Sigurimit.

Kush interesohet për këto dosje? Pakkush. Komunizmin e përgjakshëm e ka zëvendësuar kapitalizmi i egër, njerëzit vrapojnë pas fitimit e luksit, pas bukës së përditshme, jo pak prej tyre janë dëshpëruar dhe shndërruar në oportunistë – më e rëndësishme është mbijetesa se kërkesa për dënimin e kriminelëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular